Luan Rama: Do caktojmë përfaqësuesin në Komision, sapo të nisë procedura në Kuvend

56
Kuvendi pritet të konstituojë seancën e nesërme Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, nga i cili do të nisë puna për ndryshimet e nevojshme ligjore.
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, tha se sapo të nisë proçedura në Parlament, LSI do të përmbushë angazhimet për zgjedhjen e përfaqësuesit të saj në Komision.
Luan Rama: Në rastin më të parë të proçedurës në Kuvend ne do të përmbushim angazhimin dhe detyrimin tonë për të qenë prezent me gjithçka lypset në të mirë të funksionimit të Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore. LSI çështjen e zgjedhjeve korrekte, të ndershme, trasnparente dhe në mënyrë të veçantë ndëshkimin e korrupsionit elektoral e ka dhe do ta ketë prioritare derisa Shqipëria të mbërrijë në standartet që kërkojnë zgjedhjet e denja për një vend anëtar kandidat për në BE dhe anëtar në NATO.
Pas konfuzionit të krijuar nga deklarata e fundit e tij lidhur me raportin e FMN, Luan Rama tha se do të vazhdojë të mbajë qëndrimet e tij për çdo rast apo fenomen në interes të publikut.
Luan Rama:Nëse jeni të interesuar të dini qëndrimin tim në raport me çështje, fenomene, apo episode të qeverisjes apo sjelljeve politike në vend unë jam i hapur ta bëj në çdo kohë dhe me cilindo prej jush.Nuk më mungon as aftësia profesionale pasi jam gazetar në profesion, nuk më mungon as oratoria për të artikuluar drejt, qartë dhe pa asnjë ekuivokë qëndrimet e mia individuale ndaj çdo rasti apo fenomeni. E kam bërë këtë si deputet, e kam bërë si përfaqësues i LSI dhe do vazhdoj ta bëj sa herë të jem i bindur në vlerësimin tim për të mbajtur një qëndrim që i shërben përmirësimit të qeverisjes, transparencës ndaj publikut.
Konferenca për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama
Së pari më lejoni të bëj të ditur që jam në këtë konferencë shtypi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së dhe me të gjitha atributet e përfaqësimit politik të detyrës që përfaqësoj.
Së dyti, dëshiroj të rimarr një fakt sot me ju, një çështje për të cilën ne jemi investuar në rrugë ligjore në Gjykatën e Tiranës, disa muaj më parë, në funksion të qëndrimit tonë të palëkundur, konsistent dhe gjithnjë transparent ndaj publikut për të ndëshkuar ligjërisht cilindo gjë rezulton në shkelje të ligjit në tërësi, por në mënyrë të veçantë për të ndëshkuar ligjërisht cilindo, që rezulton që të jetë pjesë e skemave të korruptimit elektoral.
Përpara zgjedhjeve të vitit të kaluar gazeta “RD” ka botuar një shkrim të pavërtetë, për të ashtuquajturin fenomen të blerjes së votës apo të shitjes së votës nga militantë, simpatizantë etj., të LSI-së, në Shkodër.
Duke iu drejtuar rrugës gjyqësore, ne kemi dashur jo vetëm të respektojmë institucionin që jep drejtësi, por nga ana tjetër t’i japim edhe një mesazh për qytetarët dhe për çdo subjekt, që çdo çështje, çdo fakt apo çdo rast duhet denoncuar në Prokurori, Gjykatë dhe duhet kërkuar ndëshkim ligjor.
Duke respektuar autoritetin dhe tagrin kushtetues të Gjykatës ne nuk jemi përzier në këtë proces, nuk e kemi bërë atë publik, por meqenëse “RD”-ja vazhdon edhe në numrin e saj të sotëm të shprehet në të njëjtën linjë dhe në të njëjtin qëndrim të gënjeshtërt jam këtu për të bërë të qartë edhe një herë se si qëndron e vërteta në lidhje me këtë çështje.
Natyrisht nuk është misioni im dhe nuk është në filozofinë politike të LSI-së të merremi me shtypin dhe aq më pak të merremi me “RD”, por po i referohem asaj, sepse në fakt e respektojmë dhe e vlerësojmë si organin zyrtar të opozitës.
Meqenëse ata morën përsipër të denoncojnë një fakt që sipas tyre qe i vërtetë, do të duhej që këtë qëndrim qytetar, ligjor, korrekt ta çonim më tej duke e çuar në Gjykatë, Prokurori, rastin që ata kishin dokumentuar, me qëllim që të ndëshkohej ligjërisht cilido që rezultonte i implikuar në këtë histori.
Mirëpo çfarë ka ndodhur? Janë zhvilluar gjithsej 14 seanca gjyqësore të kësaj çështjeje, në një pjesë të cilave përfaqësues të “RD”-së nuk kanë marrë pjesë, nuk janë paraqitur në Gjykatë . Ka patur raste kur dhe të dy palët nuk janë paraqitur apo kur është shtyrë seanca për arsye objektive të angazhimeve të gjyqtarit.
Megjithatë, duam t’ju bëjmë të ditur që fjala vjen në seancën e datës 2 tetor të vitit 2015 vendimi i gjykatës është ky:
“Gjykata e ndodhur në këto kushte ndërpret shqyrtimin gjyqësor në bazë të nenit 342 të Kodit Procedurës Penale dhe shtyn seancën për në datën 16.10. 2015 për tu njoftuar RD-në. Të njoftohet RD, palët prezent morën dijeni”.
Por as në seancën e datës 16 tetor të vitit 2015, përfaqësuesit e RD nuk kanë qenë prezent në sallën e gjyqit. Dhe përsëri gjykata merr vendimin që të njoftohet RD dhe i akuzuari Blendi Kasmi. Të njoftohen palët. Në seancën e datës 23.10.2015, Gjykata shtyn seancën gjyqësore për t’u dhënë kohë palëve për të diskutuar në lidhje me pajtimin e kësaj kërkese.
Më lejoni që të shpjegoj që procedurialisht Gjykata përpara se të filloj shqyrtimin gjyqësor, i fton palët të gjejnë zgjidhje përmes pajtimit. Dhe kërkesa e gjyqtarit është procedurialisht korrekte dhe ne në respekt të procedurës nuk e kemi refuzuar kërkesën e gjyqtarit, ashtu siç ka bërë dhe përfaqësuesi i RD-së. Dhe më lejoni t’jua lexoj të plotë nga procesverbali i seancës gjyqësore qëndrimin e mbajtur nga përfaqësuesi i RD-së: 
“Rilindja Demokratike, Blendi Kasmi, do të flasë për të dyja palët në lidhje me atë që sapo tha avokati i palës së dëmtuar/akuzuese. Jam dakord ta zgjidhim çështjen me pajtim, gjithashtu kërkoj të na jepet një kohë e nevojshme për t’u konsultuar dhe me palën tjetër për të gjetur zgjidhjen më optimale të mundshme”.
Dhe një herë më lejoni që të shpjegoj që procedurialisht e gjitha kjo është korrekte në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe i njëjti qëndrim është mbajtur dhe në seancën pasardhëse.
Ndërkohë në seancën e fundit të zhvilluar, por jo të fundit për gjyqin të datës 12.1.2016, Gjykata thotë: “Ndodhur në kushtet kur nuk është i pranishëm përfaqësuesi i RD e shtyjmë seancën për në datën 2 shkurt 2016 për të njoftuar palët”. Avokat Bledar Fejzo, që është përfaqësuesi ligjor i LSI-së në këtë gjyq, “Prezent, thotë mori dijeni” dhe avokati Bledar Fejzo mori përsipër të njoftoj edhe palën e paditur, domethënë Bledi Kasmi, sepse ai përsëri nuk ka qenë në seancën gjyqësore. Mbrëmë në një transmetim televiziv, edhe sot në Rilindjen Demokratike, Bledi Kasmi thotë që LSI-ja na paditi dhe LSI-ja kërkoi pajtim.
Edhe një herë theksoj se pajtimi është procedurë normale ligjore, që kërkohet nga drejtuesi, nga kryetari i seancës, nga gjyqtari. E dyta, nëse LSI-ja do të kërkonte pajtimin, e kishte të zgjidhur çështjen, sepse ne kemi bërë padi, tërheqim padinë dhe çështja pushohet. Dhe praktikisht pajtimi është i zgjidhur në këtë rast. Por për të mos e lënë me kaq, përfaqësuesi i Rilindjes Demokratike, përkatësisht Kryeredaktori i saj Bledi Kasmi ka dërguar edhe një e-mail në adresën e përfaqësuesit ligjor të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku i ofron tekstin që ai propozon që duhet ta bonte “RD”-ja në konkretizim të pajtimit të mundshëm. Dhe konkretisht, Bledi Kasmi në këtë e-mail të datës 21 nëntor 2015 propozon edhe tekstin që ai kishte menduar ta botonte në RD për të përgënjeshtruar shkrimin që ato kishin botuar përpara zgjedhjeve dhe thotë: “Në lidhje me shkrimin dhe foton e botuar në gazetë mbi blerjen e pretenduar të votave në qytetin e Shkodrës në zyrat e LSI-së, kjo parti ka sqaruar se nuk ka të bëj aspak me të vërtetën”. Pastaj thotë: “Fotografia nuk është bërë në zyrat e LSI-së dhe gazeta e ka keqinterpretuar faktin. Fotografia është bërë në një lokal ngjitur me zyrat e LSI-së dhe nuk ka pasur fare të bëjë me këtë forcë politike”. Ndërkohë vazhdon propozimi i z. Kasmi: “Gazeta sqaron se lajmi është marrë nga portalet informative online. Këto portale e kanë dhënë lajmin disa ditë më parë. Ky ka qenë edhe burimi nga është marrë fotoja dhe lajmi që është pasqyruar në gazetë. Gazeta është e hapur të botojë të plotë reagimin e LSI-së në lidhje me këtë shkrim, duke i qëndruar besnik parimit primar të gazetarisë për dy burime”.
Ju jeni gazetarë dhe ata që janë gazetarë, ato që janë marrë me shtypin e dinë shumë mirë, që përgjegjësia e verifikimit përmes burimeve të besueshme është e gazetës apo e organit që e publikon lajmin dhe kjo përgjegjësi duhet ushtruar përpara se sa të botohet lajmi. Megjithëse nuk e kanë bërë përpara se sa ta botojnë lajmin që ai thotë që e ka marrë nga portalet online pa e cituar se nga cili portal, kërkojnë që ta bëjnë tani këtë gjë.
Pse e bëra gjithë këtë shpjegim? Natyrisht edhe një herë jo për të sqaruar opinionin publik se kush është Rilindja Demokratike dhe as për t’u marrë me Rilindjen Demokratike, por për të saktësuar përpara opinionit publik, që Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vendosur të ndjekë rrugën ligjore ndaj çdo rasti të shkeljes së ligjit, ndaj çdo rasti korruptiv, qoftë ky korrupsion elektoral, korrupsion qeverisës, korrupsion ekonomik apo korrupsion politik apo i çdo lloj tjetër. Edhe për rastin konkret ne do t’i shkojnë shqyrtimit gjyqësor deri në fund për të gjetur përgjegjësitë e cilitdo. Në rast se rezulton se lajmi i botuar në RD të jetë i vërtetë, personi i fotografuar, përgjegjësit e strukturës së LSI-së në Shkodër apo kudo tjetër të jenë ato, do të përgjigjen ligjërisht deri në një dhe ne do të kërkojmë dënimin maksimal të tyre. Por nga ana tjetër jemi të vendosur të realizojmë me transparencë dhe të japim përballë publikut çdo fakt, çdo provë apo çdo tendencë për të njollosur padrejtësisht imazhin politik, qeverisës dhe përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Pyetje nga gazetarët 
Ju thatë që në nisje të konferencës se ky është qëndrimi zyrat i LSI-së, por edhe në daljen tuaj të parafundit nga selia e LSI-së ju thatë që po mbanit një qëndrim zyrtar të partisë për raportin e FMN-së. Ndërkaq më vonë zv.kryetari i LSI-së, Petrit Vasili ju përgënjeshtroi me një deklaratë për shtyp dhe tha që qëndrimi ishte personal i juaj në lidhje me këtë çështje. Çfarë ndodhi, nuk ishit marrë vesh që dolët në qëndrime të ndryshme?
Së pari më lejoni t’jua bëj të qartë edhe një herë që kohezioni dhe sintonia ime me z. Vasili është e shkëlqyer. Bashkëpunimi im me të dhe me të gjithë drejtuesit e LSI është i shkëlqyer.
E dyta unë, meqenëse në profesion jam gazetar, di shumë mirë të ndaj çfarë është qëndrim privat nga çfarë është qëndrim zyrtar. Edhe në konferencën për shtyp për të cilën ju referoheni, kam thënë dhe po e përsëris, që për Lëvizjen Socialiste për Integrim është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe partneriteti me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me çdo organizëm ndërkombëtar që është partner në Shqipëri apo me të cilin Shqipëria është e detyruar që të punojë për të përmbushur reforma të rëndësishme drejt procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ky është qëndrimi zyrtar i LSI i shprehur edhe nga qëndrimi i z. Vasili, edhe nga qëndrimi i Kryetarit të LSI-së në një emision televiziv për të parë me seriozitet dhe me përgjegjësi çdo mesazh që vjen dhe për të lexuar drejt e korrekt çdo qëndrim, çdo sugjerim, çdo propozim apo çdo vërejtje që na vjen nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Unë di të ndaj, edhe në konferencën e kaluar për shtyp kam thënë për episode të veçanta, mendimi im apo qëndrimi im është ky dhe kam cituar qëndrimin që unë e ndaj nga qëndrimi im si përfaqësues politik i LSI-së. Pra, kur është qëndrimi i LSI-së unë them qëndrimi zyrtar i LSI është ky, dhe kur është qëndrimi im si Luan, them qëndrimi im personal është ky. Dhe unë këtë diferencë e kam bërë edhe në atë konferencë për shtyp.
Por le t’i ikim formës. Le të qëndrojmë te përmbajtja. E rëndësishme është të lexojmë drejt dhe të reflektojmë me përgjegjësi ndaj mesazheve që na vijnë. Edhe qëndrimi im i sotëm në këtë konferencë për shtyp dhe ajo që unë po bëj në raport, jo për të kriminalizuar shpifjen, nuk jam i atij qëndrimi, por për të zbardhur një akuzë që është bërë dhe për të kriminalizuar cilindo që kriminalizon procesin zgjedhor, cilindo që kriminalizon reformat e mëdha në të cilat është përfshirë Shqipëria. Dekriminalizimi i proceseve zgjedhore, ndëshkimi ligjor i cilitdo që korrupton procesin zgjedhor është një kredo parimore dhe e pandryshuar e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndëshkimi ligjor i korrupsionit elektoral apo i pozicionit zgjedhor, është i pandryshuar në qëndrimin e LSI-ë dhe ne do të japim shembullin në çdo rast. Edhe për rastin konkret, unë jua përsëris, në rast se rezulton qoftë edhe një përfaqësues i vetëm apo cilido përfaqësues anëtar, simpatizant, votues i LSI i implikuar, do të kërkojmë publikisht në gjykatë dhe përpara jush ndëshkimin maksimal, ligjor për ta bërë shembull atë përballë gjithë opinionit publik. Kjo është e pastër dhe e bardhë si drita e diellit dhe ndaj këtij qëndrimi ne nuk çedojmë dhe nuk lëvizim asnjëherë. 
Z. Rama, pas qëndrimit tuaj të fundit kritik, a keni vënë re ndonjë reflektim nga mazhoranca në lidhje me ato shqetësime që ju shprehët si në rastin e koncesioneve apo çështjeve të tjera?
Procesi i reflektimit me përgjegjësi është proces dinamik dhe qeverisja, mazhoranca e bën këtë me shumë seriozitet. E dyta unë sot këtu jam për një çështje të caktuar, për një objekt të caktuar të konferencës për shtyp dhe nuk dua ta shfokusoj vëmendjen tuaj dhe të opinionit nga çështja për të cilën ju kam ftuar. Nëse jeni i interesuar të dini qëndrimin tim apo cili është opinioni im në raport me çështje, fenomene, opinione apo episode qeverisës apo sjelljes politike në vend, unë jam i hapur ta bëj këtë në çdo formë dhe me cilindo prej jush që është i interesuar.
Edhe njëherë theksoj që nuk më mungon as aftësia profesionale, jam gazetar në profesion, nuk më mungon oratoria për të artikuluar drejt, qartë dhe pa asnjë hije, pa asnjë ekuivok qëndrimet e mia individuale ndaj çdo rasti apo ndaj çdo fenomeni. E kam bërë këtë si deputet, e kam bërë këtë si përfaqësues i LSI-së dhe çdo të vazhdoj ta bëj sa herë që unë të jem i bindur në vlerësimin tim për të mbajtur një qëndrim që i shërben përmirësimit të qeverisjes, që i shërben transparencës ndaj publikut dhe diskutimit në publik të fenomeneve apo të dukurive që kanë të bëjnë me gjithçka që lidhet me jetën politike dhe sociale të vendit. 
Duke qëndruar te tema e zgjedhjeve, a e ka caktuar Lëvizja Socialiste për Integrim anëtarin e saj që do të bëjë pjesë në komisionin posaçëm për reformën zgjedhore? Pritet sipas deklaratës së z. Meta që ky Komision të plotësohet dhe të nisë punën nga dita e nesërme…
Z. Meta si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, por dhe si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka bërë të njohur qëndrimin e vet edhe në përgjigjen që i ka kthyer letrës së dërguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. E ka bërë të njohur qëndrimin e vet edhe dje në konferencën e posaçme që është zhvilluar me fokus procesin zgjedhor dhe në mënyrë më të detajuar korrupsionin elektoral dhe në rastin më të parë të procedurës në Kuvend, ne do të përmbushim angazhimin dhe detyrimin tonë për të qenë prezent me gjithçka nevojitet në të mirë të funksionimit të komisionit të reformë zgjedhore.
Edhe njëherë theksoj se Lëvizja Socialiste për Integrim çështjen e zgjedhjeve korrekte, të ndershme, transparente dhe në mënyrë të veçantë ndëshkimin korrupsionit elektoral, e ka prioritar, do ta ketë gjithnjë të tillë derisa Shqipëria të mbërrijë në standardet që kërkojnë zgjedhjet e denja për një vend anëtar të Bashkimit Evropian, për një vend anëtar të NATO-s. 
Nëse keni ndonjë gjë më konkrete këtu kemi dhe avokatin që përfaqëson LSI-së në këtë proces gjyqësor me Rilindjen Demokratike për të shpjeguar në mënyrë më të detajuar se çfarë ka ndodhur konkretisht në seancën ku është kërkuar e ashtuquajtura falje. 
Avokati Bledar Fejzo
Padashur që të përsëris atë që tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Luan Rama, unë dje ndoqa në mënyrë rastësore ndërhyrjet që ka bërë kryeredaktori Blendi Kasmi tek emisioni “Opinion”, lexova dhe artikullin e sotëm tek gazeta “Rilindja Demokratike”, dhe ju konfirmoj se të gjitha deklarata e tij janë të pavërteta. Dhe përveçse të pavërteta, janë edhe të pamoralshme.
E vërteta është se pasi janë bërë seancat përgatitore, siç ju shpjegoi z. Luan, ndaj gjykata në plotësim të detyrave të veta proceduriale, janë ftuar palët për mundësinë e zgjidhjes me pajtim. Seanca e pajtimit është e detyrueshme për t’u zhvilluar sipas Kodit Penal. Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë dhe shumë i prerë. Qëllimi i këtij procesi nuk është dënimi i gazetares. Qëllimi i këtij procesi gjyqësor është zbardhja e së vërtetës. Dhe qëndrimi ynë i zbardhur në procesverbalin e seancës, i regjistruar në sistemin audio të gjykatës, ka qenë i prerë. Në qoftë se gazeta “Rilindja Demokratike” pranon faktin se shkrimi është i pavërtetë, pranon faktin që nuk e ka konfirmuar kurrë këtë lajm, pranon faktin që ky lajm është botuar vetëm me qëllim dëmtimin e imazhit të Lëvizjes Socialiste për Integrim përpara zgjedhjeve vendore, jemi të gatshëm që edhe të tërhiqemi nga padia sepse qëllimi ynë është zbardhja e kësaj të vërtete dhe jo dënimi i së vërtetës.
Nga përfaqësuesi i gazetës Rilindja Demokratike dhe njëkohësisht kryeredaktori i saj është pranuar fakti që lajmi nuk është i vërtetë, që lajmi është marrë nga portalet online dhe nuk është konfirmuar nga gazeta dhe është kërkuar kohë për të gjetur mundësinë e zgjidhjes me pajtim dhe kjo mundësi e zgjidhjes me pajtim ishte botimi i këtij qëndrimi të gazetës Rilindja Demokratike, në gazetën Rilindja Demokratike ku gazeta të merrte përgjegjësi për shkrimin e botuar.
Në vijim të kësaj është edhe e-maili që ju citoi z. Rama ku ata propozojnë një artikull përgënjeshtrues sipas asaj përmbajte që tha z. Rama i cili nuk është pranuar nga ana jonë për faktin se pranon që e kanë marrë atë lajmin nga portalet online, por nuk pranon përgjegjësinë e gazetës për pavërtetësinë e lajmit. Na është propozuar në vijim nga ana e “Rilindjes Demokratike” që ta përpilojmë ne si të duam artikullin e përgënjeshtrimit dhe ata janë të gatshëm që ta botojnë vetëm për zgjidhjen e çështjes me pajtim.
Pas kësaj ka qenë kjo ndërhyrje e z. Kasmi në “Opinion” dhe botimi i artikullit ditën e sotme. Ky ka qenë qëndrimi ynë i palëkundur në lidhje me këtë proces. Në asnjë rast ne nuk kemi pasur ndërmend të tërhiqemi nga ky proces dhe as nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga ky proces pa u zbardhur e vërteta mbi atë lajm.