Luan Rama: Dështimi i çeljes së negociatave, përgjegjësi e qeverisë!

516
Deklarata për media e Zv.Kryetarit të LSI-së, Luan Rama
Sot do duhej të ishte një ditë tjetër në procesin e integrimit Europian të Shqipërisë në BE, sepse qytetarët shqiptarë e meritonin dhe e meritojnë çeljen e negociatave.
Jo thjeshtë për të përligjur kështu një apiratë të tyre shpirtërore dhe kombëtare po aq, por edhe si vlerësim për të gjithë sakrificat, angazhimin dhe kontributin që qytetarët shqiptarë kanë dhënë për 28 vite me rradhë në përpjekjet e tyre për tu bërë pjesë e BE.
Mirëpo, për fat të keq Ministrat e Jashtëm të BE kanë vendosur të mos i çelin negociatat e BE me Shqipërinë, duke përcaktuar edhe njëherë kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria në kuadër të këtij procesi, çfarë në fakt është një qëndrim i qartë, i prerë dhe transparent i BE-së ndaj qeverisë shqiptare. Përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta paraqitur qëndrimin e fundit si një fitore të saj dhe si një ditë feste për Shqipërinë në fakt, nuk është asgjë tjetër, vetëm përpjekja e rradhës për t’u tallur me shqiptarët, përpjekja e rradhës për të fyer shqiptarët dhe përpjekja e rradhës për të dëshmuar dhe njëherë se kjo qeveri dhe kryeministri i saj as në një ditë të rëndësishme si kjo, nuk kanë sensin për të bërë një reflektim dhe për të parë me realizëm se çfarë është bërë gabim në funksion të së ardhmes europiane të Shqipërisë. Kushtet e BE janë të qarta. Ata nuk mundet të pranojnë të kenë si partner një qeveri që ka zgjedhur të ketë partner krimin.
BE nuk mund të ketë një partner të vetin të besuar, qeverinë shqiptare e cila në vend që të krijonte klimën e nevojshme për një dialog politik konstruktiv, siç shprehet edhe qëndrimi më i fundit i ministrave të jashtëm të BE, të gjithë këtë periudhë, pra fushatën e ashtuquajtur të lobimit, e ktheu në një periudhë lufte, denigrimi, fyerjeje dhe poshtërimi ndaj opozitës.
Lufta kundër krimit, reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e të drejtës së pronës, mbeten kushte të cilat qeveria shqiptare dhe e gjithë klasa politike duhet t’i shohë me realizëm, për të përcaktuar se çfarë duhet të bëjë për përmbushjen e tyre, pasi jo vetëm ministrat e jashtëm të BE por të gjithë institucionet e BE, që monitorojnë, që asistojnë dhe që ndihmojnë në tërësinë e procesit të reformave në Shqipëri, natyrisht  e njohin realitetin, gjendjen dhe  njohin çdo detaj të realitetit politike në Shqipëri.
Përpjekja djallëzore për të fshehur gjithë këtë dështim pas akuzave të kryeministrit me të ashtuquajturin esadizëm të ri të Shqipërisë, nuk është gjë tjetër, vetëm shprehje e arrogancës, e verbërisë politike dhe e papërgjegjshmërisë politike për t’ia faturuar kostot e qeverisjes së krimit, opozitës, duke bërë në fakt në këtë mënyrë një qasje të papërgjegjshme. Sepse t’i japësh opozitës meritën e ndikimit kaq të madh në vendimmarjen e ministrave të jashtëm të BE në fakt do të thotë të fyesh dhe të tallesh vetë BE-në.
Ata nuk kanë nevojë për zërin e opozitës. Ata kanë institucione, kanë misione që punojnë dhe që asistojnë këtu dhe kanë një sistem të tërë të marrjes së informacionit për t’a njohur situatën në Shqipëri, prandaj vendimi për të mos çelur negociatat e Bashkimit Europian me Shqipërinë, në fakt është reflektimi i sjelljes së papërgjegjshme, i sjelljes në aventurë me interesat e vendit nga ana e qeverisë shqiptare.
Ne kemi kërkuar me kohë, madje LSI e ka bërë të qartë, që do të ishte e udhës që të mbërrihej në një Pakt Kombëtar, në një Pakt Kombëtar që të kishte prioritet integrimin europian të Shqipërisë. Ne kemi kërkuar prej kohësh dhe në mënyrë të vazhdueshme institucionalizimin e dialogut politik, si kriterin e parë bazë, jo thjesht dhe vetëm për të shkuar te çelja e negociatave, por për të krijuar një realitet tjetër, një realitet politik europian edhe në qasjen apo në sjelljen e politikës shqiptare ndaj interesave të vendit. Mirëpo në vend të një reflektimi serioz dhe të përgjegjshëm kemi gjetur arrogancë, abuzivizëm, shpifje, fyerje dhe më shumë se kaq vazhdojmë te kemi ditë pas dite ngjarje të rënda, që dëshmojnë lidhjet dhe varësinë e qeverisë ndaj krimit të organizuar dhe vënien e saj në shërbim të grupeve kriminale. Prandaj, duke marrë shkas nga ky qëndrim i ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian, ajo çfarë duhet të bëjmë të gjithë së bashku është të fokusohemi te përmbushja e prioriteteve, dhe për të kthyer në edukatë apo në sjellje të qëndrueshme dhe gjithnjë transparente ndëshkueshmërinë, pra do të thotë zbatimin e ligjit, eficencën maksimale të Reformës në Drejtësi, e cila nëse nisi si një proces konsensusi, dialogu dhe mirëkuptimi politik, u shndërrua pastaj në një sfidë personale nga ana e qeverisë, e cila synoi dhe tentoi përmes një mori veprimesh arrogante nën vlerën e pavlerë të kartonave të mazhorancës, të kapë sistemin e drejtësisë, të kapë organet e hetimit dhe në mënyrë të veçantë Prokurorinë e Përgjithshme dhe ta shndërrojë të gjithë sistemin në një makinë apo instrument të vetin të hakmarrjes politike. Prandaj Lëvizja Socialiste për Integrim edhe njëherë apelon me forcë dhe me përgjegjshmëri domosdoshmërinë e institucionalizimit të dialogut politik dhe çeljen mbi bazën e reflektimit serioz të një procesi që do të çojë në përmbushjen e kritereve apo të kushteve në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë. Por e thotë qartë qëndrimi refuzues i Këshillit Europian për çeljen e negociatave, kjo nuk mund të bëhet duke patur në qeverisje filozofinë e krimit, filozofinë e revanshit, filozofinë e fyerjes, etiketimit dhe poshtërimit, por duke dëshmuar qartë dhe prerë nga ky çast, nga sot, nga nesër dhe ditë pas dite, vendosmërinë në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër krimit të trafikut të drogës, të trafikut të qënieve njerëzore, të trafikut të parave, të pastrimit të parave që Shqipëria të mos jetë, ashtu siç etiketohet apo siç cilësohet nga institucione prestigjioze ndërkombëtare në Europë apo në SHBA deri edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si vend i rrezikshmërisë së lartë që cënon interesat e qeverisë amerikane. Ky është realiteti, ne nuk mund ti fshihemi atij dhe përgjegjësia, kosto-ja dhe fatura e drejtpërdrejtë e gjithë këtij realiteti ka vetëm një fajtor; ky është kryeministri i vendit Edi Rama, i cili në shenjë reflektimi të përgjegjshëm, në shenjë serioziteti dhe nëse vërtet i ka mbetur sadopak ndjenjë përgjegjshmërie përballë interesave të vendit, duhet të japë dorëheqjen, të largohet një orë e më parë dhe të mos mbajë peng interesat europiane të Shqipërisë, të mos mbajë peng procesin e integrimit europian të Shqipërisë, sepse qytetarët shqiptarë janë i vetmi popull në Europë që nuk e meritojnë qeverinë që kanë.
Sigal