Luan Rama: Banditët e deputetëve të PD qëlluan me armë, terrorizojnë votuesit

523
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama reagoi për ngjarjen nga selia e LSI-së, ku kërkoi nga Partia Demokratike distancimin nga këto akte kriminale. Në deklaratën për shtyp, Luan Rama tha se element kriminal pranë PD-së e kanë kuptuar që humbja në Lezhë është e paevitueshme dhe kërkojnë përmes kësisoj ngjarjesh të ngjallin panik dhe të frikësojën qytetarët.
“Njerëz të armatosur, bandit, nën shoqërinë e deputetëve të PD, kanë qëlluar me armë zjarri pranë makinës ku udhëtonte deputetja Monika Kryemadhi me shtabin elektoral të kandidatit për bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj. Natyrisht që kjo ngjarje e rëndë është gjë tjetër vetëm se një rast, një episod, në tërësinë e episodeve kriminal të shfaqur gjatë ditëve të fundit ku eksponentë të Partisë Demokratike, kandidatë të Partisë Demokratike, të dëshpëruar nga humbja dhe të bindur që kanë kundër shumicën e qytetarëve shqiptarë, tentojnë të prishin, të komprometojnë dhe mundësisht të sabotojnë procesin zgjedhor me akte të tilla kriminale. Gjatë ditës së sotme ka pasur disa incidente të tilla në Bashkinë e Lezhës. Deputetja Monika Kryemadhi, kandidati për kryetar të Bashkisë të ASHE Viktor Tushaj, kanë denoncuar pranë Policisë së Qarkut të Lezhës, pranë Prokurorisë, pranë misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, raste të tilla duke kërkuar me këmbëngulje që deputeti i PD, Aldo Bumçi dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të PD të distancohen nga veprime të tilla kriminale. Në emër të LSI dhe njëherë i kërkoj drejtuesve të PD që të distancohen hapur, prerë dhe qartazi nga të tilla, veprime kriminale, të distancohen dhe të dënojnë elementë kriminalë dhe të bëjnë çdo përpjekje dhe të japin çdo kontribut që procesi zgjedhor të jetë korrekt, të jetë transparent të jetë i ndershëm dhe në përputhje me parimet e OSBE/ODIHR-it. 
Nga ana tjetër, i kërkoj Policisë së Shtetit të mos hezitojë, por të bëjë detyrën në përmbushje dhe në zbatim të ligjit duke iu nënshtruar kontrollit ligjor të çdo mjeti ku udhëtojnë edhe deputetë të cilësdo parti qofshin. Të kontrollohen makinat e deputetëve sepse as deputetët dhe as makinat e tyre nuk kanë më imunitet. Imuniteti është vetëm tek vota e qytetarëve. Ata që flasin për dekriminalizimin të distancohen sa më parë nëse nuk duan të konfirmojnë që janë pjesë e drejtpërdrejtë e veprimtarisë kriminale. Prandaj edhe njëherë jo vetëm të mos hezitojnë, por të mbështesin maksimalisht Policinë e Shtetit të përmbushë detyrën e saj. Qytetarët janë të vetëdijshëm që kanë në duar fatet e tyre, fatet e vendit në zgjedhjet e 21 qershorit dhe nga rruga e tyre e Shqipërisë evropiane, nga drejtimi i duhur për të votuar Shqipërinë evropiane. Nuk mund t’i ndalojnë, nuk mund t’i trembin dhe t’i detyrojnë të tërhiqen as bandat e kriminelëve dhe as ata që pas bandave të kriminelëve me imunitetin e ashtuquajtur politik, kërkojnë të terrorizojnë qytetarët. Është ora për t’u ndarë përfundimisht nga e keqja. E ftoj lidershipin e Partisë Demokratike të distancohet nga të tilla veprime kriminale, t’i dënojë këto akte, t’i dënojë dhe t’i denoncojë autorët e këtyre ngjarjeve të rënda kriminale”, shprehet Luan Rama. 
Sigal