Luan Rama: Asambleja e PS-së, me retorika patetike të PPSH-së

75
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, në një prononcim për “BalkanWeb” ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama të bëra dje në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Sipas Luan Ramës, kryeministri dhe ministrat e tij, analizat e qeverisjes në këto 4 vite, duhet t’i bënin bashkë me LSI-në dhe jo sipas tij, me eufori të njëanshme. Teksa bëri një vlerësim për situatën aktuale dhe shkarkimin e 4 ministrave nga Rama pak kohë më parë, kreu i grupit parlamentar të LSI pohoi se Bledi Çuçi nuk duhej hequr nga posti i ministrit për Pushtetin Vendor. “Retorika patetike e PPSH-së së 1989-s nuk na ndihmon për Shqipërinë Evropiane. Analizën e qeverisjes duhet ta bëjmë së bashku, jo me eufori dhe njëanshmëri. Për LSI-në, ministri më i suksesshëm është Blendi Çuçi, që drejtoi reformën administrative. Blendi Çuçi, ministri më i suksesshëm, nuk duhej shkarkuar. Ne socialistët që mbajmë mend Libofshën, nuk mund t’ia lëmë kauzën e zgjedhjeve të lira çadrës së Saliut. Zgjedhjet e lira e pluraliste kauza jonë e madhe”, u shpreh Luan Rama. Luan Rama iu kundërpërgjigj kreut të qeverisë, ndërsa shtoi se kritikat parimore as Ramiz Alia nuk i konsideronte “helm për qeverisjen”. “Kritikat parimore as Ramiz Alia nuk i konsideronte helm për qeverisjen. LSI ka reaguar dhe ka ndryshuar ministrat për përmirësimin e qeverisjes. Reflektimi është shenjë përgjegjshmërie, mendjemadhësia dhe arroganca çojnë në keqqeverisje!”, tha Luan Rama.