LSI vë alarmin: Koncesionet po rrënojnë ekonominë, artistët nën terror. Reforma e arsimit dështoi

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka dalë sot para mediave për të reaguar në lidhje me tre çështje të aktualitetit. Bëhet fjalë për koncesionet, për të cilën Vasili ka kërkuar zhbllokimin e nismës së LSI-së në Kuvend, pagat e pedagogëve dhe përballjen e artistëve me qeverinë për godinën e Teatrit Kombëtar.

Vasili ta se koncesionet po shkatërrojnë ekonominë dhe se Eurostat pohon se Shqipëria është vendi me borxhin më të rënduar publik në masën e 13%.

Po kështu ai tha se mosdhënia e pagave pedagogëve tregoi dështimin e reformës së arsimit të lartë. Në emër të LSI-së Vasili iu shprehu mbështetjen artistëve, të cilët sipas tij janë nën terror.

DEKLARATA E VASILIT
Grupi parlamentar i LSI-së sapo përfundoi mbledhjen e tij dhe analizoi zhvillimet më të fundit politike në vend dhe konkludoi me disa qëndrime që unë sot po i bëj prezent për opinionin publik. Së pari jemi përpara një fakti shumë të rëndë, i cili vihet në dukje edhe nga Eurostat, lidhur me koncesionet ose PPP-të siç do t’i quajë qeveria që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me një rëndim të jashtëzakonshëm të ekonomisë shqiptare, një mbërthim prej fyti të saj dhe transformimin e ekonomisë shqiptare dhe të qeverisjes së vendit në një qeverisje borxhlie ndaj bizneseve dhe në funksion të aferave të paqarta, të errëta dhe tepër të rënda që do t’i qëndrojnë si gur në qafë ekonomisë shqiptare për një kohë shumë të gjatë.

Eurostat pohon publikisht që Shqipëria në mënyrë skandaloze është vendi me borxhin publik më të rënduar që shkon deri në masën 13% se çdo vend tjetër europian. Më së fundi dhe projekti famëkeq i 1 miliard eurove e bën ekonominë shqiptare tërësisht një ekonomi të varur nga borxhi i pafund i saj, një ekonomi shqiptare që nuk mund të orientojë më prioritete dhe zhvillime të reja të jetës ekonomike e shqoërore të vendit, por thjesht shndërrohet në një larje borxhi të bizneseve. Pikërisht kësaj strategjie i shërben edhe bllokimi prej mëse dy vjetësh i ligjit për koncesionet të paraqitur nga LSI.

Ligj që vazhdon të bllokohet edhe sot e kësaj dite, i cili dhe pse është futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit, vazhdon të bllokohet me qëllim që këto koncesione të vazhdojnë te jepen dhe të rrënojnë ekonominë shqiptare. Këto koncesione janë bërë shqetësim edhe për FMN-në dhe BB-në. Ne ripërsërisim që bllokimi i nismës sonë për koncesionet bëhet me qëllim pë të vazhduar rrugën për përkeqësimin e Shqipërisë.

Në lidhje me pagat e pedagogëve, konkluzioni i grupit parlamentar të LSI është i qartë, ky rast, ky skandal nuk është thjesht mosnxjerrja e një akti nënligjor por prova e dështimit në arsim. Reformë jo efektive, e paqëndrueshme, në funksion të klientelave në dëm të arsimit publik. Reforma e arsimit të lartë ka rënë.

Qindra njerëz që janë krenaria e këtij vendi ndodhen sot nën terror nga kryeministri ish-ministër, kryeministri që ka pasur në mendjen e tij vetëm ta shndërrojë Teatrin Kombëtar në një bingo, ndërsa sot kërkon të shënojë rrënimin përfundimtar të tij. Si në asnjë vend në glob, kërkon të lërë kryeqytetin e Shqipërisë pa një teatër të vetëm, që të ketë simbolikën e një kryeqyteti vital por do ta shndërrojë atë në një qytet armik të teatrit, të ripërsërisë historinë e tij të famshme të kinemave. Ai dha një provë që është kundër shqiptarëve dhe kundër vetes, sepse dhe ai i përket botës së artistëve pavarësisht se është artist i dështuar. Mbështesim artistët, kërkojmë një ndërtesë të denjë për Teatrin Kombëtar.