LSI, Vasili: Vendi ka fituar një opozitë të fortë, vjedhjen e votës do e kallëzojmë në prokurori

506
Kryetari i LSI-së Petrit Vasili pranoi verdiktin e popullit. Gjatë një deklarate për shtyp, ai premtoi se gjatë katër viteve të ardhshëm do të jenë zëri i qytetarëve
Pas 8 vitesh në qeveri, Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë në opoiztë. Kryetari Petrit Vasili doli para medieve për të falënderuar votuesit, ndërsa tha se vendi ka fituar një opozitë të fortë që në këto katër vite nuk ekzistonte. “Opozita ishte thjesht një opozitë si e Sali Rexhepit e vitit 1996, ku kishte një deputet të vetëm, tanimë do të ketë një opozitë të vërtetë. Një opozitë jo të kapur, një opozitë jo të blerë dhe një opozitë që ka vetëm një mision, që të jetë zëri i qytetarëve në këtë moment të veçantë, historik, kur ata duhet të çlirohen njëherë e përgjithmonë nga pushteti i bandave nacional-socialiste të Rilindjes, të cilët në me anën e strategjisë së terrorit realizuan zgjedhjet e fundit.”

Për numrin një të LSI-së Petrit Vasili, ajo çfarë ka ndodhur dhe është thënë deri në këto momente nuk është më e rëndësishme, sesa ajo që kjo parti do të duhet të bëjë për katër vitet e ardhshëm. Ai tha se, në këto momente është e rëndësishme si të lexojmë këtë rezultat dhe të përcaktojmë dhe të jemi shumë të mirë përcaktuar në pozicionin tonë të papajtueshëm absolutisht me gjithçka ka ndodhur, jo vetëm me tronditjen e ekuilibrave demokratikë të vendit, që janë tronditur për shkak të krimit dhe kësaj strategjie kriminale me implikim dhe me bashkë-autorësi të shtetit brenda. “Kjo është kryesorja dhe ky është misioni ynë që nga dita e sotme e deri në muajt dhe vitet në vazhdim”, tha ai.

Vasili foli për grup të strukturuar që manipuluan votat, ndërsa tha se për këtë kanë informuar ndërkombëtarët.”Me mijëra dokumente, fakte, filmime, fotografi, të cilat do të bëhen të ditura anembanë botës, brenda dhe jashtë Shqipërisë, por misioni ynë themelor është brenda Shqipërisë. Zëri i kësaj opozite të re do të jetë një zë, që do të zhbëjë moralisht dhe më pas do të zhveshë përpara të gjithë popullit shqiptar strategjinë e drogës në këtë vend dhe të parave të fëlliqura që rrjedhin prej saj. Të një vendi që do të çlirohet nga kthimi i tij në një gropë plehrash. Të një vendi i cili kërkon përfundimisht të çlirohet nga vjedhjet qindra milionëshe me koncesione”, shtoi ai. Vasili i ka cilësuar këto zgjedhje si më të shëmtuarat e realizuara në vendin tonë. “Për sa i përket këtyre zgjedhjeve, e theksoj edhe njëherë, kanë qenë më të shëmtuarat dhe kjo është evidentuar në sytë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të mijërave qytetarë. Këto zgjedhje të tilla ne i kemi dokumentuar dhe do t’i dokumentojmë, por nuk do të lodhemi t’ia dokumentojmë nga afër edhe çdo shqiptari”, deklaroi Petrit Vasili, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. 
Sigal