LSI, Spahiu: FMN rrëzoi filozofinë e tatimit progresiv

Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu ka deklaruar se, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka hedhur poshtë filozofinë e qeverisjes socialiste mbi tatimin progresiv të pagës, që presupozon mbështetje për shtresat sociale, duke ndihmuar të varfërit dhe shtresën e mesme dhe paralelisht duke taksuar më shumë të pasurit.

“Ky qe lajmi i djeshëm. Të njëjtën gjë thamë dhe ne tre vite më parë, në mënyrën më konstruktive të mundshme. Asnjëherë nuk u dëgjuam por dhe nuk u bëmë pengesë për ta votuar. Konstruktivë si gjithmonë...!!!”, shkruan Spahiu në profilin e tij në Facebook. 

Ai thekson më tej se, “e drejta vonon por nuk harron”. “Shpresojmë që qeveria e re do reflektojë me paketë fiskale funksionale, vërtet të ndershme, ku të mos tatojë më shumë punën por fitimin”, ka shtuar Spahiu.