LSI, sot në 10-vjetorin e themelimit

541
Sigal

Flet Ilir Meta  Kryetar i LSI-së: Ne do të jemi aty, ku jetojnë, banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin elektorati ynë

 Në 10- vjetorin e partisë, qëllimi ynë të jemi sa më afër  komunitetit

 Ndryshe nga të gjitha aktivitetet e viteve të tjera,  të cilat janë zhvilluar në salla të mbyllura  ky vit  është menduar që të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe konkret. Kjo do të thotë që ne do të jemi aty, ku jetojnë, banojnë dhe ushtron aktivitetin elektorati ynë. Do jemi pranë votuesve dhe të gjithë njerëzve në nevojë, si tek Shtëpitë e të Moshuarve, Shtëpitë e Fëmijëve Jetimë, kopshte, çerdhe etj.. Do jemi pranë tyre me libra dhe revista, me fjalën e ngrohtë dhe punë konkrete për një ambient më të pastër dhe më të sigurt në banesa, lagje dhe vendet e punës. Përfundimisht mund t’ju them, se kjo datë është dhe duhet të jetë një festë jo vetëm për mbështetësit dhe anëtarët e LSI-së, por edhe e mbarë shqiptarëve  dhe vlerë e padiskutueshme e demokracisë.

Edhe dita që plotëson dekadën e LSI-së, në politikë, do të jetë e njëjtë si mijëra ditët e tjera

 LSI, 10 vitet e një raporti të ri me qytetarin

 Opinion, nga Petrit VASILI

 Janë, sigurisht, 10 vite të jetuara me një frymë ato nëpër, të cilat ka kaluar LSI-ja. Pagëzimi i saj si lëvizje ishte një gjetje shumë e qëlluar e që i përshtatej, edhe frymëzimit tepër të fortë për të lëvizur sa më shpejt gjërat e për të arritur gjithmonë e më shpejt te qytetarët, duke shtyrë tej raportet e vjetra e dekurajuese që i largonin ata nga fatet e vendit e që i bënin ata padrejtësisht të parëndësishëm, ndërkohë që, pluralizmi është thelbi i zërit të tyre.

Ky projekt politik i LSI-së, lindur nën shenjën e kufijve maksimalë të guximit politik ja doli më së miri që të bëjë të mundur një mënyrë krejt të re të të bërit politikë, duke treguar qartë se politika është arti i të mundurës, se pesha e paragjykimeve politike dhe ideologjike mbytëse mund të hidhej tej për të mirën e qytetarëve dhe se vetëm kjo rrugë mund të bënte që mjaft vullnete dhe aftësi të fjetura të rizgjoheshin dhe të bëheshin aq të dobishëm për Shqipërinë e përbashkët.

Shqipëria ka përjetuar mjaft zhvillime politike të mëdha dhe të një rëndësie të pazakontë, të cilën kanë pasur gjurmën përcaktuese të LSI, zhvillime që janë bërë të mundura pasi dimensioni i politikës pa komplekse, të prirur nga konstruktiviteti i shëndetshëm, nga aftësia dhe dëshira e fortë për ta ulur politikën në tavolinën e dialogut e për ta shkulur nga llogoret e luftës së verbër e vrastare politike, nga aftësia për të promovuar e rritur aktorë politikë të rinj dhe duke i dhënë të kuptojë gjithkujt se fatet e vendit janë shumë e shumë më të rëndësishme se fatet e kujtdo nga ne. Nën shenjën e parimeve të tilla, LSI-ja mundi të imponojë atë ndryshim transformues në politiken shqiptare që mungonte prej vitesh e që e kishte bërë politikën të varfër në zgjidhje edhe ide, në instrumente dhe në aktorë praktikisht në një politikë larg qytetarëve dhe besimit të tyre. Kushdo ndër ne e ka ndierë të fortë si asnjë herë më parë dimensionin e ri të një rinie me ndërgjegje shoqërore e politike që LSI ka promovuar e zhvilluar me këmbëngulje e pasion unikal. Për të gjithë është tashmë një normalitet politik të shohin mijëra e mijëra të rinj të përgjegjshëm për të ardhmen e tyre dhe të vendit, shumë prej tyre edhe vendimmarrës. Ndaj ne sot jemi shumë më të qetë që brezat mund ta zëvendësojnë më së miri njëri-tjetrin dhe Shqipëria e re i ka tashmë njerëzit e rinj aq të domosdoshëm për të ecur në një rrugë me ambicie të mëdha të Shqipërisë tonë, por 10 vjet më parë nuk e kishim një dimension rinor të tillë shumëdimensional.

Një rrugë e tillë kaq transformuese e LSI-së natyrshëm ka pasur ditët e saj të gëzimit shpërthyes, por edhe të dëshpërimit që të gërryen, sepse jo pak herë padrejtësi të mëdha, dëshira për ta zhbërë LSI-në e që vinin nga rezistenca për mosndryshim e vunë atë përpara vështirësish aq të mëdha sa kushdo njeri i dobët do të thoshte “mjaft nuk ia vlen më”. Por kjo nuk ndodhi asnjë herë, sepse e lindur krejt ndryshe, nën një dritë të re motivesh të forta, bindjesh të mëdha, parimesh që të entuziazmojnë e të mbajnë të gjallë edhe në momentet më të këqija ,LSI ia doli që të imponojë mendjen e ftohtë dhe racionalitetin e arsyeshëm që e mposht arrogancën e egër dhe interesin e vogël e të ngushtë,sepse qytetarët kishin nevojë pafund për ‘to.

Qytetari dhe shqetësimet e tij në tavolinën e vogël të shtëpisë, të kafenesë së lagjes, hallet e qara në pushimin e punës së rëndë në kantier ndërtimi a bujqësi, shqetësimet në zyrat e biznesit apo të dyqanit të vogël në rrugën pranë shtëpisë, këto ishin për LSI themelet e programit e qenies së saj, përgjigjet për këto pyetje e halle pa fund u bënë kredoja dhe themeli i ekzistencës së saj.

Çdo shërbim i ri, çdo zgjidhje e madhe apo e vogël, ky ishte dhe mbetet lajtmotivi i përjetimit të politikës për LSI duke bërë gëzimin e qytetarit kriterin e vetëm që politika funksionon duke refuzuar çdo politikë tjetër që prodhon lumenj fjalësh e akuzash, përleshje për jetë a vdekje dhe asnjë zgjidhje konkrete.

Të ardhur nga një histori e dhimbshme dhe e hidhur izolimi shqiptarët e kanë parë integrimin si mënyrë e vetme për të çliruar energjitë, pasionet e vullnetet e tyre, ndaj Lëvizja për Integrimin ishte dimensioni formësues i saj, ndaj edhe i gjithë sjellja politike e saj i ka shërbyer pa asnjë mëdyshje integrimit duke qenë të gatshëm për çdo dialog zgjidhje apo kompromis i cili e çonte atë përpara. Dhe sot pas 10 vitesh. Shqipëria në Shengen dhe Vend Kandidat për në BE janë përgjigjet historike më pozitive të një integrimi që një dekadë më parë kishte mbetur i bllokuar frikshëm duke na bërë të ishim afër, por njëkohësisht shumë larg Europës. Procese të tilla të mëdha si integrimi kërkojnë sjellje të reja, kurajo politike të fortë dhe braktisje të bizantinizmave pafund, braktisje të pritave e skutave të pabesive kërkojnë mendje të hapur dhe të freskët, përkundrejt llogarisë për të fituar një votë më shumë, kërkojnë të kesh në mendje qytetarin që pret zgjidhje nga politika dhe jo llogarinë elektorale të radhës, kërkon pse jo të sakrifikosh diçka nga vetja për të mirën e madhe të Shqipërisë që duhet të dalë nga varfëria dhe në emër të këtyre ideve LSI për një dekadë të tërë dha shembuj pa fund të politikës së mirë që ul sherrnajat, që dëgjon qytetarin më parë se politikën, që ndihmon zgjidhjen dhe jo bllokimin, që respekton marrëveshjet dhe që nuk i shkel ato, e kësisoj LSI ia doli ta mësojë politikën që të jetojë me standarde të reja dhe të flakë njëra pas tjetrës tabutë mbytëse e të panevojshme që i kanë qëndruar si shkëmb në mes të rrugës së zhvillimit të Shqipërisë.

Edhe dita që plotëson dekadën e LSI-së në politikë do të jetë e njëjtë si mijëra ditët e tjera, do të jetë dita e qytetarëve, pra një ditë tjetër për të dëgjuar ata , për të zgjidhur sa më shumë nga ato gjëra që i shqetësojnë ata dhe do të mbyllet me të njëjtin merak që na shoqëron si gjithmonë në këto 10 vite që përsëri e përsëri duhet të bëjmë më shumë për ta.

   Në zgjedhjet e vitit 2013, LSI nënshkroi një marrëveshje parazgjedhore me Partinë Socialiste, duke arritur një fitore surprizë

LSI, sot në 10-vjetorin e themelimit, me veprimtari sociale

Lëvizja Socialiste për Integrim feston sot10-vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast, LSI-ja do të zhvillojë veprimtari të ndryshme sociale në të gjithë vendin. Këto veprimtari do të kenë në fokusin e tyre grupet në nevojë dhe shtresat të ndryshme sociale. Në fakt, në 10-vjetorin e themelimit të saj, LSI-ja do të organizojë veprimtari që do t’i vijnë në ndihmë komunitetit dhe ambienteve publike.  Në këtë përvjetor është vendosur që të ketë veprimtari sociale edhe në shtëpitë e fëmijëve jetimë.

   Albert Z. ZHOLI

 LSI, një parti e Majtë lindi si rezultat i krizës në radhët e Partisë Socialiste, ku vetë ish- kryetari Fatos Nano, krijoi një debat në KPD, kundër kundërshtarëve të vet, për shkak të qëndrimeve të tij autoritariste. Lëvizja Socialiste për Integrim i ka fillimet e saj që në gjysmën e dytë të vitit 2004, ku brenda Partisë Socialiste lindi një lëvizje e iniciuar nga z. Ilir Meta, e paraprirë nga dorëheqja e tij nga posti i Zv. Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm  dhe  e motivuar fort nga mungesa e theksuar e demokracisë së brendshme në funksionimin e partisë nga një frenim kritik i procesit të integrimit europian me pasojë izolimin e vendit dhe frenimin e rritjes ekonomike dhe shtimin e varfërisë dhe papunësisë.

Në fillimet e saj ajo nisi nën moton “Drejt sfidave të integrimit” duke konsideruar integrimin  si kryeçështjen e të ardhmes së vendit. Për pothuajse një vit ajo vijoi si një lëvizje brenda Partisë Socialiste dhe pas paraqitjes në konferencën e partisë së Tiranës të një dokumenti programor  për ndryshimin e partisë, por edhe të modelit të qeverisjes së vendit  dhe refuzimit të bërë vijuan përgatitjet për themelimin e LSI-së.

Ky aksion politik kulmoi me themelimin e LSI-së më 6 shtator 2004, me iniciativën e mbi 500 firmëtarëve, ku bënin pjesë deputetë, intelektualë nga mjaft fusha dhe mbështetës nga të gjitha shtresat e jetës së vendit.

Në prillin e vitit 2005, LSI-ja organizoi për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar zgjedhjet brenda partisë sipas parimit “Një anëtar, një votë” dhe z. Ilir Meta është i pari kryetar i një partie politike në Shqipëri i zgjedhur sipas këtij parimi.

LSI-ja vetëm pak muaj më vonë mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të majit 2005, ku fitoi 5 vende në Kuvendin e Shqipërisë dhe ku vendosi të qëndronte në opozitë. Më pas në zgjedhjet për Pushtetin Vendor në vitin 2007, LSI mori pjesë në to në aleancë më PS-në dhe ku në rezultatin e saj si forcë politike përsëriti rezultatin e vitit 2005, duke treguar qëndrueshmëri të madhe si dhe duke demonstruar një profil politik dhe elektoral të konsoliduar  si forca e tretë politike më e rëndësishme në Shqipëri. Në zgjedhjet e vitit 2009, LSI-ja mori pjesë në kushtet e konkurrimit me një Kod Zgjedhor thellësisht penalizues dhe antidemokratik, kod ndaj, të cilit LSI-ja kishte protestuar fort, duke organizuar edhe një grevë urie në sallën e Parlamentit shqiptar me pjesëmarrjen e deputetëve të saj si dhe të disa partive të tjera që e refuzonin një kod të tillë. Në përfundim të zgjedhjeve LSI-ja fitoi 4 vende në Kuvendin e Shqipërisë. Në gusht të vitit 2009, LSI-ja nënshkroi një marrëveshje bashkëqeverisjeje me Partinë Demokratike, duke evituar një krizë tepër të rëndë për vendin dhe për procesin e integrimit duke evituar kaosin si dhe duke siguruar ecjen përpara të procesit të integrimit. Bashkëqeverisja me PD-në realizoi një objektiv madhor dhe të ëndërruar gjatë në dhjetëra vite prej shqiptarëve, atë të lëvizjes së lirë pa viza në të gjithë hapësirën Shengen dhe duke çliruar shqiptarët nga izolimi shumëvjeçar që i ndante ata nga Europa.

LSI-ja mori pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2011 në koalicion me PD-në, duke shënuar një rritje tepër të rëndësishme elektorale, duke siguruar mbështetjen e mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët vlerësuan më votën e tyre shumë pozitivisht veprimet konstruktive dhe në interes të vendit, të ndërmarra nga LSI-ja.

LSI-ja ka qenë dhe mbetët një parti e majtë, me një profil të fortë europian, që integrimin dhe hapjen e vrullshme të vendit drejt Europës dhe bashkëpunimin intensiv me Bashkimin Europian dhe NATO-n i ka konsideruar të një rëndësie jetike dhe të patjetërsueshme për prosperimin e vendit dhe për krijimin e një perspektive zhvillimi ekonomiko-social afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Në zgjedhjet e vitit 2013, LSI-ja nënshkroi një marrëveshje parazgjedhore me Partinë Socialiste, duke arritur një fitore të paparashikuar, duke fituar 20 deputetë në Parlamentin shqiptar. Në bashkëpunim me PS-në, ajo ka siguruar ecjen përpara të procesit të integrimit, duke marrë Statusin e Vendit kandidat për BE. Aktualisht, kjo Parti është forca e tertë politike në vend me 20 deputetë në Parlament, duke dëshmuar vitalitetin e saj. Sukseset e Partisë i takojnë në radhë të parë drejtuesit të saj z. Ilir Meta, i cili me mençuri, me gjakftohtësi dhe me diplomaci koherente ka mundur ta drejtojë atë realisht duke njohur vetëm rritje në elektorat dhe në numrin e deputetëve në Parlament. Edhe si Kryeministër, edhe si Kryetar i Parlamentit, z. Meta ka ditur të jetë një politikan modern, i emancipuar dhe plot vitalitet. Ai ka ditur të marrë rreth vetes intelektualë të aftë dhe korrektë, të cilët kanë drejtuar me profesionalizëm në postet që u janë drejtuar.

Fatos Klosi-ish themelues i LSI-së

Sot pas 10 vjetësh po shikoj se kjo parti ishte e nevojshme të krijohej në ato momente të caktuara të politikës shqiptare. Lindi si një parti e vogël me tre deputetë dhe sot shikon se në Parlamentin Shqiptar, nga gjiri i saj ka plot 20 deputetë. E thashë ishte e domosdoshme krijimi i një partie të re, pasi e majta shqiptare po kalonte në krizë. Mua më vjen mirë që kjo parti u bë sot një parti e rëndësishme dhe forca e tretë politike në vend. Sot ajo është pjesë e rëndësishme e qeverisjes së vendit  dhe influenca e saj është e rëndësishme në jetën politike të vendit. Është një parti që e ka zgjeruar influencën e vet gjë që e dëshmuan zgjedhjet e fundit parlamentare. Personalisht edhe pse isha në grupin nismëtar të krijimit të saj, largimi im erdhi për arsye se nuk kisha një mendje me drejtuesit e LSI. Këto janë të natyrshme në politikë dhe unë bëra zgjedhjen time.

   Bardhyl Fico-shkrimtar

 LSI-ja është një parti me vlera, e cila ka treguar qëndrueshmëri dhe rritje nga zgjedhje në zgjedhje. Aleanca e fundit me PS-në, tregoi se është një parti e cila di të bëjë politikë në interesa të fateve të atdheut. Aleanca me PS-në ishte vendimi i saj më i drejtë, i cili ka dhënë frytet e veta. Sfida e parë e qeverisë PS-LSI, ishte çështja e armëve kimike, ku dhe pse e papërgatitur kjo aleancë veproi me gjakftohtësi, korrektësi dhe në interes të popullit të vet. Të gjithë ishin skeptikë për arritjet e kësaj aleance, por koha tregoi të kundërtën. Marrja e Statusit të vendit Kandidat për BE, Takimi Rajonal i Ballkanit, samiti i fundit i NATO-s treguan se kjo qeverisje ka përkrahje nga organizmat ndërkombëtarë. Kjo qeveri është qeveri e punës dhe jo e brohoritjeve boshe.

 Sot, LSI, për mua nuk është thjesht parti, por një familje e dytë

10 vjet LSI, për mua janë të mbushura me punë dhe emocion në çdo moment, plot sfida dhe vështirësi, të cilat dukeshin të pamundura, por ne punuam për t’ i bërë realitet. Vite me plot energji rinore, që përcillnin solidaritet, punë në ekip që janë dhe thesari më i madh i LSI. Janë vitet më të bukura të rinisë time, që kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në Erisën që jam sot.

Nëpërmjet LSI-së, pata fatin të takoj shumë njerëz në gjithë Shqipërinë, nga të cilët mësova shumë dhe me të cilët u rrita. U njoha më shumë dhe punova intensivisht  me Ilir Metën, Monën etj., dhe kaluam së bashku shumë momente të vështira dhe të bukura në opozitë. Opozita ishte sa e vështirë aq dhe koha, ku unë bashkë me shumë të tjerë miq u formuam dhe filluam të mësojmë çfarë është politika.

Është një periudhë prove, që çdo politikan i ri duhet ta kalojë për t’u formuar si karakter dhe si një eksperiencë shumë e rëndësishme për të ardhmen e tij. Në LSI kam pasur gjithmonë hapësirë për të qenë vetvetja dhe realizuar çdo gjë që mendoja se është e drejtë dhe parimore. Sot, LSI, për mua nuk është thjesht parti, por një familje e dytë me të cilët kam kujtime të paharrueshme dhe me të cilët sfida të tjera më presin.