LSI si SHBA dhe BE, Gjosha: Dënojmë dhunën në Kuvend dhe dhunën ndaj Kushtetutës

442
Lëvizija Socialiste për Integrim i është kundërpërgjigjur me finesë, qendrimit të ambasadorëve të SHBA dhe BE, të cilët ekonsideruan dhunë, protestën e djeshme të opozitës në Kuvend kundër zgjedhjes së Prokurores së përkohshme.
Gjosha: Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave, dënojmë dhunën e ushtruar ndaj deputetes Kejdi Mehmetaj si dhe tërheqjen me forcë që ju bë deputetes më të re në Kuvendin e Shqipërisë, Floida Kërpaçi

Gjosha: Dënojmë marrjen peng të Reformës në Drejtësi asaj reforme te e cila besuan të gjithë qytetarët shqiptarë.
Dëshiroj të falenderoj sot ato mijëra qytetarë shqiptarë nga e gjithë vendi që dje qëndruan në krye të një proteste të jashtëzakonshme dhe kryesisht dua të falenderoj ato gra dhe vajza që treguan një vendosmëri të madhe përballë një partie shtet dhe dua të them sot se realisht pa ata qytetarë shqiptar opozita shqiptare do ta kishte realisht shumë të vështirë të qëndronte e fortë brenda Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu mbështesim plotësisht të gjitha deklaratat e bëra nga përfaqësitë e huaja diplomatike në vend, të cilat dënojnë dhunën e ushtruar në Kuvendin e Shqipërisë. Unë dua të theksoj sot para jush se ne jo vetëm I mbështesim, po dënojmë njësoj si ata me shumë forcë dhunën e ushtruar ndaj Kushtetutës së Shqipërisë si udhërrëfyesi kryesor të funksionimit të një shteti. Dënojmë marrjen peng të Reformës në Drejtësi asaj reforme te e cila besuan të gjithë qytetarët shqiptar. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave, dënojmë dhunën e ushtruar ndaj deputetes Kejdi Mehmetaj si dhe tërheqjen me forcë që ju bë deputetes më të re në Kuvendin e Shqipërisë, Floida Kërpaçi. Madje duke e gjakosur atë. Britmat e një nëne që tërhiqej në mes të turmës nga policia e shtetit. Dënojmë marrjen në rajon të disa vajzave të reja që protestonin krejt paqësisht në Rinas. Dhe këtu dua t’i rikujtoj Kuvendit të Shqipërisë që vetëm para pak ditësh ne votuam dhe duartrokitëm të gjithë së bashku një Rezolutë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, që kjo rezolutë të mos mbetet vetëm në letër. Unë realisht e uroj këtë dhe të gjithë së bashku të fillojmë të kuptojmë që kjo Rezolutë tashmë duhet të fillojë të zbatohet. Dhe ky është një rast që do të ishte edhe treguesi më i mirë, se si do të mund të zbatohej dhe të dënohej fort dhuna e ushtruar ndaj grave dhe vajzave gjatë ditës së djeshme. Dënojmë gjithashtu fyerjen dhe përdorjen që ju bë dje një gruaje, që u zgjodh me vota të paligjshme në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, duke e detyruar atë të bëhej pjesë e një loje të shëmtuar të kryeministrit, I cili dje përveçse këtij posti emëroi sërish veten e tij në krye të këtij institucioni. Ne jemi të vendosur në kauzën tonë për një drejtësi të pavarur, për ndërtimin e një Shqipërie të lirë nga diktatura verbale, por edhe ajo e kartonave që përdoren me arrogancë në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të vazhdojmë misionin tonë nëpërmjet gjithë mjeteve demokratike dhe ligjore për tja kthyer Shqipërinë gjithë qytetarëve shqiptarë. 
Sigal