LSI, Shqipëria në votime, Rilindja dhe Policia e Çakos të lidhur me krimin

452
Ngjarjet në ditën e votimit, rast pas rasti nga orët e para të mëngjesit deri në mbyllje të tij. Sulmet edhe këtë ditë u drejtuan ndaj LSI-së në zonat më të forta
Në orën 07:00 të ditës së djeshme, qytetarët iu drejtuan qendrave të votimit për të zgjedhur alternativën e tyre, me të cilën do të përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë. Por kjo ditë, ndonëse nisi e qetë në dukje, u shoqërua me ngjarje të rënda. Ashtu sikundër në ditën e heshtjes zgjedhore, ku forca të errëta të Rilindjes punuan kundër LSI-së, edhe gjatë ditës së djeshme, ku votimi me vendim të KQZ-së u zgjat me një orë, pra nga ora 19:00 deri në 20:00, incidentet kanë qenë të shumta. Ato janë denoncuar rast pas rasti nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por nuk është vetëm kjo. Në këtë ndërmarrje të rrezikshme, forcat kriminale kanë pasur edhe përkrahjen e Policisë së Shtetit dhe të Rilindjes. Ndonëse në të gjitha rastet e denoncuar nga LSI, policia ka dalë me deklaratë shoqëruese, në asnjë prej tyre nuk ka thënë motivin e vërtetë dhe forcën politike, të cilës i përket personi dhunues. Në këto zgjedhje ka pasur edhe të shtëna me armë. Ka qenë një nga qendrat e votimit në Lezhë, ku një prej simpatizantëve të PS-së ka qëlluar me armë në drejtim të mbështetësit të LSI-së. Reagimet ishin të menjëhershme. Nga Lezha, Korça, Delvina, Konispoli, Shijaku, Lushnja, vijnë të dhëna se gjatë gjithë ditës së djeshme, mbështetës të PS-së kanë pasur si detyrë blerjen e votës. Janë gjetur zona dhe fshatra, ku gjendja ekonomike e banorëve është dukshëm e rënduar. Janë bërë presione të vazhdueshme. Janë kërcënuar me jetë, komisioner të LSI-së. Në gjithë vendin, dita e djeshme ka qenë një sulm i hapur që PS-ja ka bërë ndaj LSI-së
Ngjarja në Shëngjin
Ora 10:15: Të shtëna me armë zjarri dhe një simpatizant i LSI-së i dhunuar, ky është incidenti më i rëndë i këtyre zgjedhjeve, i regjistruar pranë një Qendre Votimi në Shëngjin. Pas të shtënave, persona të identifikuar si militantë të Partisë Socisliste kanë dhunuar fizikisht një simpatizant të LSI-së. Në një qendër votimi u qëllua në drejtim të simpatizantit të LSI-së Florian Dushku. Ky sulm, sipas përfaqësuesve të LSI-së, dhe provave të ardhura nga vendi i ngjarjes, ishte inskenuar nga Rilindja. Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama dhe kandidati për deputet në Lezhë, Viktor Tushaj, thanë se Florian Dushku u godit nga njerëz të Rilindjes. Ndërsa presidenti i ardhshëm z.Ilir Meta hodhi akuza direkt në drejtim të kryeministrit Edi Rama, të cilin e quajti kryesadist të lidhur me krimin. 
Skandali në Shëngjin, policia arreston militantët e PS-së 
Më datë 25.06.2017, rreth orës 10:15 është marrë njoftim se në rrugën kryesore midis shkollës 9- vjeçare Shëngjin dhe lokalit restorant “Detari” në Shëngjin ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar 1 gëzhojë. Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka qenë i çastit midis shtetasit F. D. 27 vjeç, dhe personave të tjerë për të cilët po punohet për identifikimin e tyre. Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë , vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të ngjarjes. Procesi i votimit vijon normalisht.
Njoftimi i fundit i policisë
Më datë 25.06.2017 rreth orës 10:15, është marrë njoftim se në Shëngjin – Lezhë , përpara ambienteve të restorant “Detari” ka pasur një konflikt midis disa personave dhe se është qëlluar me armë zjarri. Me të marrë njoftimin, nga ana jonë është formuar grupi hetimor, është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Task Forcës pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, janë kryer të gjitha veprimet hetimore e proceduriale për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani, ka rezultuar se ka qenë një konflikt midis dy grupe personash, i cili fillimisht ka nisur si debat verbal e më pas ka agravuar në konflikt fizik e me mjete të forta mes tyre, si dhe njëri prej personave të përfshirë, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Si pasojë e këtij konflikti ka mbetur i dëmtuar lehtë në kokë shtetasi F. D. 28 vjeç, banues në Shëngjin – Lezhë. Nga kryerja e veprimeve hetimore e proceduriale, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, shtetasit, G.M. 25 vjeç, banues në Lezhë, S. N. 19 vjeç, banues në Lezhë, dhe D. N. 20 vjeç , banues në Lezhë. Po kështu në vijim të veprimeve të kryera për këtë ngjarje , është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Aleksandër Ujka, 54 vjeç, banues në Shëngjin – Lezhë. Arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi u bë për veprën penale të parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” pasi nga analizimi i pamjeve filmike të sekuestruara në restorantin në pronësi të këtij shtetasi, janë vërejtur ndërhyrje dhe fshirje të pamjeve filmike të regjistruara në intervalin kohor kur ka ndodhur ngjarja. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë arme zjarri, një automjet i tipit Benz si dhe dy shkopinj prej druri. Janë marrë, administruar dhe po analizohen, pamjet filmike të kamerave të sigurisë të vendosura nga subjekte të ndryshme tregtare, të cilat mendohen se kanë filmuar ngjarjen e ndodhur. Vazhdojnë hetimet për të bërë të mundur kapjen e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, si dhe sqarimin e plotë të fakteve, rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet hetimore e proceduriale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, mbi bazën e neneve 278 / 274 /301 dhe 329 te Kodit Penal për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”
Sigal