LSI (sërish kundër qeverisë) për rritjen e Sigurimeve Shoqërore për profesionet e lira

433
Mazhoranca e Majtë, në numra kartonësh në parlament është në shumicë absolute, me 84 vota, mirëpo, marrëdhëniet PS-LSI kanë marrë jo thjesht plasaritje, sidomos pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, por shumë herë LSI ka kundërshtuar fort edhe vetë projektligjet që ka ndërmarrë qeveria, sidomos në politikën ekonomike, në ato projektligje që kanë të bëjnë me politikën fiskale. Fillimisht LSI nuk kishte për taksën progresive. LSI kundërshtoi fort edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kishin të bënin me ashpërsimin e masave kundër biznesit, në raste kur ka shkelje administrative, aq sa kryeministri Rama u detyrua që të bëjë lëshime ndaj biznesit të vogël. LSI kundërshtoi edhe politikën e ministrit Beqaj, për të shkurtuar vendet e punës. Këto kundërshti të LSI për shumë projektligje të qeverisë dëshmojnë se kryeministri, së bashku me ministrat socialistë shumë projektligje i hartojnë pa u konsultuar fare as me aleatin e tyre më të madh në qeverisje me LSI, por shpeshherë ndjekin procedurën e faktit të kryer, duke i kërkuar LSI që thjesht të ngrejë dorën e të votojë në parlament ligjet që PS i harton, sipas politikave të saj. Mirëpo, LSI nuk mund të marrë përsipër, me votat e saj në Parlament, edhe koston politike dhe sociale që kanë shumë projektligje të qeverisë “Rama”, ndaj shumë herë, ka kundërshtuar dhe në rastet kur nuk ka pasur reflektim nga qeveria, deputetët e LSI nuk i kanë votuar në Parlament ligjet që bien ndesh me politikën e tyre. Rasti më flagrant është edhe drafti për reformën në Drejtësi, që u dërgua në Komisionin e Venecias, ku Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi nuk bashkëpunoi me LSI, saqë LSI ka dërguar draftin e saj, paralelisht në Komisionin e Venecias. 
Petrit Vasili: Mos rrisni Sigurimet Shoqërore për profesionet e lira
Qeveria ka përgatitur një projektligj, sipas të cilit, të gjithë që ushtrojnë profesionin e lirë, do të paguajnë nga 1 janari 2016 sigurime shoqërore, duke u bazuar në nivelin më të lartë të pagës dhe jo si deri tani, që paguajnë për sigurime shoqërore bazuar mbi pagën më të ulët. Edhe më para, ky projektligj u kundërshtua fort nga të gjitha shoqatat e profesioneve të lira, mirëpo qeveria nuk u tërhoq. Dje, ky projektligj u diskutua edhe në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ka kundërshtuar ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore të profesioneve të lira, pikërisht nivelin e pagesës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj, duke shkuar në një linjë me grupet e interesit. “Të mbahen si referencë pagat në shtet. Pse bëjmë një diskriminim të tillë?”, tha Vasili gjatë fjalës së tij. Përfaqësuesi i ISSH-së në komision, Ali Emini tha se,, paga maksimale është caktuar nga qeveria dhe se kontributet do të paguhen në bazë të të ardhurave. “Kontributi do ketë referencë sektorin publik. Paga minimale dhe maksimale e përcaktuar me VKM”,- shtoi ai. Janë 17 profesione të lira aktualisht, si farmacistët, dentistët, noterët, avokatët, arkitektët, inxhinierët, ekspertët kontabël etj. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes për tatimpaguesit e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale. Një i vetëpunësuar paguan kontribute për sigurimin shëndetësor, me normën prej 3,4%, bazuar në dyfishin e pagës minimale që është 44 000 lekë, si dhe paguan kontribut shoqëror mbi pagën minimale, me normën prej 23%. Dhoma e Avokatisë dhe dentistët kanë kundërshtuar vendosjen e detyrimit për të paguar kontributet mbi bazën e pagës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj.
Sigal