LSI: Reforma në drejtësi, duhet konsensusi i PD

50
Lëvizja Socialiste për Integrim insiston që reforma në drejtësi, e cila do të pasohet me ndryshime të Kushtetutës të realizohet përmes një konsensusi politik mes palëve, vecanërisht me Partinë Demokratike.
Manjani është i mendimit se reforma në drejtësi kapërcen afatet e një mandati qeverisës dhe në kushte të tilla përfshirja e politikës në këtë proces është e detyrueshme.
“Një tryezë politike e përbashkët që do të ndihmonte vendimmarrjen, do të uleshin për të rënë dakord për konceptin dhe pastaj mbi këtë koncept të punojnë ekspertët. Udhëheqësit që janë në pushtet e kanë detyrë të ulen dhe të bashkëpunojnë në emër të dickaje të përbashkët që e tejkalon politikën”, tha nënkryetari i LSI-së.
Në vijim Manjani vlerëson punën e bërë nga Partia Demokratike dhe propozimet e saj në lidhje me reformën në drejtësi, duke i cilësuar ato si serioze. “Partia Demokratike ka bërë një punë serioze duhet ta pranojmë, ka një përvojë dhe ato që kanë paraqitur në draftin e tyre janë për tu diskutuar të gjitha. Ndaj po insistojmë në një proces politik. Është momenti që liderët politik të ulen bashkarish dhe të bien dakord në disa piketa. Drafti aktual është paraprak, nuk është ende projekti që mund të ulte palët në një tryezë, PD-në mbi të gjitha e cila ka një përvojë të jashtëzakonshme të cilën nuk kemi pse ta mohojmë. Drafti u bë nga ekspertët sepse duhej të kapej axhenda e Komisionit të Venezias. Drafti i parë nuk është gjithcka, duhet krasitur mirë nga pikëpamja ligjore.”, tha Manjani.