LSI: Qeveri e besimit për të garantuar zgjedhje të gjithëpranuara

622
Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim vë në dispozicion të zgjidhjes politike mandatin e Metës dhe të ministrave

LSI: Qeveri e besimit për të garantuar zgjedhje të gjithëpranuara

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi, se Shqipëria ka nevojë për një qeveri të besimit për të garantuar zgjedhje të gjithëpranuara. Kryesia e LSI-së, e mbledhur mbrëmjen e djeshme, u dha fund dilemave të qarkulluara pas një takimi mes Ramës e Metës të shtunën. Partia e drejtuar nga Meta bëri të ditur, se ka vendosur të vërë “në dispozicion të zgjidhjes politike në vend të gjitha mandatet e saj politike, që nga mandati i Kryetarit të Kuvendit, mandatet e ministrave të saj, si edhe të gjithë postet politike të përfaqësimit të saj”.

Deklarata e plotë
“LSI deklaron se vendi në këto momente ka nevojë në mënyrë të veçantë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithë-pranuara nga të gjithë, e cila do të garantojë mos-përfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe në veçanti të Policisë së Shtetit. Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi analizoi me përgjegjësi të lartë situatën aktuale politike që po kalon vendi, vlerëson për krizën politike dhe çështjen e zgjedhjeve se situata në politikë është tejet e tensionuar. Reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi janë të bllokuara. Ndërkohë që konstatojmë një rënie të dukshme të besimit të qytetarëve tek politika dhe institucionet. Retorika politike, agresive, provokative dhe konfliktuale po dominon zhvillimet dhe sjelljen politike. Në këto kushte, është imperative dialogu urgjent dhe zgjidhja politike. Çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura, të pa kontrolluara dhe me pasoja të paparashikueshme.Vlerësojmë se Kryeministri Rama dhe Kryetari i Opozitës z. Basha, duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale. Vlerësojmë iniciativën e z. Shpëtim Idrizi ditët e fundit si një përpjekje konkrete për fillimin e dialogut dhe si një nxitje për zgjidhjen e krizës. LSI deklaron se vendi në këto momente ka nevojë në mënyrë të veçantë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithë-pranuara nga të gjithë, e cila do të garantojë mos-përfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe në veçanti të Policisë së Shtetit. Garantimin e një lufte të ashpër dhe pa asnjë kompromis ndaj fenomenit të drogës. Dhe çdo përpjekje për financime kriminale dhe të paligjshme të zgjedhjeve. Si edhe garantimin dhe realizimin e plotë, të thellë dhe transparent të procesit të dekriminalizimit. Realizimi i reformës zgjedhore është po kështu një kusht i domosdoshëm dhe një detyrim ende i pa përmbushur dhe i pakapërcyeshëm si një garanci e pa tjetërsueshme për realizimin e zgjedhjeve me standarde më të larta, për realizimin e një gare zgjedhore me kushte të barabarta për të gjitha partitë. Duke vlerësuar sa më lart, LSI, për këtë qëllim, vendos të vër në dispozicion të zgjidhjes politike në vend të gjitha mandatet e saj politike që nga mandati i Kryetarit të Kuvendit, mandatet e ministrave të saj, si edhe të gjithë postet politike të përfaqësimit të saj. Lidhur me çështjen e koalicionit, LSI është e hapur ta afirmojë përzgjedhjet e ardhshme politike koalicionin me Partinë Socialiste bazuar në arritjet e deritanishme të koalicionit aktual, por edhe të reflektimit serioz për mënyrën e funksionimit të këtij koalicioni, si edhe analizës së objektivave të parealizuara ende. Por nëse lidershipi i Partisë Socialiste, nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale dhe vullnet politik për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën, që ajo të jetë pjesë e procesit zgjedhor, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë, por as edhe një farse elektorale të mundshme. LSI është e qartë dhe ka qenë gjithmonë e qartë që midis të majtës dhe të djathtës, zgjedh të majtën. Midis zgjedhjeve demokratike dhe farsës elektorale pa asnjë diskutim zgjedh vetëm zgjedhjet demokratike. Ashtu sikurse midis demokracisë dhe diktaturës, zgjedh vetëm demokracinë. Midis kaosit dhe stabilitetit, zgjedh vetëm stabilitetin e vendit. Ndaj çdo vazhdim e zhvillim i këtij konflikti që përshkallëzon krizën, jo vetëm që bllokon edhe reformën në drejtësi dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, por krijon edhe boshllëk të rrezikshëm institucional, pasi shumë prej institucioneve të drejtësisë, të cilat do të duhet të zëvendësohet nga institucionet e reja, po u vjen mbarimi i mandatit të tyre. Gjë që krijon jo vetëm një vakum dhe një boshllëk të jashtëzakonshëm institucional, por që krijon edhe rrezikun e deligjitimimit të gjithë institucioneve në vend dhe të gjithë sistemit demokratik të vendit tonë. Ndaj, besojmë dhe shpresojmë në angazhimin e të gjithë faktorëve dhe aktorëve të tjerë, në veçanti të Kryeministri Rama dhe të Kryetarit të opozitës z. Basha për të gjetur sa më shpejt një zgjidhje që vendi të shkojë në mënyrë më të denjë drejt zgjedhjeve të qeta, të ndershme dhe demokratike si edhe të hedhë një hap të rëndësishëm përpara në forcimin e institucioneve, të besimit tek institucionet dhe t’i japë një hov cilësor të gjithë reformave, që presin qytetarët tanë, por që pret edhe momenti i çeljes së negociatave për në BE”.
Kryetari i LSI-së shpjegon qëndrimin e partisë së tij dhe marrëdhënien me kryeministrin e darkën e së shtunës
Meta: Rama duhet t’i japë besim opozitës për zgjedhje

Vetëm pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, Ilir Meta shpjegoi qëndrimin e partisë së tij për krizën politike ku ndodhet vendi. Kryeparlamentari foli për një mosbesim të thellë mes palëve dhe shpjegoi pse LSI i ofronte PD-së mandatet e saj në qeveri, përfshi edhe vetë postin e Metës.

Zoti Meta: Çfarë nënkuptoni me qeveri të besimit. A është një formë e qeverisë teknike kjo?
“Qeveri e besimit për ne nuk duhet parë si çështje forme, por duhet parë si çështje përmbajtjeje. Pra edhe kjo qeveri kështu siç është mund të jetë qeveri e besimit, nëse jep garancitë e duhura dhe merr angazhimet e duhura për të realizuar ato objektiva që unë përmenda pak më parë. Pra, të garantojë që administrata publike të mos jetë në presion për të bërë vota dhe as të mbledhë vota në mënyrë jodemokratike dhe të parregullt. Do të thotë që Policia e Shtetit, jo vetëm të jetë asnjanëse, për sa i takon anës politike, por nuk mjafton kaq. Duhet të jetë tepër aktive në luftën kundër fenomenit të drogës dhe krimit të organizuar dhe rrezikut të financimit kriminal të zgjedhjeve, të blerjes së votave, e kështu me radhë. Sigurisht edhe të gjitha garancitë e tjera që duhen në një vend demokratik. Ne si LSI vëmë në dispozicion të gjitha mandatet tona, mandatet e ministrave tanë, mandatin e Kryetarit të Kuvendit për një zgjidhje politike dhe kjo nuk do të thotë se kemi një formulë të caktuar apo të paragjykuar. Thjesht ne kemi dëshirë, kemi vullnet që t’u themi të gjithëve që duhet të reflektojmë sa më shpejt përpara se të kalojnë edhe disa afate të tjera, të cilat mund të fusin në një krizë akoma më të thellë dhe më të pamenaxhueshme se sa tani”.

Meqë folët për afate z. Meta, a mendoni se ka kohë kjo qeveri, nëse mund të jetë edhe kjo qeveri, që deri më 18 qershor t’i japë të gjitha këto garanci që ju flisni që këto zgjedhjet të jenë me standarde, të lira dhe të gjithëpranuara?
“Garancia e parë është ndryshimi i retorikës nga ana e qeverisë dhe drejtuesve të qeverisë mendoj unë. Nëse nuk mund të kritikoj – edhe mund ta kritikoj opozitën, por mund t’ia pranojmë apo tolerojmë retorikën e saj shpesh të papërgjegjshme – për sa i takon qeverisë dhe përfaqësuesve të saj, çdo retorikë konfliktuale në këtë drejtim, për sa i takon raportit me zgjedhjet është e papranueshme, sepse dihet që përgjegjësitë kryesore në vend i ka maxhoranca, e ka qeveria. Dhe nuk duhet vendosur opozita në ato kushte kur nuk ka se çfarë të humbasë dhe në kushtet të tilla mund të shkojë drejt veprimeve që nuk ndihmojnë as opozitën, as demokracinë dhe as vendin për të hedhur një hap përpara në forcimin e institucioneve dhe në besimin te zgjedhjet e lira. Kemi parasysh që zgjedhjet nuk janë pronë as e pozitës, as e opozitës, zgjedhjet janë dhe duhet të jenë pronë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Është detyrimi ynë që t’u japim mundësi atyre të shkojnë të qetë dhe larg çdo presioni dhe imponimi jo demokratik. Në këtë mënyrë t’i japim legjitimitet qeverisë së ardhshme, t’i japim legjitimitet opozitës së ardhshme dhe të forcojmë të gjithë institucionet e vendit”. 

A mund të na e shpjegoni më qartë se çfarë kuptimi ka dorëzimi i mandateve?
“Ne vëmë në dispozicion mandatet tona, që do të thotë më konkretisht: në rast se PD mendon se këto mandate janë të mjaftueshme që ajo të ketë një rol më ndikues në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve, për aq sa mund të ketë një rol qeveria apo një rol le të themi kontrollues apo balancues, ne këto mandate do t’i japim me shumë kënaqësi PD-së”.

Do t’i bashkoni me opozitën?
“Jo, nuk do i bashkojmë me opozitën, por në kushtet e mosbesimit të thellë që ka opozita ndaj kësaj qeveria ndoshta kjo do të ishte një mënyrë për t’i dhënë një lloj qetësie, sigurie dhe besimi se ajo mund të ketë një rol në këtë proces, duke filluar nga Ministria e Drejtësisë dhe ministritë e tjera, sipas vlerësimit tonë”.

Qeveria e Besimit në zgjedhje e parashikon z. Rama si Kryeministër apo e përjashton atë?
“Padyshim që e presupozon z. Rama, por për këtë ai duhet të punojë që t’i japë besim opozitës për zgjedhje”.

A jeni në komunikim me ndërkombëtarët për këtë lëvizje, pra për Qeverinë e Besimit?
“Ky është një qëndrim ekskluziv i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për sa i takon rolit të ndërkombëtarëve, duke pasur respektin më të madh për ta, unë mendoj që asnjë qytetar i Shqipërisë nuk duhet të ketë iluzion se ndërkombëtarët do të mund të angazhohen këtu pa dalë tymi lart. Dhe tymi lart del kur fillon flaka poshtë. Kështu që mos prisni Vranickin pa ndodhur një konflikt serioz dhe tronditës për ne dhe për të tjerët. Ju e dini që komuniteti ndërkombëtar ka halle shumë më të mëdha, edhe në vendet fqinje me ne, por edhe në vende të tjera jo larg nga edhe kudo tjetër. Kjo është një çështje dhe një përgjegjësi e jona. Ky është vendi ynë, këta janë qytetarët tanë. Ata duet të kenë mundësi të shkojnë të votojnë në një mënyrë mjaft demokratike sepse u bënë 27 vite dhe ne vazhdojmë historinë e zgjedhjeve që do të vidhen, që do të blihen, që do të manipulohen. Dhe ky është një turp i madh për një vend që pretendon të hapë negociatat me Bashkimin Evropian, për një vend që prej vitesh është anëtar i NATO-s. Kështu që është detyra jonë të gjejmë zgjidhje, të japim zgjidhje”.

A ia dhatë këto qëndrime z. Rama në darkën e mbrëmshme?
“Darka ka qenë informale. Ne shkëmbejmë mendime vazhdimisht për çështje të ndryshme. Këto janë qëndrime ekskluzive të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Keni kaq kohë që na çmendet me pyetjet tuaja se çfarë mendojmë ne për zgjedhje apo se çfarë mendojmë ne për koalicionet apo jo?”

Këto janë qëndrime ekskluzive që vendosin fatin e Qeverisë Rama apo jo?
“Këto nuk kanë të bëjnë me fatin e Qeverisë Rama apo Qeverisë Rama-Meta. Këto kanë të bëjnë me fatet e vendit”.

A keni përcaktuar afate z. Meta për qëndrimet që do të mbajë opozita dhe z. Rama? Deri kur do t’i prisni këto qëndrime?
“Ne shpresojmë dhe jemi në kohë. Sepse afatet e skadencave për regjistrimin e partive dhe të koalicioneve kanë ende kohë. Ne kemi këtë qëndrim sot dhe e bëjmë publik sot sepse nuk duam që të shtyhet çdo lloj zgjidhje në afatet ekstreme sepse ato janë gjithmonë zgjidhje të deformuara, të cilat në vend që të sjellin standarde më të larta thjesht reduktojnë pasojat e krizave që përshkallëzohen. Dhe ne besojmë se duhet të nxjerrim të gjithë mësime nga ato që kanë ndodhur më përpara në vendin tonë. Dhe në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë demokratike, në mënyrë racionale të japim një zgjidhje që t’i japim mundësinë shqiptarëve të votojnë të lirë e të qetë, dhe t’u japim qetësi biznesit, sipërmarrjes vendase, investitorëve të huaj, partnerëve ndërkombëtarë, fqinjëve që Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend edhe më demokratik, edhe me i stabilizuar dhe padyshim me institucione edhe më legjitime”.

Dhe nëse z. Rama dhe z. Basha nuk tërhiqen brenda këtyre afateve që ju thoni, çfarë do bëjë LSI-a?
“Unë nuk dua të paragjykoj. Besoj se deklarata jonë i thotë të gjitha. Unë besoj se të gjithë e duan këtë vend, besoj se të gjithë e duan demokracinë pavarësisht nga vendimet dhe interesat ndonjëherë të ndryshme, por çështja e zgjedhjeve është një çështje që u takon të gjithë shqiptarëve, nuk është një çështje që i takon as vetëm maxhorancës dhe as vetëm opozitës dhe në këtë drejtim ne duhet të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të shkojnë të qetë në një klimë konstruktive dhe ne të hedhim një hap të madh përpara”.

Nëse Kryeministri Rama nuk do ta pranojë ofertën e LSI-së, z. Meta, çfarë do të ndodhë, sepse ai dhe z. Tahiri dhe z. Ruçi kanë qenë të vendosur që më 18 qershor do të ketë zgjedhje, me apo pa koalicion me LSI-në?
“Sikurse e tha z. Luan Rama, ne i vëmë këto mandate në dispozicion dhe ky është një akt shumë i sinqertë për të dhënë mesazhin që secili duhet të lërë diçka për këtë zgjidhje politike në mënyrë që shqiptarët të fitojnë qetësinë që u duhet, normalitetin që u duhet, që demokracia të mos hyjë në një qorrsokak pa kthim, por të hedh një hap madhor përpara, historik që ta mbyllim njëherë e mirë këtë çështjen e zgjedhjeve të kontestuara, të diskutueshme, sepse është absurde të flasim për reforma të tjera kur ne nuk garantojmë dot dhe nuk kemi vullnetin dhe nuk bëjmë sakrificën më të vogël për zgjedhje normale dhe demokratike në vendin tonë. Pra, ky është mesazhi besoj”.

Ka ndonjë plan qëndrimi juaj për shtyrjen e zgjedhjeve?
“Unë besoj se ky qëndrim dhe kjo deklaratë është e mjaftueshme për të sqaruar qëndrimin e LSI-së, përgjegjshmërinë e LSI dhe ne shpresojmë që të gjithë ta lexojnë këtë në mënyrë realiste dhe të përgjegjshme dhe secili të reflektojë që të arrijmë qëllimin e përbashkët që vendi ynë të tregojë që është një vend që meriton të çelë negociatat me Bashkimin Evropian dhe këtë nuk mund ta meritojë kurrsesi në rast se nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje normale, zgjedhje të barabarta, zgjedhje demokratike. Dhe kjo është një përgjegjësi e maxhorancës, është një përgjegjësi edhe e opozitës. Duhet të gjithë të përgatiten për të bërë lëshimet e duhura për këtë interes madhor për gjithë vendin”.

Duke qenë se ju i bëtë ftesë të gjitha palëve, duket sikur roli juaj është si ai i një Presidenti të Republikës. A e synoni ju këtë dhe a është diskutuar me kryeministrin Rama për këtë çështje?
“Absolutisht, ne jemi këtu në emër të LSI-së. Keni kaq kohë që ta prisni dhe na kërkoni t’ju japim përgjigje. Besoj se përgjigjet tona janë shumë të qarta edhe për krizën edhe për çështjen e koalicioneve”.
Sigal