LSI për protestën: Dy rrugët e mbetura, ose ikin shqiptarët nga Shqipëria, ose Edi Rama nga qeveria

438
Kryemadhi: Ose të largohen shqiptarët, ose Edi Rama
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh nga Berati se shqiptarët duhet të bashkohen më 27 janar për të larguar Edi Ramën nga qeveria. “Ka vetëm një njeri në Shqipëri që nuk do që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së dhe ai është Edi Rama. Është i vetmi njeri, që nuk bën as lëvizjen më të vogël për ta integruar Shqipërinë, por po lëviz çdo gur për ta destabilizuar vendin dhe për ta larguar atë çdo ditë e më shumë nga BE”, tha Kryemadhi. Ajo shtoi se qetësia dhe dashuria e Ilir Metës e fuqizoi dhe i dha një pushtet të pakufi Edi Ramës. “I dha një pushtet, i cili jo vetëm kriminalizoi Policinë e Shtetit, por gjithë Shqipërinë. Prandaj, ajo që dua t’ju them sot është që, ne sot duhet t’i thërrasim, jo vetëm mendjes, por edhe bindjes, edhe zemrës. Prandaj, e shikoj të nevojshme organizimin tonë, jo vetëm datën e 27 janarit, por çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë, duke folur dhe denoncuar çdo vepër kriminale që bëhet ndaj shqiptarëve. Sepse vepër kriminale është edhe të presionosh një nxënës në shkollë, edhe të shantazhosh një nëpunës administrate, edhe të fyesh dikë për bindjet e tij politike, edhe të detyrosh shqiptarët të largohen nga Shqipëria”, u shpreh Kryemadhi. Sipas drejtueses së LSI-së, ka vetëm dy rrugë: ose të largohen shqiptarët nga Shqipëria, ose të largohet Edi Rama nga qeveria.” Dhe unë jam e bindur që kostoja më e ulët dhe më fitimprurëse është që të largohet Edi Rama, sepse ky është shansi i vetëm, që shqiptarët kanë për të shpëtuar njëherë e mirë nga kjo kapje e shtetit nga krimi i organizuar”, tha Kryemadhi. Ajo shtoi se duhet t’i tregojmë jo vetëm Edi Ramës, por edhe të gjithë atyre që nuk kanë sy, por edhe veshë, për të parë dhe dëgjuar këtë realitet të hidhur, që shqiptarët nuk janë më lodra në duart e tyre, por shqiptarët janë një popull me dinjitet, integritet, por mbi të gjitha janë një popull i fortë dhe i guximshëm, që atëherë kur duhet për ta rrëzuar diçka që është kundër bindjeve të tij, që është kundër vlerave të tij, ai ngrihet dhe e rrëzon.
Sigal