LSI padit Edi Ramën në Prokurori: Shkeli ligjin kur ftoi policinë të marrë vota për PS

511
Nga aleat e miq në kundërshtarë e armiq. Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë një hap më tej akuzave ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e paditur në Prokurori. Burime zyrtare nga LSI deklarojnë se padia vjen pasi “kryeministri shkeli ligjin kur ftoi policinë të marrë vota për PS”.

“Edi Rama shkeli ligjin kur ftoi policinë të marre vota për PS. Thirrjet e Ramës për policinë e shtetit përbëjnë ngjarjen më të rëndë të thyerjes së ligjit. Thirrjet e Ramës thyejnë rëndë moralin te detyrës së një Kryeministri gjatë një fushatë elektorale në këto 25-vjet. Kjo ngjarje dhe kjo veprimtari e Kryeministrit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithë ligjet”, deklaron LSI.

Sipas kësaj force, që është ende në koalicion qeverisës me PS-në dhe kryetarin e saj Edi Rama, ‘Kryeministri i vendit me këtë thirrje ka shkelur të gjithë hierarkinë shtetërore të akteve ligjore’.

“Shkeljet që nga Kushtetuta dhe deri tek VKM-ja më e fundit që ka miratuar qeveria e tij, si pjellë e marrëveshjes politike të datës 17-18 maj 2017. Nëpërmjet këtij akti Rama ka shkelur ligjet që e ndalojnë Policinë e Shtetit të marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Rama me veprimet e tij të cilat tashmë nuk i bën më fshehtas, por hapur dhe publikisht, ka kryer shkelje të rënda të rregullave në një proces zgjedhor”, thotë LSI.

Për më tepër për ish-aleatin e kryeministrit, thirrjet e Ramës tregojnë se ky shtetas ka konsumuar njëherazi elementë të veprave penale.

“Nevojitet shqyrtim dhe hetim objektiv. Çmojmë objektivisht fillimin e ndjekjes penale, dhe kryerjen e hetimeve të paanshme në lidhje mbi këtë çështje”, deklaron LSI.
Sigal