LSI, në janar lamtumirë aleancës me PD-në

456
Sigal

Zgjedhjet e 2013-s/ Lëvizje e befasishme e LSI-së, Ilir Meta tërheq në janar ministrat nga Qeveria aktuale

 Viti 2013 pritet të fillojë me surpriza politike. Dhe surpriza më e madhe pritet të jetë largimi i Ilir Metës dhe LSI-së nga koalicioni aktual qeverisës, duke shkaktuar rrëzimin e Qeverisë së Berishës. Dihet se kjo qeveri u mbajt në këmbë për afro katër vjet me 4 votat e LSI-së. Mirëpo gjatë vitit të fundit janë vërejtur një sërë divergjencash dhe mospajtimesh Brenda këtij koalicioni, të cilat duket se kanë arritur në një pikë të pariparueshme. Burime tepër të besueshme thanë dje se në janar Meta do të bëjë divorcin politik me Berishën, duke rishikuar aleancat për zgjedhjet e 23 qershorit. Ikja e katër deputetëve të LSI-së e bën të pamundur numrin e 71 votave për maxhorancën aktuale për të qëndruar në këmbë kjo qeveri. Votat e Kastriot Islamit dhe Dritan Priftit pro PD-së janë të pamjaftueshme. Deputeti Nasip Naço tha dje se objektivi i LSI-së është që në zgjedhjet e ardhshme LSI synon dy e trefishimin e rezultatit të para katër vjetëve. Në funksion të këtij objektivi madhor, LSI po mendon qysh tani për strategjinë që do të ndjekë për këto zgjedhje, duke rishikuar pozicionin e saj në raport me aleatët dhe me opozitën. Deri më tani nuk kemi ndonjë sinjal të afrimit me Partinë Socialiste dhe me Edi Ramën, por në politikë, dhe sidomos në politikën shqiptare përvoja ka treguar se çdo gjë bën vaki. Duket se lëvizja e fundit e Metës që pritet të ndodhë në ditët e para të Janarit, bëhet si rezultat i presionit nga baza e LSI-së por edhe nga opozita e majtë. Nga ana tjetër, edhe ndërkombëtarët duket se janë pro kësaj lëvizjeje, ndërsa kanë arritur në përfundimin se në zgjedhjet e ardhshme duhet një qeveri teknike për të realizuar zgjedhje sipas standardeve dhe të pakontestuara. Në të vërtetë, ky është dhe një shans për Ilir Metën, për t’u shkëputur nga një aleancë e panatyrshme që bëri katër vjet më parë me Berishën. Ishte kreu I LSI-së që në zgjedhjet e 2009-s doli me sloganin për të larguar Berishën dhe argumentoi se e vetmja forcë politike që mund të largonte Berishën nga pushteti ishte LSI-ja. Tani që kanë mbetur vetëm gjashtë muaj nga zgjedhjet e ardhshme, Meta ka shansin t’u vërtetojë profecinë e tij ndjekësve të LSI-së, por edhe krejt elektoratit shqiptar.

Deklaruan për “Telegraf”

Nasip Naço: “LSI nuk është seksion i PD-së dhe as organizatë bazë e PS-së”

Një nga figurat qendrore të LSI-së, Nasip Naço duke shpjeguar votën pro komisionit hetimor për Kukësin, thotë për “Telegraf” se, vota e djeshme nuk duhet keqinterpretuar. Sepse ne jemi pro ngritjes së komisionit, por jo pro PS-së. Ne nuk jemi të bindur se kjo ndarje mandatesh që propozohet është më e drejta. Shto këtu faktin se PS nga ana e saj ka ngritur një sërë pretendimesh për një shtim fiktiv të popullsisë në Qarkun e Kukësit ndaj për të hequr çdo hije dyshimi ne e mbështetëm këtë nisëm. Kam bindje se ka një rritje fiktive të votuesve e se kjo bëhet për efekte elektorale. Ne duam që për zgjedhjet e 23 qershorit procesi të jetë transparent, ndaj dhe kërkojmë ngritjen e këtij komisioni, përndryshe procesi mund të quhet i minuar. Natyrisht që jo çdo veprim i LSI-së mund të quhet si përçarje e koalicionit qeverisës. Ne kemi bërë një marrëveshje katër vjeçare për të qeverisur me PD-në dhe është e natyrshme që në prag zgjedhjesh aleancat të rishikohen. LSI nuk është seksion i PD-së dhe as organizatë bazë e PS-së. Ne do të hyjmë në zgjedhjet e 2013-s për të fituar 2-3 fish më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Ky është objektivi i LSI-së. Në funksion të këtij objektivi, ne do të ndërmarrim hapat e duhur në kohën e duhur.

 Prof. Et’hem Ruka

Do ta konsideroja një hap pozitiv të LSI-së, në rast se do të shkëputej nga Berisha. Kështu u shpreh mbrëmë për “Telegraf” deputeti socialist Prof. Et’hem Ruka. Më tëj. Prof. Ruka tha se PS do të përshëndeste çdo lëvizje politike që do të konkludojë me rrëzimin e qeverisë Berisha, e cila është një nga qeveritë më të paafta dhe më të korruptuara që kemi patur gjatë dy dekadave të fundit.

 Diana Çuli

Natyrisht që, ky do të jetë një zhvillim pozitiv, jo vetëm për LSI-në, por edhe për skenën politike shqiptare. Kështu u shpreh dje shkrimtarja Diana Çuli për “Telegraf”. Aleanca e Metës me Berishën ka qenë një aleancë e panatyrshme qysh në fillimin e saj. Në fund të fundit, LSI është një forcë e majtë dhe vendin e ka në bllokun e majtë të forcave politike. Do të bashkohet me PS-në Meta pas kësaj lëvizjeje? Kjo është tjetër çështje dhe u përket partive përkatëse që të vendosin.

 Prof. Sabit Brokaj

Në të vërtetë ikja e Metës nga Qeveria, nuk ka për të ndryshuar asgjë, në rast se nuk ikën Berisha si Kryeministër. Dëmet që ka sjellë kjo qeveri do të duhen dekada për t’i riparuar. Mirëpo në rast se largimi i LSI-së nga qeveria, do të sjellë krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhjet e ardhshme, ky do të ishte një hap pozitiv që do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve normale. Gjithsesi unë mbetem skeptik në lëvizjet politike të Metës. Kështu u shpreh mbrëmë për “Telegraf” Prof. Sabit Brokaj.

  LSI bashkon votat me Partinë Socialiste: “Banorë fiktivë në Kukës”

Demokratët rrëzuan dje me 69 vota kundër kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e organeve shtetërore lidhur me lëvizjet e popullsisë në Qarkun e Kukësit. Kërkesa e socialistëve mori 62 vota pro, përfshirë edhe tri votat e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Metës, Lefter Kokës dhe Nasip Naços. Ndërsa deputeti tjetër i kësaj force politike, njëherazi ministër i Shëndetësisë, Vangjel Tavo abstenoi. Me anë të një njoftimi për mediat, LSI bëri të ditur se “LSI është pro nismës së komisionit sepse LSI gjithmonë ka qenë pro transparencës, ndaj edhe në këtë rast LSI tregoi që për shpërndarjen e mandateve të kishte më shumë transparencë. Më e argumentuar dhe më e plotë dhe më transparente duhet të ishte dhe mënyra se si është bërë mbrojtja e kësaj shpërndarje mandatesh. Njëkohësisht LSI gjykon se heqja e një mandati nga Berati do të ulë vëmendjen ndaj këtij Qarku për të thithur investime”, – bëhet e ditur në këtë njoftim. Ndërkohë kreu i grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi duke folur në seancë tha se me “tre apo katër mandate në Kukës, maxhoranca e sotme do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme”. Në replikë me të homologu i tij demokrat, Astrit Patozi tha se PD do votonte kundër nismës së PS me argumentin se kërkesa e saj ishte anti-ligjore.