LSI kundër PS: Më 18 qershor, jo zgjedhje pa opozitën

445
Luan Rama i përgjigjet Gramoz Ruçit dhe nënvizon se Shqipëria ka nevojë për përgjegjshmëri dhe jo për aventurë

Lëvizja Socialiste për Integrim këmbëngul se më 18 Qershor nuk mund të ketë zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës. Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, thotë se në një vend demokratik, nuk mund të mendohet një proces zgjedhor pa garë gjithëpërfshirëse. “Nuk e mendoj që ka në Shqipëri ndonjë njeri me logjikë arsyetimi racionale, që të mendojë që në 2017 Shqipëria mund të zhvillojë zgjedhje pa opozitën. Natyrisht ka një problem të madh, klasa politike në vend, sepse problemi më i madh është që është vrarë besimi, pra mungesa e besimit e krijon të gjithë këtë situatë, dhe është në përgjegjësinë e mazhorancës të demonstrojë konkretisht, hapa për të rikthyer besimin tek qytetarët në radhë të pare tek opozita, që zgjedhjet do të jenë në përputhje me standardet dhe do të garantojnë, jo vetëm shprehjen reale, por edhe leximin real të vullnetit të popullit. Shqiptarët duhet të ftohen në zgjedhje për të zgjedhur, jo thjesht për të votuar”, u shpreh Rama për mediat.

Ky qëndrim i LSI-së është krejt i ndryshëm nga ai i kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se me ose pa PD-në, më 18 Qershor vendi do të shkojë në zgjedhje. Por për Luan Ramën, kurrë nuk duhet thënë kurrë. “Në politikë unë mendoj se asnjëherë kurrë nuk duhet thënë kurrë. Gjithmonë ka hapësira ende të pashfrytëzuara për të gjetur zgjidhje dhe për të bërë zgjedhje shumë racionale në të mirë e interes të vendit. Ajo çfarë është e rëndësishme dhe që duhet të udhëheqë të gjithë qëndrimin politik dhe sjelljen politike është interesi i vendit. Çdo interes tjetër nuk mund të prevalojë mbi interesin e vendit dhe ju mos prisni që unë të them atë që nuk do ta thosha kurrë që, mazhoranca, qeverisja apo LSI-ja janë më të rëndësishëm se Shqipëria. Shqipëria ka nevojë për përgjegjshmëri dhe jo aventurë politike”, nënvizoi kreu i deputetëve të LSI-së.

Por ndërsa nënkryetari Luan Rama thotë, se zgjedhjet duhen bërë me opozitën, LSi ka paraqitur kërkesën për t’u regjistruar zyrtarisht ne KQZ si subjekt politik garues ne votimet e 18 qershorit.

Ndërsa opozita duket e vendosur për të mos u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, deri ne plotësimin e kërkesave të saj, socialistët deklarojnë se në zgjedhje mund të shkojnë edhe pa partinë e Ilir Metës. Kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, tha nga Fieri, se mundësia për koalicion mbetet e hapur, por nga ana tjetër PS ka gati edhe alternativën e saj.

Kreu i deputetëve socialistë i ka bërë thirrje edhe një herë opozitës të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend për t’i hapur rrugën zbatimit të reformës në drejtësi. Por kësaj thirrje kreu i grupit të PS-së i shtoi edhe kritikat e ndërkombëtarëve për aksionin e opozitës.

Megjithatë, dy aleatët në qeverisje duket se ndajnë mendime të ndryshme për realizimin e zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa më 8 prill skadon afati i regjistrimit të partive në KQZ. Partitë opozitare kanë përsëritur se nuk do të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, nëse nuk ngrihet një qeveri teknike.
Sigal