LSI kundër akcizës së gazit për automjetet, dorëzon amendamentin në Kuvend

491
Sigal

 LSI ka dalë kundër qeverisë për rritjen e akcizës së gazit
të lëngshëm që përdoret nga automjetet. Kreu i grupit parlamentar të LSI,
Petrit Vasili ka depozituar një amendim për projekt ligjin për akcizat, ku ka
kërkuar heqjen e nenit 4 të draftit të paraqitur që sjell rritjen me 13 lekë
për litër të gazit të lëngshëm që përdoret për automjetet.

Kreu i grupit parlamentar të
LSI-së, Petrit Vasili i ka dërguar amendimin Kuvendit duke sqaruar edhe arsyet
e kërkesës së grupit parlamentar.

Sipas tij, jo është një kosto
që e rëndon buxhetin e familjarëve pasi rritja është tepër e lartë krahasuar
kjo me çmimin aktual të gazit që përdoret për furnizimin e automjeteve të
qytetarëve.

Po kështu Vasili thotë në
argumentimin e kërkesës se biznese të vogla dhe të mesme, edhe të mëdhenj
mes tyre, mjetet e transportit prej kohësh për efekt kostoje i kanë orientuar
drejt përdorimit të gazit të lëngshëm. “Rritja me 13 l/litër ose më thjesht
akoma një rritje me më shumë se 25% të çmimit aktual, do t’i rëndonte së
tepërmi buxhetet e këtyre sipërmarrësve, të cilëve u ka kushtuar jo pak
instalimi i impianteve të gazit të lëngshëm”, shprehet Vasili.

KËRKESA E PLOTË

“Amendamenti që propozojmë lidhet me vendosjen e akcizës për gazin e lëngshëm
që përdoret nga mijëra qytetarë për furnizimin e automjeteve të tyre. Si
propozues i këtij amendamenti gjykoj se kjo është një kosto që e rëndon
buxhetin e familjarëve pasi rritja është tepër e lartë krahasuar kjo me çmimin
aktual të gazit që përdoret për furnizimin e automjeteve të qytetarëve. Është
fakt që janë shtuar së tepërmi automjetet familjare që përdorin gaz të lëngshëm
dhe ku për këtë arsye mijëra qytetarë kanë përshtatur automjetet për përdorimin
e gazit duke shpenzuar jo pak për këtë.

Gjithashtu biznese të vogla dhe të mesme, edhe të mëdhenj mes tyre, mjetet e
transportit prej kohësh për efekt kostoje i kanë orientuar drejt përdorimit të
gazit të lëngshëm. Rritja me 13 l/litër ose më thjesht akoma një rritje me më
shumë se 25% të çmimit aktual, do t’i rëndonte së tepërmi buxhetet e këtyre
sipërmarrësve, të cilëve u ka kushtuar jo pak instalimi i impianteve të gazit
të lëngshëm, modernë e të sigurt, duke e përllogaritur si zgjidhjen më të mirë
edhe sepse gazi i lëngshëm nuk përfshihej në mallrat e akcizës.

Në kushtet kur qytetarët përballen me mjaft vështirësi ekonomike është jo i
arsyeshëm rëndimi i tyre me vendosjen e kësaj akcize. Akoma më i domosdoshëm
bëhet mosmiratimi i saj edhe në kushtet e luhatjes së vazhdueshme të çmimeve të
karburanteve të cilat përballen qytetarët me shpenzime shtesë që rëndojnë shumë
buxhetin familjar.

Gjithashtu lidhur me çështjet delikate të mjedisit në vendin tonë dhe që lidhen
drejtpërsëdrejti me përdorimin e gazit, Këshilli i Ministrava me Vendimin Nr.
762, dt. 16.09.2015 ka miratuar dokumentin “Për miratimin e dokumentit për
përcaktimin e kontributit kombëtar të pikësynuar kundrejt arritjes së
objektivit të Koneventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara”.

Sipas raportit të përgatitur dhe miratuar me këtë VKM është parashikuar që 116
kTon CO2, ose 16% e kontributit total, do të reduktohen nga zëvendësimi i
karburantit të makinave me gaz natyror.

Një akcizë prej 13 lekësh/litër do të dekurajonte përdorimin e gazit natyror
dhe do të vështirësonte përmbushjen e këtij objektivi kombëtar.

Shpreh bindjen që argumentet e mësipërme mbështesin pa asnjë akuivok
amendamentin që po paraqesim duke shpresuar që të njëjtën bindje ta ndajmë edhe
me kolegët e tjerë deputetë në mbështetje të këtij amendamenti.

Duke iu falënderuar për mirëkuptim,

Me respekt

Petrit Vasili

Kryetar i Grupit Parlamentar LSI