LSI ka gjithmonë në fokus qytetarin. Ky duhet të jetë fokusi i të gjithë politikës

499
Jakup B. GJOÇA
Vangjel Tavo, deputet i LSI

LSI gjithmonë sjell risi. LSI vepron gjithmonë e para në ndryshimet e nevojshme të vendit, ndaj jam krenar që familja ime politike beson tek vlerat e vërteta dhe që kryetari i kësaj familjeje është pionier i triumfit të këtyre vlerave në politikën, parlamentin dhe qeverisjen shqiptare
Vangjel Tavo, deputeti i LSI-së në Qarkun e Gjirokastër në një intervistë për gazetën “Telegraf” pohon se LSI-ja i ka përmbushur premtimet elektorale që i dha votuesve në 2013, (një farë soj, deputeti Tavo e ndan përgjegjësinë e qeverisjes së LSI nga PS). Deputeti Tavo, duke iu përgjigjur pyetjes, a ka luftë politike midis PS dhe LSI-së, përgjigjet, se LSI-ja nuk i bën luftë politike asnjë force politike, por luftën e saj politike e bën për të zgjidhur problemet e popullit dhe të Shqipë risë, duke dhënë një përgjigje kritizerëve, se LSI nuk kritikon PS-në, por problemet e keqqeverisjes. Gjithashtu, deputeti i LSI-së, Tavo, shprehet se nuk mund të shkohet në zgjedhje parlamentare, duke përjashtuar forca politike, sikurse Opozitën, por duke i garantuar edhe Opozitës mbrojtjen e votës. Deputeti Tavo shprehet se kandidaturat e LSI-së për deputetë, do të ketë kritere cilësore të përfaqësimit. “Vetë Kryetari i LSI, Ilir Meta është shprehur shumë herë publikisht që në listën e ardhshme të përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë do ketë më shumë intelektualë”.
– Z. Tavo, tashmë jemi në fund të këtij 4 vjeçari të qeverisjes. Si e shikoni ju punën e bërë nga qeveria në këto 4 vite, duke konsideruar premtimet mbi “Shëndetësinë falas” hapjen e 300,000 mijë vendeve të reja të punës, etj?
– Data e caktuar për zgjedhjet e 18 Qershorit, është një ditë edhe më e rëndësishme, se sa thjesht një mundësi për hedhur votën. Ajo ditë duhet të shërbejë si një ditë reflektimi nga çdo qytetar shqiptar, por edhe nga çdo politikan dhe forcë politike. Të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të analizojnë performancën e kësaj mazhorance në katër vite qeverisje, ndërsa politikanët duhet të kenë shpalosur më së miri platformën e tyre dhe partisë që ata përfaqësojnë në mënyrë që të parashtrojnë alternativat më të mira qeverisëse për katër vjeçarin e ardhshëm. Unë besoj që populli shqiptar është një popull i zgjuar dhe do arrijë të japë vlerësimin real për çdo premtim të mbajtur apo të pambajtur; për çdo reformë të arrirë apo në proces; për çdo përmbushje, apo mangësi në sektorë të caktuar të jetës së vendit, etj. LSI shkon krenare në zgjedhjet e 18 Qershorit, pasi ne i kemi përmbushur premtimet dhe synimet tona; kemi ngritur zërin dhe jemi përpjekur të ofrojmë zgjidhje për nevojat e qytetarëve shqiptarë apo të mbarë vendit. Ky qëndrim i yni është kuptuar fare mirë nga qytetarët shqiptarë ndaj edhe ne do kemi vlerësimin e tyre. Qytetari shqiptar duhet të jetë gjykatësi dhe juria e punës sonë dhe e çdo qeverie, apo force politike. 
– Ju, si e shpjegoni “hemorragjinë” e mjekëve shqiptarë nga Shërbimi shëndetësor drejt emigrimit? 
– Në fakt, në mbarë botën, një përqindje e madhe e mjekëve largohen nga vendi i tyre, si për kushte më të mira jetese, paga më të larta, karrierë dhe përgatitje më të mirë profesionale. Unë besoj që figura e mjekut dhe e bluzave të bardha në tërësi duhet të kenë respektin dhe dinjitetin që meritojnë. Largohen, apo qëndrojnë është një çështje zgjedhjeje, por ajo që nuk duhet të ketë as edhe një hapësirë zgjedhjeje është respekti ndaj bluzave të bardha. Nuk do resht kurrë së deklaruari që bluzat e bardha janë heronjtë e heshtur të këtij vendi, pasi në kushte tejet të vështira ata punojnë pa bujë e pa lavdi, por vetëm duke i shërbyer misionit fisnik të përkujdesjes ndaj pacientit dhe mbrojtjes e shpëtimit të jetës. Të thuash që nuk do doja që asnjë mjek të mos largohej nga vendi ynë do ishte një utopi, por me sigurinë më të plotë ju them që gjithsecili prej tyre meriton respektin dhe vlerësimin më të madh nga e gjithë shoqëria, dhe, edhe nëse largohen, kudo që do të punojnë, ju siguroj që do e bëjnë krenare Shqipërinë, sepse me profesionalizmin e tyre do i japin nder vendit dhe atdheut. 
– Duke marrë shkak nga disa kritika të deputetit Rama ndaj punës së Policisë së Shtetit kundër trafikimit të Kanabis, janë shprehur opinione se LSI-ja kur kritikon keqqeverisjen, i bën luftë PS-së. A ka kontradikta politike midis LSI dhe PS?
– LSI-ja nuk i bën luftë askujt. Familja jonë politike nuk bazohet mbi filozofinë e luftës midis partive, por mbi betejën e vështirë për të zgjidhur problemet që ka vendi; për të kontribuar në arritjen e reformave; për të punuar për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian; për t’i siguruar rinisë shqiptare standarde dhe kushte më optimal për të ardhmen e tyre. Të gjithë figurat drejtuese të LSI ndjekin këtë filozofi dhe në shumë raste apelojnë, apo bëjnë analiza mbi raporte të caktuara ndërkombëtare për sektorët më problematik të vendit, si për shembull: Raporti i fundit i Strategjisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, apo raporte të tjera nga vende të rëndësishme partnere të Shqipërisë. LSI nuk krijon konflikte. Ne punojmë që të ofrojmë zgjidhje, në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe shqiptarët të kenë një jetë më të mirë.
– Deputetët dhe kryebashkiakët socialistë, dorëzuan mandatet për shkak të rekordeve kriminale. Mendoni, që me kaq, është e mjaftueshme përgjegjësia politike? Kryetari i partisë që i përzgjodhi ata, a duhet të mbajë përgjegjësi politike? 
-Unë përfaqësoj partinë Lëvizja Socialiste për Integrim për qarkun e mrekullueshëm të Gjirokastrës dhe jo partitë e tjera, dhe si anëtar i Kryesisë së LSI, ju them që në të gjitha takimet tona, por edhe me forumet, apo anëtarësinë, ne jemi të fokusuar në promovimin e vlerave njerëzore dhe shoqërore në partinë tone dhe tek ata që e përfaqësojnë dhe do e përfaqësojnë LSI edhe pas 18 Qershorit. Vetë Kryetari i LSI, Ilir Meta është shprehur shumë herë publikisht që në listën e ardhshme të përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë do ketë më shumë intelektualë, profesorë, personalitete të shquara dhe figura me kontribut në shoqëri. Kryetari Meta ka theksuar në çdo dalje publike rëndësinë e ligjit të dekriminalizimit. LSI kërkon që ky ligj të implementohet me korrektësinë më të madhe në mënyrë që qytetarët shqiptarë të krenohen dhe jo turpërohen me ata që i përfaqësojnë si në parlament ashtu edhe në pushtetin vendor. LSI gjithmonë sjell risi. LSI vepron gjithmonë e para në ndryshimet e nevojshme të vendit, ndaj jam krenar që familja ime politike beson tek vlerat e vërteta dhe që kryetari i kësaj familje është pionier i triumfit të këtyre vlerave në politikën, parlamentin dhe qeverisjen shqiptare. 
– Cila duhet të jetë rrugëdalja nga kriza aktuale politike? Kryeministri Rama është shprehur se Opozita nuk është Shqipëria dhe zgjedhjet parlamentare do të bëhen edhe pa Opozitën.
– Politika shqiptare ka gjithmonë nevojë të vazhdueshme për një detantë; një qëndrim racional me fokus qytetarin dhe jo emocional të bazuar mbi dëshirat e pushtetit apo frikën e humbjes. Unë besoj se jemi në kohë që të arrihet një frymë konstruktive dialoguese dhe të gjitha forcat politike të diskutojnë mbi piketat kryesore të një procesi zgjedhor të drejtë dhe demokratik, ku edhe opozita të ndjehet e mbrojtur dhe çdo forcë politike të marrë rezultatin që meriton, pa iu tjetërsuar vota. Nëse të gjithë shohim për nga qytetari e gjithë politika do jetë më e bashkuar, por, nëse të gjithë shohim nga vetja, do jemi shumë larg njëri tjetrit dhe nuk do arrijmë kurrë të ndërtojmë dialog. LSI ka gjithmonë në fokus qytetarin. Ky duhet të jetë fokusi i të gjithë politikës shqiptare. 
Sigal