LSI-ja, e vetme në zgjedhjet e 2013-s, i thotë “jo” koalicionit me PD-në dhe PS-në

462
Sigal

Meta takohet me banorët e Beratit e Skraparit dhe bën fjalë për infrastrukturën e keqe. Reagon Erjon Braçe

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe deputeti i Qarkut të Beratit, nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço kanë zhvilluar dje takime madhështore me qytetarët në Berat, duke filluar që nga Vortopi e deri në Çorovodë, ndërsa vëmendja e tij është ndalur tek gjendja e rrugëve, në të dy qytetet. Lideri i LSI-së e ka cilësuar gjendjen në të cilën ndodhen rrugët dramatike, ndërsa ka kërkuar të ndërhyhet shpejt, pasi amortizimi i tyre përbën pengesë edhe për turizmin, siç tha ai. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, bëri thirrje që të gjithë deputetët e Qarkut të Beratit të mbështesin deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë qark, Nasip Naço, duke iu referuar kështu shqetësimeve që z. Naço ka ngritur kohët e fundit mbi gjendjen e infrastrukturës në Berat. Ndërkohë që, në takimet e djeshme me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në Berat dhe Skrapar Meta foli edhe për procesin e integrimit evropian të vendit. Ai u bëri thirrje forcave politike shqiptare që t’i japin fund retorikave konfliktuale dhe bllokimeve artificiale. Sipas tij, “është e rëndësishme t’i fillojmë mbarë 100 vitet që vijnë, duke reflektuar në të ardhmen vullnetin e qytetarëve shqiptarë për t’u bashkuar dhe për të zgjidhur problemet e tyre, për t’i dhënë fund retorikave konfliktuale dhe bllokimeve artificiale, sepse Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e progresit, të integrimit europian dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj”. Lideri i LSI-së, Ilir Meta, tha se është një gabim i madh që për interesa të ngushta vendosen barrikada në një proces që u intereson të gjithë shqiptarëve pa asnjë dallim. Në Çorovodë, nga takimi që u zhvillua me Kryetarin e LSI-së dhe deputetin Nasip Naço me popullin, u bë edhe nderimi me “Qytetarë Nderi” të 5 qytetarëve, të cilët kanë kontribuar me aktivitetin e tyre në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, por edhe në rimëkëmbjen e vendit. Kështu, pas vdekjes, u nderuan qytetarët Taip Metani, Izedin Basho, Rane Mustafaj, Hysen Braçellari, si dhe Sabri Dyli, për kontributin që ka dhënë si sportist i shquar.

Reagon Erjon Braçe, duke i bërë thirrje Ilir Metës të dalë nga maxhoranca
Deputeti i PS-së, në Qarkun e Beratit Erjon Braçe, menjëherë pas fjalëve të kryetarit të LSI-së, Ilir Metës, i bëri thirrje që LSI-ja të dalë nga koalicioni qeverisës, ndryshe është fajtor vetë ai dhe LSI-ja, që, sipas Braçes, mbajnë në këmbë këtë qeveri. Erjon Braçe, i drejtohet Ilir Metës, duke i thënë: “Dil nga qeveria me Sali Berishën! Për Beratin dhe gjithë Shqipërinë! Tërhiqi ministrat nga qeveria me Sali Berishën. Tërhiqi zëvendësministrat, veçanërisht zv/ministrin e Transportit Manjani. Ti po mban në këmbë këtë mynxyrë, në Berat dhe në gjithë Shqipërinë!”.
Rama: “Do të ritakohesha me Ilir Metën”
Pra disa ditësh, në një intervistë, Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se është i gatshëm që të ritakohet sërish me Ilir Metën, për të biseduar për një mundësi bashkëpunimi elektoral për zgjedhjet e 2013-s. Madje, Edi Rama tha se: “Jemi të gatshëm të zgjerojmë koalicion me të djathtë dhe takimin me Metën do e ribëja sërish”. Shefi i opozitës nënvizoi se në koalicion janë të mirëpritura të gjitha ato forca politike, të majta, të qendrës apo edhe të djathtat, të cilat pranojnë programin politik të PS-së. Sa i takon mundësisë për një aleancë politike me LSI-në, Rama tha se, nëse LSI-ja vendos ta braktisë koalicionin aktual me PD-në, do të vlerësohet mundësia për të bashkëpunuar. “Por, për sa kohë partia e Ilir Metës, është pjesë e koalicionit, për PS-në nuk ka asnjë shqetësim dhe LSI-ja do konsiderohet si kundërshtar për ta mundur”, tha Rama.
Naço për “Telegraf”: “ LSI-ja, jo koalicion as me PD dhe as me PS”
Në një prononcim ekskluziv për gazetën “Telegraf:, deputeti i qarkut të Beratit dhe Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço reagoi ndaj thirrjes që deputeti i PS-së, Erjon Braçe i drejtoi Metës. Zoti Naço, deklaroi për “Telegraf”: “ LSI-ja nuk është vegël qorre as e PD-së dhe as e PS-së, që të hyjë e të dalë në koalicione. Në zgjedhjet e ardhshme, ne do të hyjmë të vetëm, as me PD-në dhe as me PS-në”.
LSI dhe PDIU në një koalicion të përbashkët zgjedhor
Kohë më parë, LSI-ja dhe PDIU-ja kanë bërë të njohur për mundësinë e një bashkëpunimi elektoral midis tyre, duke krijuar mundësinë e krijimit të një poli të tretë elektoral. Krijimi i një aleance të mundshme elektorale LSI-PDIU, do t’u jepte mundësinë të dyja këto partive, që në qarqet e Fierit, Vlorës, Durrësit, Elbasanit dhe Tiranës të konsolidojnë rezultatet e tyre dhe të kenë peshë më të madhe zgjedhore se sa tani.