LSI, Gjovalin Kadeli: Kuvendi i Shqipërisë dhe Administrata Publike nuk është strehë, ku mund të pastrosh biografinë

647

Flet Gjovalin Kadeli, deputet i LSI

Ka drejtues të shumtë të PS në disa qarqe apo edhe në qendër, (kjo për
faktin se kanë më shumë përfaqësim si forca e parë politike qeverisëse), që e
kanë kthyer  institucionin që drejtojnë në burim të ardhurash për vete dhe
ata që i kanë emëruar

 



Jakup B. GJOÇA

Deputeti i LSI Gjovalin Kadeli në intervistën për gazetën
“Telegraf” thekson, se  për projektligjin
e importimit të Plehrave, LSI do të ketë qëndrim në konsensus me Shoqërinë
Civile dhe vota e saj në Parlament do të jetë në interes të shoqërisë, duke bërë
të qartë, që LSI nuk do të votojë sipas direktivës të PS. Zoti Kadeli  bën gjithashtu të qartë, se LSI distancohet edhe
nga PS për sa u përket deputetëve dhe kryebashkiakëve (socialistë) me rekorde
kriminale, duke thënë se Parlamenti dhe Administrata Publike nuk mund të shërbejnë
për të “pastruar” biografinë. Zoti Kadeli mban qëndrim të qartë kundër linçimit
që u bëhet nga PS-ja  2 gjyqtarëve të
Gjykatës Kushtetuese, të cilët votuan kundër Ligjit të Vettingut. Zoti Kadeli,
me diplomaci, i kthen përgjigjen akuzave të Erion Braçes dhe thekson, se ka
shumë drejtues  të PS në qarqe dhe në
qeveri, që kanë shpërdoruar detyrën dhe janë korruptuar.

 

-Zoti Kadeli, kur
Kryetari i LSI Zoti Ilir Meta deklaroi së fundi, se LSI nuk mund të votojë
kundër vullnetit të shoqërisë shqiptare për projektligjin e Plehrave. Kjo do të
thotë, që LSI distancohet nga PS dhe nuk mund të votojë importimin e Plehrave?

 

  –Nuk është hera e pare që LSI mban qëndrim të hapur në kërkim të
konsensusit, pasi është e bindur se nëpërmjet konsensusit dhe dialogut arrihet
qëllimi final i funksionimit të shoqërisë në një vend demokratik. Lidhur me
projektligjin në fjalë, do bëjmë të mundur që edhe ky projektligj të ketë
mendimin dhe oponencën e shoqërisë civile në debat të hapur dhe mbi bazën e këtij
konkluzioni LSI do të mbajë edhe qëndrimin me votë në Kuvend.


– Projektligji  “Për importimin e Plehrave”, po shtyhet nga
seanca ne seancë, për shkak se kryeministri nuk po mbledh DOT 71 vota për ta
miratuar, pasojë kjo edhe e reagimit të fuqishëm të qytetarëve. Përse, atëherë,
kryeministri nuk e tërheq përfundimisht projektligjin? Problemi për Ramën është
te kostoja politike,  (nëse e tërheq këtë projektligj mund ta quajë si
dështim politik apo tek interesat ekonomike?

 

Ky projekt ligj ka ardhur nga qeveria dhe i takon asaj të shprehet për
vijimësinë e këtij procesi. Të mos harrojmë se shumë projektligje të ndërmarra
për shkak të reformave kanë qenë të ashpra dhe padyshim kostoja politike nuk ka
qenë e vogël, por e rëndësishme për këtë mazhorancë nuk është kostoja politike,
por orientimi i ekonomisë drejt tregut vendas dhe atij të huaj, duke e
formalizuar ekonominë në binarët e ligjit. Nuk besoj se pritet grumbullimi i 71
votave, sepse atëherë do të kishim një qëndrim të ri politik të kësaj
mazhorance.        

– Prokuroria i kërkon
KQZ që t’i heqë mandatin 2 deputetëve socialistë dhe 1 kryebashkiaku socialist,
pasi kanë fshehur dënimet e tyre penale. Pyetja është: Përse kryeministri Rama
nuk distancohet politikisht nga këta të zgjedhur të tij, duke e shkarkuar kryebashkiakun
socialist dhe duke i përjashtuar nga PS deputetët me rekorde kriminale?

– Prezumimi i fajësisë në Shqipëri është bërë një zakon i keq. Ne,
si oratorë politik për shkak të mundësisë mediatike, fajësojmë e baltosim këdo,
duke zhbiriluar ndonjë keqkuptim të vogël, që jeta e vështirë u ka rezervuar
shqiptarëve ndër vite, nuk mund dhe nuk duhet që një deputet i votuar nga
populli i një zone të caktuar të quhet i inkriminuar, se qenka gjobitur njëherë
me makinë në semaforët e Italisë,(kur në atë kohë në Shqipëri as nuk i njihnim
semaforët). 

– Derisa ENDE
kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama nuk distancohet publikisht nga
deputetët dhe kryebashkiaku socialist me rekorde kriminale, a mund të besojnë
shqiptarët, se Edi Rama kërkon dhe përpiqet për Katarsis në Politikë dhe për
një Reformë në Drejtësi?

–   Ky është një përfundim, i cili duhet të pritet për t’u vërtetuar, por,
me sa jam unë i informuar, reforma në drejtësi, falë këmbënguljes dhe dëshirës
së mirë të LSI, u arrit të bëhej me konsensus, dhe, nëse konsensusi i shërben
zotit Rama, s’ka asgjë të keqe, por jam i sigurt se, pikësëpari, do u shërbejë shqiptarëve,
të cilët deri me sot drejtësinë e kanë marrë sipas xhepit dhe jo të drejtës.

 

– A krijon klimë
mirëbesimi për Drejtësinë që duam të reformojmë, sulmi politik i ditëve të
fundit i kryeministrit Rama ndaj Gjykatës Kushtetuese, për vendimmarrjen e saj
 për Ligjin e Vettingut, cilido qoftë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese?

 

– Gjykata Kushtetuese është organi më i lartë kushtetues në këtë vend dhe
s’ka asnjë arsye të bie në presionin e politikës, integriteti i saj u vërtetua,
pasi kërkoi transparencë maksimale, unë nuk jam dakord me linçimin që i bëhet
dy gjyqtarëve, që votuan ndryshe në Gjykatën Kushtetuese. Pikërisht këtu cënohet
pavarësia dhe integriteti i tyre individual.

– A është i mjaftueshëm
ligji i Dekriminalizimit, pa kërkuar më parë VETTING edhe për qeveritarët,
deputetët, kryebashkiakët. Për Katharsin në politikë në Shqipëri?

Askush nuk e ka fituar luftën menjëherë, jam i bindur se pas Gjyqësorit
radhën e ka politika, ku asnjë politikan i çdo niveli nuk duhet të jetë në
poste drejtuese, nëse nuk është  figurë e pastër, e nuk justifikon qëndrimin
në detyrë me pastërtinë e tij. Kuvendi dhe administrata publike nuk mund të jetë
strehë për pastruar biografinë. Koha e të inkriminuarve në poltikë ka marrë
fund. 

– Kur flasim për luftë
kundër korrupsionit, kuptohet se fillimisht do të luftohet korrupsioni i
qeverisë aktuale. Atëherë, derisa kryeministri Rama triumfologon ,se do të
luftohet – më në fund – KORRUPSIONI, pyetja është: Deri tani, kush e ka penguar
kryeministrin Rama të luftojë korrupsionin e qeverisë së tij?

 

–  Korrupsioni nuk zhduket në një apo më shumë mandate. Ai po luftohet
dhe kryesisht falë medias, e cila shpeshherë ka denoncuar raste të pastra
korrupsioni, ku kanë marrë dënimin e merituar. Mosreagimi në kohë dhe fshehtësia
nga institucionet e ngarkuara për të luftuar korrupsionin shpeshherë lë shteg për
të akuzuar qeverinë se ka korrupsion.

– Zoti Kadeli, para disa
ditësh, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS Erion Braçe, i kërkoi
kryeministrit Rama, që të çohen në gjykatë padi kundër drejtorëve të LSI në
Lushnjë për korrupsion me tenderë. Ju, mendoni se Braçja foli në emër të tij
apo është qëndrim politik i PS ndaj LSI?

Deputeti Braçe është njeriu më këmbëngulës në Grupin Parlamentar të PS
dhe ngritja e zërit mbi punën e drejtuesve të LSI në Qarkun Fier është në
tagrin e tij, ku e vlerësojmë shqetësimin, sepse na bën të shikojmë me
objektivizëm konkret punën e secilit drejtues  përfaqësues i LSI në administratën
publike,  ashtu siç mund të them se ka drejtues të shumtë, (kjo për faktin
se kanë më shumë përfaqësim si forca e parë politike qeverisëse) të PS në disa
qarqe, apo edhe në qendër që e kanë kthyer  institucionin që drejtojnë në
burim të ardhurash për vete dhe ata që i kanë emëruar. Ne përballemi çdo
ditë me këtë fenomen dhe e denoncojmë, padyshim ku shpeshherë janë marrë edhe
masat përkatëse.

–  Kryeministri
Rama u kishte premtuar shqiptarëve që BE në dhjetor 2016 do të hapte negociatat
me Shqipërinë për anëtarësim. Mirëpo, kjo nuk ndodhi. A është dështim politik i
kryeministrit Rama, që nuk filluan negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në
BE?

Të gjithë i dimë arsyet pse Shqipëria është në këtë situatë në marrëdhënie
me partnerët tanë të BE, ashtu siç është zoti Rama, njeriu i parë i interesuar
për hapjen e negociatave. Kam shpresë të plotë që, pasi të plotësojmë edhe ato
pak kërkesa të mbetura, padyshim që do jemi më të besueshëm dhe të pranueshëm për
vazhdimin e negociatave, të cilat nuk do jenë të lehta për mentalitetin
shqiptar. Evropa ka dëshirë që Shqipëria të jeshilohet nga agrumet, prodhimet të
ndryshme bujqësore, që e bëjnë të shëndetshëm njeriun dhe jo nga kanabisi që e
transformon e inkriminon atë.

– Jemi në fushatë
elektorale për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit 2017. PS dhe LSI kanë të
njëjtin elektorat, atë të Majtë dhe mund të shkojnë bashkërisht edhe në një
koalicion zgjedhor. Por pavarësisht kësaj, A shikoni, që PS do të luftojë LSI
në prapaskenë, siç bëri në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, për të përfituar vota
më shumë në dëm të LSI?

 

– 21  qershori është një përvojë, e cila na bën të reflektojmë në fushën
e bashkëpunimit ndërpartiak. Tashme e Majta e ka kuptuar se, nëse nuk është në
koalicion të gjerë dhe e bashkuar,  nuk mund të fitojë zgjedhjet, të gjithë
ata që i fryjnë tullumbaceve në orët e vona të natës, nën efektin e Lacavolisë,
nuk bëjnë gjë tjetër tregojnë përralla se dardhat do bëhen shumë sivjet ……
  Përvoja e bashkëpunimit të deritanishëm do të na shërbejë që të fusim në
Kuvendin e ardhshëm njerëz me integritet, të cilët ditën e enjte parlamentin ta
shndërrojnë, nga arena e një debati shterp e shpeshherë qesharak, në ditën e
debatit konstruktiv, ku të mbizotërojë konsensusi në interes të zhvillimit
ekonomik e përmirësimit të jetës së shqiptarëve.

Sigal

 

Somario

1

Për 
projektligjin e importimit të Plehrave, 
ne të LSI-së do bëjmë të mundur, që edhe ky projektligj të ketë mendimin
dhe oponencën e shoqërisë civile, në debat të hapur dhe vetëm mbi bazën e këtij
konkluzioni LSI do të mbajë edhe qëndrimin me votë në Kuvend

2

Evropa ka dëshirë që Shqipëria të
jeshilohet nga agrumet, prodhimet të ndryshme bujqësore, që e bëjnë të shëndetshëm
njeriun dhe jo nga kanabisi që e transformon e inkriminon atë

3

Unë nuk jam dakord me linçimin që i bëhet
dy gjyqtarëve, që votuan ndryshe në Gjykatën Kushtetuese. Pikërisht këtu cënohet
pavarësia dhe integriteti i tyre individual