LSI: Duhet të investojmë më shumë në arsim, buxheti më i ulët se në 2016

Duhet të investojmë më shumë në arsim. Buxheti për arsimin më i ulëti se në 2016. Fondet buxhetore për arsimin duhet të shkojnë në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pagat për arsimtaret duhet të rriten me 50%. Libra falas për arsim të detyrueshëm

Lëvizja Socialiste për Integrim ka organizuar sot një tryezë diskutimi në lidhje me buxhetin e vitit 2018. Në fokus të kësaj tryeze ishte vendi që zë Arsimi në këtë buxhet. Të pranishëm në këtë takim ishin deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj, Nora Malaj, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Edmond Haxhinasto. Në tryezë ishin të ftuar ekspertë të fushës së arsimit, pedagogë, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në këtë takim diskutimet u përqendruan te problemet që shqetësojnë sot arsimin shqiptar, nxënësit dhe studentët. Gjatë diskutimit u vu theksi te qëndrimet që LSI ka për arsimin.” Duhet të investojmë më shumë në arsim. Buxheti për arsimin më i ulëti se në 2016. Fondet buxhetore për arsimin duhet të shkojnë në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pagat për arsimtaret duhet të rriten me 50%. Libra falas për arsim të detyrueshëm”, janë disa nga qëndrimet kryesore të LSI-së në lidhje këtë çështje. 
Takimi u hap nga deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj, e cila tha se në Shqipëri arsimi është buxhetuar në nivele minimale. “Ne morëm iniciativën për të ngritur këtë tryezë diskutimi sepse përveç se gjykojmë kemi parë të gjithë indikatorët që na thonë sot se arsimi në Shqipëri është i buxhetuar në nivele minimale pa patur mundësinë që të mbulojë të gjithë kërkesat që ky sektor ka por mbi të gjitha sepse mendojmë që ndërhyrja në sistemin arsimor është i nevojshëm dhe imediate edhe për shkak të rrethanave në të cilat Shqipëria ndodhet sot”, tha Mehmetaj. Më tej ajo theksoi se buxheti për arsimin në 2018-ën është më i ulët se ai i vitit 2016. “Megjithatë vëmë re që nga ana e qeverisë ka një mungesë të theksuar vëmendjeje dhe për më tepër nëse do të krahasojmë buxhetimin e arsimit në vite, qoftë edhe me këto katër vite që lamë pas që ishte e njëjta qeveri me të njëjtin kryeministër shohim që në 2018 qeveria ka sfiduar dhe vetveten duke pasur një buxhet për arsimin më të ulët edhe se në vitin 2016, përkatësisht me 0.7% më pak se në 2016”, tha deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj. 

Deputetja e LSI-së, Nora Malaj në fjalën e saj u ndal te rëndësia e motivimit të mësuesve. Ajo tha se për LSI-në është jashtëzakonisht e rëndësishme rritja e pagave për mësuesit. Sipas saj rritja e pagave duhet të bëhet që këtë vit në nivel 40%. “E treta shumë e rëndësishme është që të ndryshosh dhe të motivosh mësuesit. Që të motivosh mësuesit, LSI propozon që paga e mësuesve jo të rritet me 5% dhe deri në 2020-wn të ketë 40% të GDP-së, por të rritet që tani me 50% në mënyrë që sipas performancës, sipas asaj që është përcaktuar edhe në bazë të ligjit për arsimin parauniversitar, të realizohet e plotë dhe të jepet e dedikuara. E fundit jo vetë për nga rëndësia, por edhe nga problematika, një nga kauzat më të rëndësishme të sistemit të arsimit parauniversitar është bërja e shkollës një shans për të gjithë fëmijët. Pikërisht flasim për kategoritë e fëmijëve në nevojë. Ndaj shumë e rëndësishme është që të dyfishojmë numrin e mësuesve ndihmës, duke futur një buxhet të dedikuar për kualifikimin e mësuesve. Pa mësues të kualifikuar nuk realizohet standardi dhe cilësia e mësimdhënies”, tha deputetja e LSI-së Nora Malaj. 

Deputeti i LSI Shezai Rrokaj në fjalën e tij në këtë takim vuri theksin te rëndësia e mbulimit falas të teksteve shkollore. “Tekstet, po ju them një gjë kam bërë një hulumtim parlamentar, të gjitha vendet e Evropës në arsimin e detyrueshëm paguhen tekstet. Pse? Se arsimi i detyrueshëm nuk do të thotë që ti duhet të ndjekësh arsimin, por në radhë të parë që shteti detyrohet që të mbulojë kostot për formimin tënd, dhe një nga këto kosto është edhe pagesa e teksteve. Përse i biem rrotull? Tekstet në të gjitha vendet, që nga Franca , Gjermani dhe vendet e Ballkanit Perëndimor i paguajnë tekstet. Ambasadori Amerikan Donald Lu e tha shumë qartë: tekstet kushtojnë vetëm sa makinat luksoze të qeveritarëve dhe sa të dietave të tyre. Nuk shkojnë më shumë se sa 7 milion euro. Kur kushtojnë vetëm 7 milion euro, çfarë janë këto: për të treguar seriozitetin e një shteti dhe përgjegjësinë që ai ka për edukimin” tha Rrokaj.