LSI do votojë pro arrestimit të Tahirit, thirrje prokurorisë: Mos u intimido nga sulmet e qeverisë

583
Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama pas mbledhjes së grupit parlamentar në një konferencë për shtyp paraqiti vendimet e LSI në lidhje me çështjen Tahiri. Rama tha se LSI është plotësisht në anën e Prokurorisë për autorizimin e nisjes së hetimeve ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.“Grupi i LSI rithekson qëndrimin e vet parimor, ligjor dhe në përputhje me moralin politik, por edhe me aspiratën e qytetarëve që presin nga Kuvendi dhe nga të zgjedhurit e popullit qasje që respekton ndarjen e pushteteve, autoritetin kushtetues të drejtësisë. Ne do votojmë pro miratimit të kërkesës së Prokurorisë për hetimin e paanshëm ndaj çështjes për të cilën ka filluar procedimi penal, i dhe zbardhjen e të vërtetës në lidhje me aktivitetin kriminal”, tha Luan Rama. Më tej Luan Rama i bëri thirrje prokurorisë të mos intimidohet nga sulmet e maxhorancës dhe të kryeministrit.“Jemi pro miratimit të kërkesës së prokurorisë për ti çelur rrugën çdo veprimi procedurial të prokurorisë. Kjo është arsyeja e sulmeve politike, të ndërmarra ditët e fundit kryesisht nga kreu i qeverisë. Inkurajoj prokurorinë të mos intimidohen përballë sulmeve politike që do të vazhdojnë të shtohen më tej. Pritet që Kuvendi të mërkurën të vendosë kush është pro reformës në drejtësi dhe kush kundër saj”, u shpreh Luan Rama.

Më herët Luan Rama kishte publikuar edhe një status në rrjetin e tij social Facebook. 

Në deklaratën e tij ai thotë se kryeministri Edi Rama mori një tagër ligjor që nuk i takon, duke gjykuar provat që prokuroria ka, dhe mbi të cilat kërkon arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, akuzuar për trafik droge gjatë kohës që ushtroi detyrën e ministrit të Brendshëm. “Në një shtet demokratik, në shtetin e të drejtës me pushtete ligjërisht të ndara, tagrin ligjor për të çmuar vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e provave e ka vetëm gjykata, askush tjetër! Kryeministri, edhe sot në mbledhjen e deputetëve të rilindjes, i përfshirë prej panikut e frikës, na dëshmoi të gjithëve që ai është përgjegjësi kryesor për situatën e rëndë kriminale në vend! “Ec e ec e s’ka të sosur ky kanali i Myzeqesë” – thuhet në një poemë të viteve të para të epokës socialiste! Fare mirë sot nën qeverisjes e kriminelorilindjes, ato vargje mund të përshtaten: “Ec e ec e s’kanë të sosur kriminelët e Rilindjes…”, shkruan Luan Rama në rrjetin social Facebook.
Sigal