LRI mbledh Komitetin Drejtues Kombëtar, Meta: Përfaqësoni një fuqi të jashtëzakonshme

491
Pas përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit të votave, Kryetare e Këshillit Drejtues Kombëtar u zgjodh Dajana Kovaçi. Dy Nënkryetarët e rinj të LRI-së u zgjodhën Klevi Pojana së bashku me Rea Kotani, ndërsa Sekretare e Përgjithshme e LRI-së u zgjodh, Ira Vejsiu.
Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, Sekretari i Përgjithshëm, z. Luan Rama, deputetja e LSI-së, znj. Kejdi Mehmetaj, etj.
Në fjalë përshëndetëse gjatë kësaj mbledhjeje, Ilir Meta, pasi uroi Kryetaren e re të LRI-së, Floida Kërpaçin dhe të gjithë ekipin e ri drejtues suksese në këtë mandat, tha se sot Lëvizja Rinore për Integrim përfaqëson sot një fuqi të jashtëzakonshme jo vetëm politike e rinore, por mbi të gjitha plot atdhedashuri.
“Unë besoj se ajo që është shumë shqetësuese për klasën politike ekzistuese në vend është ndenja e atdhedashurisë në marrjen e vendimeve për të sotmen dhe për të ardhmen e vendit. Fatkeqësia më e madhe është që në marrjen e vendimeve dominojnë egoizmi, interesat afatshkurtra dhe të çastit, të grupit, të klanit. Vendime që për fat të keq merren edhe nën shantazhet e problemeve dhe raporteve jo të drejta me ligjin. Ndaj është e rëndësishme për të ardhmen e vendit që ajo të jetë një e ardhme e garantuar të kemi një klasë politike të rinovuar me njerëz të rinj, me ide të reja, të pashantazhueshëm nga askush, brenda dhe jashtë vendit, në mënyrën më vizionare, por dhe më atdhetare”, – tha Kryetari i LSI-së.
Duke u ndalur te suksesi i Kombëtares shqiptare të futbollit në finalet e Evropianit “Francë 2016”, z. Meta theksoi se kjo është arritja më e madhe që Shqipëria falë shpirtit të sakrificës dhe shpirtit të ekipit, mundi një nga ekipet më të njohura edhe në botë. 
“Mundi edhe një vend anëtar të Bashkimit Europian dhe tregoi që ne përfaqësojmë një vend dhe një komb plot talent, që ka arsye për të kërkuar më shumë nga vetvetja në radhë të parë, por edhe për t’u kërkuar të tjerëve që ta respektojnë më shumë. Por ai që nuk respekton veten nuk mund të presim të respektohet nga të tjerët”, – shtoi Kryetari i LSI-së.
Më tej, z. Ilir Meta u shpreh se LRI ka një fuqi të jashtëzakonshme ripërtëritëse dhe vitalizuese, jo thjesht rreth vetes, por në radhë të parë te Lëvizja Socialiste për Integrim. 
“Që gjithë gjeneratat e mëparshme janë të integruara më së miri në të gjitha nivelet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe unë besoj se sfidat që kemi përpara do ta evidentojnë edhe më shumë forcën përfaqësuese të LRI-së dhe unë jam i bindur se më shumë se 50 për qind e kandidatëve përfaqësues të LSI-së për Konventën Kombëtare Zgjedhore të saj, por mbi të gjitha për në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, do të jenë nga të rinjtë e të rejat më të mirë dhe më përfaqësuese të LRI-së. Sepse e tillë është fuqia përfaqësuese dhe rrezatuese e Lëvizjes Rinore për Integrim. Shumica e votuesve të LSI-së i takojnë gjeneratës së re. Dhe unë besoj se ju i keni të gjitha kualitetet, aftësisë dhe eksperiencën, sepse politika ka nevojë edhe për eksperiencë, por ju e keni atë sepse është tashmë një kohë e gjatë që ju jeni të angazhuar dhe jeni pjesë aktive në këtë organizatë në të gjitha aktivitetet e saj, për të realizuar përfaqësim dinjitoz”, – deklaroi z. Meta, i cili shprehu tha se beson shumë te të rinjtë, te ëndrrat e tyre, tek idealizmi i tyre, tek solidariteti i tyre, tek fryma e ekipit që LRI ka kultivuar me aq shumë përkushtim gjatë gjithë këtyre viteve. 
“Nuk besoj se ka organizatë në Evropë si Lëvizja Rinore për Integrim. Është një model që meriton respekt, mirënjohje, mbështetje, fuqizim dhe që shpresoj që të jetë edhe më e vetëdijshme për fuqinë që përfaqëson. Ndaj do t’ju siguroja të gjithë mbështetjen tonë në mënyrë që ju të përgatisni gjithë kapacitet e duhura, në mënyrë që në gjithë sfidat e afërta me të cilat ne dhe ju do të përballohemi, të dalim fitimtarë dhe me sukses, pasi në diskutim nuk është thjesht e ardhmja e secilit prej jush individualisht, por është e ardhmja e vendit. Dhe një e ardhme e sigurt e Shqipërisë, kërkon një rini të ndërgjegjshme, të motivuar, të mirëedukuar dhe të bashkuar”, – u shpreh Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.
Në fjalën e saj para anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Rinore për integrim, Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi u shpreh se rinia shqiptare pret nga LRI një udhërrëfyes të së ardhmes së tyre, ndaj është dhe përgjegjshmëri e madhe për të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave të LRI-së që të jenë shembull për njerëzit dhe veçanërisht për të rinjtë.
“Ne, brezi i ri, liderët e rinj, kemi detyrën për të mbledhur bashkë idealet e çdo individi, për të bashkuar fuqinë e popullit e për ta drejtuar në një drejtim të vetëm, pikërisht aty ku vetë populli do të shkojë, aty ku vetë populli do të mbërrijë. Me energjinë tonë, me ëndrrat dhe vullnetin që kemi, me mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe duke ju njohur dhe ju vetë personalisht, unë kam bindjen e plotë se do t’ia dalim, dhe nëse vazhdojmë punojmë, dita ditës do e bëjmë Shqipërinë më të mirë”, – tha znj. Kërpaçi.
Duke folur përpara anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar, Kryetarja e sapo zgjedhur, Dajana Kovaçi theksoi se LSI është forca politike që i jep mundësi të gjithë të rinjve.
“Duke u falënderuar pafundësisht për votëbesimin tuaj do të doja të shprehja gjithashtu falënderimet e mija edhe për LSI-në që i jep mundësi gjithë të rinjve të zgjidhen por njëkohësisht të ndihen edhe të përfaqësuar. Do të doja të thosha që është e rëndësishme që të fokusohemi që në strukturat tona të kemi bashkëpunim, të kemi mirë organizim dhe të kemi gjithëpërfshirje. Të kemi të rinj në radhët tona që të janë në shërbim gjithmonë të komunitetit”, – u shpreh kryetarja e sapozgjedhur e KDK-së së LRI-së.
Ndërsa, Sekretarja e Përgjithshme e sapozgjedhur e LRI-së, Ira Vejsiu, theksoi se në këtë mandat do të punojë për mirëfunksionimin e strukturave të LRI-së. “Në këtë mandat 4-vjeçar së bashku do të ndjekim organizimin dhe mirëfunksionimin e strukturave të LRI-së që nga bazat, qendra e votimit, deri në strukturat kombëtare të gjimnazistëve dhe studentëve. Pas përfundimit të procesit të organizimit, ristrukturimit dhe reformimit tërësor të Lëvizjes Rinore për Integrim, pas Konventës Kombëtare Zgjedhore, që miratoi ndryshimet e kërkuara statusore dhe programet e rëndësishme që kanë të bëjnë me të gjithë ecurinë dhe veprimin politik dhe organizim të forumit, Komiteti Drejtues Kombëtar i përbërë nga 163 anëtarë, ku 50% e tyre janë vajza, sot votoi dhe zgjodhi strukturat e reja drejtuese. Njëkohësisht doja t’ju komunikoja se Kryesia e re e LRI-së përbëhet nga 19 anëtarë ku duhet theksuar se 60% e tyre janë vajza”, – tha Ira Vejsiu.
Anëtarët e Kryesisë së LRI-së të zgjedhur sot pas votimit
Floida Kërpaçi (Kryetare e LRI-së)
Dajana Kovaçi (Kryetare e KDK-së së LRI-së)
Ira Vejsiu (Sekretare e Përgjithshme e LRI-së)
Klevi Pojana (Nënkryetar i LRI-së)
Rea Kotani (Nënkryetare e LRI-së)
Sara Lleshi (Sekretare Organizative e LRI-së)
Gaetano Doçi (Sekretar për Anëtarësinë)
Fiona Dani (Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun)
Kristi Xharau (Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë)
Dejana Kallogjeroviç
Erklent Krifsa
Arb Shtylla 
Enada Koçiraj 
Kejdi Mehmetaj
Endrit Braimllari
Eriona Bixha 
Eriol Braimllari 
Eduina Ymeri 
Petrika Mele
Sigal