Lotaria Kombëtare, Rama: Jo bixhoz, ku qytetarët paguajnë, e pushtetarët fitojnë!

574
Sigal

Pas denoncimit që i bëri  tenderit për lotarinë kombëtare, duke i shkruar edhe një letër Kancelarit Austrak, ku cilësonte si të trukuar termat e tenderit shqiptar në favor të “Austrian Lotteries”, lideri i opozitës, Edi Rama ka sqaruar në një editorial se qëllimi i letrës për Kancelarin Austrak nuk kishte të bënte me vetë kompaninë, por me ato që i quan “procedura të errta”, që nxjerrin fitues “të parafabrikuar”. Në editorialin e tij, Edi Rama shkruan se “Partia Socialiste nuk pranon politikëbërjen e korruptuar që ka imponuar këto procedura për synime të cilat, haptazi, bien ndesh me interesin publik, madje deri edhe me interesin e me sigurinë kombëtare në raste të veçanta”.  Duke sqaruar pozicionin e opozitës shqiptare se “ajo nuk mund të pranojë që Lotaria Kombëtare të kthehet në një bixhoz ku shqiptarët paguajnë ndërsa pushtetarët fitojnë”, Edi Rama thekson se, në projektin e opozitës parashikohet që “Paratë e përfituara nga organizimi i lojës, shteti duhet t’ua kthejë qytetarëve në formë shpenzimesh kapitale për politika të natyrës sociale, që Partia Socialiste ka planifikuar t’i menaxhoje për sportin dhe rininë. Ndërsa kompania që do ta menaxhojë Lotarinë Kombëtare, do të marrë fitimin që i takon”. Zoti Rama thote se, “kompania nuk mund të marrë fitimin që i takon popullit, ashtu siç parasheh, sipas tij,  procedura mirëfilli klienteliste e qeverisë shqiptare ku lexohej qysh në nisje se kush do ishte fituesi”. Ky editorial i ka shërbyer Edi Ramës jo vetëm për të trajtuar çështjen e lotarisë kombëtare dhe qëndrimin ndaj tenderit të fituar nga kompania austriake. Në editorial, kreu i opozitës, trajton edhe një nga pikat e nxehta të debatit me qeverinë, atë të dhënies me koncesion të pasurive kombëtare. Më herët, zoti Rama ka deklaruar se me ardhjen e saj ne pushtet, Partia Socialiste do të verifikojë ligjshmërinë e këtyre koncensioneve dhe do të anulojë çdo koncension të dhënë nën ndikimin e korrupsionit. Këtë proces Edi Rama e cilëson “si një proces të domosdoshëm transparence për shitjen e Shqipërisë gjatë këtyre viteve”. Ky proces, sipas kreut të opozitës, “nuk nënkupton një gjueti shtrigash ndaj biznesit, por mbylljen me kurajo dhe ligjshmëri të rrugës së korrupsionit absolut, ku pasuritë e vendit transferohen në pak duar të lidhura ngushtësisht me këtë qeveri”, e cila, siç shkruan Edi Rama “synon të kthehet në një pushtet absolut”. “Askush përveç shitësve të Shqipërisë nuk duhet t’i ndruhet kësaj transparence. Ne as kemi thënë dhe as kemi menduar ndonjëherë të zmbrapsim çdo vendim që është marrë apo të zhbëjmë çdo gjë që është bërë. Asnjë kompani apo individ që ka nënshkruar një kontratë koncesionare me shtetin apo ka përfituar një pasuri publike përmes një procesi privatizimi nuk duhet t’i trembet transparencës, nëse nuk e ka shkelur kontratën apo nuk ka përfituar nga shkelja e ligjit”, shkruan Edi Rama në editorialin e tij.

Duke përforcuar këtë qëndrim, kreu i opozitës u thotë shqiptareve se ata “duhet ta kuptojnë se, në sa më pak duar të jetë e përqendruar pasuria përmes sistemit të korrupsionit absolut, aq më shumë krahë do të mbeten të papunë dhe aq më pak liri e të drejta do të ketë për çdo individ”. Kur kanë mbetur vetëm 10 muaj nga zgjedhjet parlamentare, kreu i opozitës beson se “kryeministri Sali Berisha po synon të përjetësoje pushtetin përmes marrjes së kontrollit të plotë mbi paranë e mbi çdo institucion të këtij vendi”. “Sot ky është udhëkryqi”, shkruan Edi Rama, “ose një rënim i mëtejshëm përmes korrupsionit absolut që do ta vendosë Shqipërinë nën një pushtet absolut, ose një Rilindje Shqiptare përmes një rruge të re që do ta fusë Shqipërinë në drejtimin e merituar”. Dhe me këtë arsyetim, lideri i opozitës shkruan se është i hapur ndaj kritikave, por ai thotë se “nuk mund të pajtohet kurrsesi me ata qe “të keqen sunduese në pushtet e relativizojnë duke thënë se edhe opozita është njësoj”. Këta njerëz, Edi Rama i cilëson si “shpirtra të skllavëruar që gjejnë justifikime për të mbajtur në këmbë në mes të Europës sot, një pushtet që synon të kthehet në absolut përmes korrupsionit absolut”.