Loja e madhe abuzive e Ramës me konçesionin e Rrugës së Kombit

6
Në janar 2016 në Ministrinë e Transporteve u ngrit Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) për koncesionin e Rrugës së Kombit. Në shkurt të 2016 u shpall tenderi ndërkombëtar “Koncesion/PPP për ndërtim, operim, mirëmbajtje dhe rehabilitim të Autostradës Milot-Morinë” me fond limit 6,02 miliardë lekë (rreth 45 milionë euro), pa TVSH dhe u publikua në sistemin elektronik të Komisionit së Prokurorimeve Publike (KPP) nën varësi të Kryeministrit Rama. Në maj 2016, KVO-ja hapi ofertat e ardhura në KPP.
Në tender ishin paraqitur tre konkurentë:
1. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst Viva Das General Constructing“, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati sha“ dhe “Salillari shpk”—një kompani saudite, dy greke dhe dy shqiptare;
2. Bashkimi i përkohshëm i “Vendeka Bilgi Teknolojileri ”, “Vendeka Europian Investment”, “PT Citra Marga Nusaphala Persada” “Mehmet Ai Unal Insaat Taahhlil Madencilik” ,“Savronik Sistem”—të gjitha kompani turke;
3. Kompania Luman Biba—kompani shqiptare.
Në fillim të korrikut të 2016, Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC)—pjesë e grupit të Bankës Botërore— e cila kishte bërë studimin e fizibilitetit për koncesionin dhe ishte këshilltare e qeverisë në tender, i dërgoi Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës rekomandimet e saj. Në bazë të remomandimeve të IFC-së, më 22 korrik 2016, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi të skualifikojë për mungesë përvoje në menaxhim autostradash me pagesë—kriter kryesor i vlerësimit—kompaninë Luman Biba dhe konsorciumin e udhëhequr nga Catalyst, ku bënte pjesë edhe Kastrati me Salillarin. Si rrjedhojë, KVO shpalli po atë ditë fitues konsorciumin turk të udhëhequr nga Vendeka.
Dhjetë ditë më vonë, më 1 gusht 2016, bashkimi i shoqërive të udhëhequr nga Catalyst, ku bënte pjesë Kastratin dhe Salillari, kundërshtoi vendimin e komisionit të vlerësimit të tenderit dhe paraqiti ankesë në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP).
Më 26 gusht 2016, KPP pranoi ankesën e Catalyst, Kastratit dhe Salillarit dhe anulloi vendimin për shpalljen fitues të konsorciumit të udhëhequr nga Vendeka. Në mënyrë të pashpjegueshme dhe kundër rekomandimit të IFC-së, KPP përjashtoi nga konkurimi Vendekën dhe rifuti në konkurim konsorciumin Catalyst-Kastrati-Salillari. Në shtator 2016, KPP shpalli fitues konsorciumin Catalyst-Kastrati-Salillari.
Shkeljet në tender
1. Shkelja e afatit të ankimimit
Koncesioni i Rrugës së Kombit u bë me procedurë të veçantë të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe jo nga ndonjë ligj. Arsyeja është se këto lloj koncesionesh, qeveria Rama i përjashtoi nga Ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat (Ligji 125 /2013). Në korrik 2014, më anë të Ligjit 88/2014, qeveria Rama vendosi që të përjashtojë nga ligji i koncesioneve “koncesionet e punëve publike për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, kur ato paraqesin rëndësi të veçantë për infrastrukturën rrugore të vendit”, duke lënë të lirë që ato të rregullohen me anë të “dispozitave të tjera ligjore ose nënligjore.” E thënë ndryshe, qeveria Rama vendoi që koncesionet e rrugëve kombëtare të mos përcaktohen dhe rregullohen me ligj, por me vendim qeverie—pra të përcaktohen nga vetë Kryeministri sipas vullnetit të tij, pa ndonjë kufizim apo pengesë ligjore.
Për këtë qëllim, në tetor 2014, Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin Nr. 634 me objekt dhënien me koncesion ose PPP të rrugëve kombëtare. Neni i 32 i kësaj VKM-je shprehet se në rastin e tenderave të koncesioneve të rrugëve kombëtare kompanitë që nuk janë dakord me vendimet e komisioneve të vlerësimit të ofertave duhet të paraqesin ankesë në KPP “brenda 5 ditëve kalendarike nga data e njoftimit“ të fituesit nga komisionet e vlerësimit të ofertave.
Në rastin tenderit për koncesionin e Rrugës së Kombit, ankimimi i paraqitur nga Catalyst në bashkëpunim me Kastratin dhe Salillarin 10 ditë pas njoftimit të fituesit—njoftimi u bë më 22 korrik, dhe ankimimi u bë më 1 gusht, kur 27 korriku ishte afati i fundit.
2. Shkelja e rekomandimeve të IFC-së dhe kritereve të tenderit
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në vendimin e fituesit u bazua në rekomandimet e IFC-së, ku rekomandimi kryesor ishte përvoja e operatorit në mirëmbajtjen e autostradave me pagesë.
Në vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, më korrik 2016, është arsyetuar se:
a) Bashkimi i përkohshëm të shoqërive Catalyst Viva Das General Constructing, Violap Ateve, Bee Tech, Kastrati dhe Salillari nuk ka kualifikimet e nevojshme për të realizuar këtë kontratë. Ky bashkim ka vërtetuar përvojën e tij në ndërtim, mirëmbajtje të rrugëve, operimin në tunele dhe deri diku dhe mirëmbajtje të urave, por nuk ka përvojë në operimin e rrugëve me pagesë, i cili është dhe kriteri me i rëndësishëm i kualifikimit në këtë projekt.
b) Oferta financiare e bashkimit të përkohshëm të Catalys paraqet një strukturë financimi jo optimale për një projekt të kësaj natyre, sidomos për termat e propozuara për financimin e huasë. Konkretisht Ministria ka mundësuar për 13 vjet pagesën për subvencionet vjetore me qëllimin e lejimit të ofertuesit për të marrë financime nga huadhënësit me afat të gjatë, e cila duhet të rezultojë në një propozim financiar më të mirë. Oferta financiare e Catalyst propozon pagesën e huasë për një periudhë 5 vjeçare, që çon në qarkullim financiar, gjatë periudhës së ripagimit të huasë, të pamjaftueshëm për të mbuluar detyrimin për pagimin e huasë dhe do të çonte kompaninë në mospermbushje të detyrimeve.
c) Bashkimi i përkohshëm i kompanive i udhëhequr nga Catalyst nuk ka vërtetuar përvojë në financimin e projekteve të ngjashme gjë që vë në dyshim aftësinë e tyre për të gjetur fondet e nevojshme për aktivitete që lidhen me këtë projekt.
Ndërsa përsa i përket ofertës së shpallur fituese, të bashkimit të përkohshëm të shoqërive Vendeka, Komisioni i Vler?simit te Ofertave konstatoi se:
“Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm Vendeka sipas informacionit që ka paraqitur mendojmë se ka kualifikimin e nevojshëm për të realizuar me sukses këto kontratë koncesionare. Mendojmë se devijimet nga kërkesat e parakualifikimit që janë konstatuar nga komisioni si më sipër nuk janë të një natyre materiale dhe në një këndvështrim gjithëpërfshirës ky bashkim ka paraqitur prova të mjaftueshme për plotësimin e kualifikimeve teknike, financiare dhe ligjore.“
Por Komisionin i Prokurimit Publik në varësi të Kryeministrit Rama, pas ankesës jashtë afateve ligjore të Catalyst me Kastratin dhe Salillarin rifut në garë ata dhe përjashton fituesin, duke e bërë bashkimin Catalyst, Kastrati dhe Salillari fitues të tenderit.
3. Ndryshimi i menjëhershëm i konsorciumit koncesionar
Në shkurt 2017, pas nënshkrimit të kontratës dhe para fillimit të zbatimit të koncesionit, bashkimi i kompanive fituese ndryshoi: dy kompanitë shqiptare Kastrati dhe Salillari blenë 60 përqind të konsorciumit që e kishin tre kompanitë e huaja, duke u bërë pronarët e vetme të konsorciumit. Vlera totale e të ardhurave të pritshme të koncesionit është afërsisht 400 milion euro, por 60 për qind të pronësisë së tij Kastrati dhe Salillari i blenë për rreth 430 mijë euro.
Kompanitë e huaja që u larguan ishin ato që zyrtarisht plotësonin një sërë kriteresh të tenderit përfshi atë të përvojës së mëparshme. Largimi i tyre e bëri tenderin e zhvilluar praktikisht të pavlefshëm.