“Lobimi rus” ndez politikën e Tiranës. PD: Lojë e Ramës me paratë e krimit. Ambasada e Moskës: Trillime absurde

205
Lobimi rus, PD: Lojë e Edi Ramës me paratë e krimit
Partia Demokratike hedh poshtë akuzat e socialistëve për lidhje financiare me njerëzit e Moskës. Reagon edhe ambasada ruse
Partia Demokratike hodhi poshtë akuzat e ardhura nga Partia Socialiste dhe një pjesë e medias se ka përdorur financime apo lobistë të lidhur me Moskën gjatë aktivitetit të saj politik. “Makina e propagandës së Edi Ramës ka prodhuar një shkrim me pagesë në një media të majtë të dorës së dytë për të shpifur për financimin e Partisë Demokratike. Shkrimi është qesharak për nga përmbajtja dhe skandaloz për nga falsifikimi i fakteve dhe kapërcimet logjike. Shkrimi është produkt i një fushate të gjerë që ka ndërmarrë Edi Rama, të financuar nga burime të paligjshme që vijnë nga bota e krimit dhe e korrupsionit”, theksohet në një deklaratë të selisë blu. Sipas demokratëve, synimi i këtij shkrimi është dekurajimi i opozitës. “Kjo fushatë ka për qëllim të shkurajojë përpjekjet e opozitës dhe të çdo faktori tjetër kundër drogës dhe krimit. Fushata e financuar me burime të paligjshme po bëhet tani që Edi Rama po ushtron presion për të mbyllur hetimet ndaj Saimir Tahirit dhe për të mos hetuar garantuesin politik të trafikut të kokainës kolumbiane”, nënvizoi Partia Demokratike. Forca politike e drejtuar nga Lulzim Basha deklaroi se nuk ka shkelur asnjë ligj, në Shqipëri apo SHBA, referuar akuzave se ka përdorur financime okulte për një foto-takim të kryedemokratit me presidentin amerikan, Donald Trump. “Partia Demokratike nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka pasur e nuk ka asnjë lidhje direkt apo indirekt me individë apo kompani ruse. Përpjekja e Edi Ramës dhe e mercenarëve të tij për të implikuar Partinë Demokratike është betejë shterpë. Asgjë nuk do ta largojë Partinë Demokratike nga lufta kundër drogës, krimit dhe kapjes së shtetit nga interesat kriminale. Sikurse kemi bërë çdo ditë për më shumë se katër vjet, do të vazhdojmë çdo ditë derisa kriminelët në politikë dhe në rrugë të dalin para drejtësisë”, deklaroi partia kryesore e opozitës. Sipas PD-së, “të gjithë ata që sot joshen nga mbrojtja dhe paratë që u jep Edi Rama për të punuar kundër interesit të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre evropiane, nuk do të ketë kush t’i mbrojë nesër para drejtësisë”.

PS: Lidhjet e demokratëve me Kremlinin
Partia Socialiste akuzoi Partinë Demokratike për lobingjet në Shtetet e Bashkuara përpara zgjedhjeve të vitit të shkuar. Sekretari i Përgjithshëm socialist, Taulant Balla, tha se fotoja e Bashës me Presidentin Trump dhe mbështetja e një numri kongresmenësh, në prag të zgjedhjeve, i ka kushtuar PD-së me qindra mijëra dollarë, prejardhja e të cilave, sipas tij, nuk është bërë asnjëherë e ditur nga Lulzim Basha. Balla citoi një portal amerikan, që sipas tij, nxjerr të dhëna të reja skandaloze që e lidhin Partinë Demokratike me Kremlinin. “Sipas këtij investigimi të bazuar mbi dokumentet zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Nick Muzin, lobuesi kryesor i demokratëve në SHBA, është paguar, jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga një kompani fantazmë e regjistruar në Skoci, e quajtur “Biniatta Trade”. Kontrata e depozituar në Departamentin e Drejtësisë nuk lë vend për dyshime. “Biniatta” ka paguar 150 mijë dollarë direkt për llogari të Partisë Demokratike si “kompensim shpenzimesh për Muzin”. Në vijim janë paguar edhe tre këste të tjera me nga 150 mijë dollarë secila, si dhe një pagesë fillestare prej 500 mijë dollarësh, në total 1 milion dollarë”, u shpreh Balla. Sipas tij, investigimi i “Mother Jones” tregon se pronarët e vërtetë të “Biniatta Trade” janë dy shtetas rusë. “Evgeni Sheremetijev, njëri prej ortakëve, ka të regjistruar në Rusi një kompani shërbimesh ligjore dhe një numër kompanish të tjera shërbimesh. Të dhënat tregojnë se ai, duke shfrytëzuar lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin, ka fituar një numër tenderësh të qeverisë ruse. Pra “shërbimet e tij ligjore” janë pajtuar nga vetë qeveria ruse, duke sjellë për Sheremetijevin përfitime të jashtëzakonshme. Ortaku i dytë quhet Konstandin Ferulev, gjithashtu pronar i një numri kompanish në Rusi. Reporteri amerikan tentoi të shkonte në zyrën e tij të regjistruar në një qiellgërvishtës në Moskë, por zbuloi se ajo mund të aksesohej vetëm përmes një hyrje private”, tha Balla.