Lobimi në SHBA, Balla sulmon sërish Bashën: Deklaro burimin e parave

474
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është kundërvënë sërish Lulzim Bashës sa i takon kontratës së lidhur nga kryedemokrati me një kompani Amerikane lobimi nën dyshimet se është fshehur burimi i financimi. Në një status në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Balla ka pyetur Bashën se cili është burimi i atyre parave.
Mes të tjerash socialisti i ka bërë thirrje kreut të KQZ, Klement Zgurit dhe administratës që të mos bëjnë asnjë regjistrim deklarimi shpenzime shtesë nga ana e subjektit politik PD, apo ndonjë falsifikim protokolli.
Kujtojmë se dje Prokuroria nisi hetimet përkontratën e lidhur nga Basha me këtë kompani Amerikane lobimi, pasi ka dyshime se është fshehur burimi i financimi.
REAGIMI I BALLËS
Lulzim Basha po fshihet nga përgjegjësia ndaj shqiptarëve por edhe anëtarësisë së Partisë Demokratike për të sqaruar skandalin ku e ka futur këtë parti.
Sigurisht që fillimi i hetimeve nga Prokuroria mbi kontratën e paligjshme të Lulëzim Bashës me një kompani të huaj, të paguar nga një burim i padeklaruar parash, është një detyrim ligjor.
Por Lulëzim Basha duhet të përgjigjet menjëherë cili është burimi i atyre parave?
Pse nuk i ka deklaruar ato para dhe ato pagesa në KQZ dhe si kanë përfunduar në një parajsë fiskale? I bëj thirrje Klement Zgurit dhe administratës së KQZ të mos bëjnë asnjë regjistrim deklarimi shpenzime shtesë nga ana e subjektit politik PD, apo ndonjë falsifikim protokolli për gjoja deklarim të mëparshëm, sepse është vepër e rëndë penale, prishje e provave të veprës penale.
Ku i ka gjetur Partia Demokratike dhe Lulzim Basha këto shuma marramendëse parash? 1 milion dollarë? Këta që flasin për ditë për para të pista, e vota të blera, ku i kanë gjetur 1 milionë dollarë?
Pse Lulzim Basha ka përdorur llogaritë e një kompanie off-shore për të bërë pagesa në emër të Partisë Demokratike?
Cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP”, e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë, nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.
Në emër të kujt janë regjistruar kompanitë off-shore në Belizë?
A ka dijeni Lulzim Basha se kush janë personat nga Shqipëria që kanë tranferuar para në llogaritë e kompanive off-shore në Belizë, dhe më pas tek Binniatta Trade, për të përfunduar në pagesa për llogari të Partisë Demokratike?
Kush janë lidhjet e Lulzim Bashës me këta persona? A ka lidhje familjare me ndonjërin nga personat me llogari bankare në Belizë?
A është financuar Partia Demokratike nga para të pista nga persona të dyshuar për veprimtari kriminale?
Kujtojmë edhe një herë se Lulzim Basha dhe askush tjetër e di të vertetën e përdorimit të vulës së kryetarit të PD për këtë makinacion financiar që do të kishte tronditur çdo parti politike në çdo vend demokratik.
Sigal