llir Meta: Kongresi i Përmetit shpëtoi vendin nga copëtimi, burim frymëzimi për shqiptarët!

478
Sigal

Krerët e Partisë Socialiste, të Lëvizjes Socialiste për Integrim, grupet komuniste të bashkuar në lëvizjen Fronti i Majtë Shqiptar, përfaqësues të pushtetit vendor dhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare morën pjesë dje në ceremoninë për 70-vjetorin e Kongresit të Përmetit.

Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta, vlerësoi Kongresin e Përmetit duke theksuar se në këtë Kongres u morën vendime të cilat përshpejtuan arritjen e çlirimit të atdheut në 29 Nëntor. Ilir Meta theksoi se, Kongresi i Përmetit, duke ecur në gjurmën e Konferencës së Pezës, realizoi atë hop të jashtëzakonshëm sasior dhe cilësor të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare e cila në pak muaj u shumëfishua dhe u bë e aftë jo vetëm që të çlirojë të gjithë qytetet e Shqipërisë, por njëkohësisht, u bë e aftë për ta ndjekur pushtuesin deri në Bosnjë. “Ne vijmë sot këtu në Përmet dhe përkulemi me respekt të thellë ndaj atyre që realizuan Kongresin e Përmetit, por njëkohësisht, përkulemi me respekt të thellë ndaj popullit të Përmetit, këtij populli patriot dhe mjaft mikpritës, këtij populli që ka nxjerrë figura të jashtëzakonshme dhe madhore të historisë sonë, të Rilindjes sonë, të atyre burrave të mençur të cilët i çuan shqiptarët drejt 28 Nëntorit të vitit 1912. Duhet të jemi krenarë sepse pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, Shqipëria nuk do të ekzistonte. Shqipëria do të ishte copëtuar”. Kryetari i Kuvendit u shpreh se Shqipëria përveç Bashkimit Sovjetik, ishte i vetmi vend që jo vetëm u çlirua me forcat e saj, por arriti që të kontribuojë në luftën kundër okupatorit edhe jashtë vendit. Ne nuk mundet kurrsesi të lejojmë, që të hidhet baltë mbi luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, të hidhet baltë mbi dëshmorët e atdheut sepse ata janë krenaria jonë e përjetshme dhe janë një frymëzim për ne për të bërë më të mirën.

Gramoz Ruçi: Nuk kemi komplekse nga e kaluara e lavdishme, PS-LSI vlerëson LANÇ-in

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruçi, u shpreh se ky 24 Maj është i veçantë pasi hodhi themelet e 29 Nëntorit që është 70 vjetori i Çlirimit të Atdheut. Historia e luftës është e lavdishme, ndërsa veçoi si të paharruar Konferencën e Pezës dhe Kongresin e Përmetit. “Ja pse së bashku me Kryetarin e Parlamentit, z. Meta, ja pse së bashku me dy ministra, z. Ahmetaj dhe Veliaj, ja pse së bashku me të gjithë kolegët deputetë të dy forcave politike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, dy forca politike që e kanë në themel të programit të tyre lavdinë, historinë, patriotizmin, atdhetarizmin dhe s’kemi asnjë kompleks nga e kaluara, se e kaluara jonë është e lavdishme. Pikërisht në këtë sallë ku u mblodhën edhe të majtë edhe të djathtë, u vendosën shumë gjëra të rëndësishme, por tre janë në themel të kësaj dite që jemi ne. Fronti për të çliruar në një luftë frontale Shqipërinë, për të vendosur një Shqipëri të lirë dhe demokratike dhe për të çliruar jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë trojet shqiptare”, u shpreh z. Ruçi.

   

Sali BERISHA: Klika punisto-mafioze në pushtet feston me Enver Hoxhën

Përfaqësuesit më të lartë të klikës punisto-mafioze në pushtet festuan me portrete të Enver Hoxhës, 70 vjetorin e Kongresit të Përmetit, një nga datat më të zeza të historisë sonë kombëtare. Nderimi i ditës që themeloi në Shqipëri diktaturën më të egër të historisë së Europës së Pasluftës, ditës që varrosi idealet e lirisë së shqiptarëve, për të cilat ranë për t’ u bërë të pavdekshëm mijëra e mijëra shqiptarë në Shqipëri dhe mbarë trojet shqiptare. Ata që kremtuan sot ditën e themelimit të diktaturës hoxhiste, regjimit më barbar që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, shkelmuan dhe përdhosën sagën e vuajtjeve, torturave, persekutimeve, urisë kronike dhe izolimit më të thellë të shqiptarëve, që Enver Hoxha, i quajtur Hitleri shqiptar i Pasluftës dhe regjimi i tij mizor i’ u shkaktoi atyre. Festimet me Enver Hoxhën dhe nderimi i datës së themelimit të regjimit më barbar të kohërave në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat, janë një tallje cinike e klikës punisto-mafioze e vendimit historik të BE-së për Shqipërinë. Ky regjim duket se po legalizon moton “me Enver Hoxhën drejt Europës”.

  Gent Strazimiri:Në Përmet rikthyen Enverin, duhet të rrëzojmë “Edverin”

 Deputeti demokrat Gent Strazimiri e ka konsideruar, provokim për shqiptarët, rikthimin e simboleve të diktaturës, siç u pa në Përmet dhe bëri thirrje për të rrëzuar Enverin dhe “Edverin”. Sipas Strazimit, ky është krim ndaj historisë dhe varreve pa eshtra. Sipas tij, për cilindo që dyshonte apo që ende i pëlqen të mos besojë se “Rilindja” e 23 Qershorit ishte thjesht rikthim në të kaluarën më të errët të Shqipërisë, pas ngjarjeve të turpshme në Përmet, kjo është krejtësisht e pamundur. Mbledhja e bandës së kuqe në Përmet në 24 Maj të vitit ’44, nuk kishte lidhje aspak me luftën që ende vazhdonte e përgjakshme, nuk kishte asnjë lidhje me “anti-fashizmin”, nuk vendosi për asgjë “nacionale” e aq më pak çlirimtare- tha ai, duke e lidhur me realitetin, por “banda në Përmet, vendosi të fillojë e të mbajë lart “Luftën e klasave”. Deputeti i PD-së theksoi se “më 24 Maj të viti ’44, në Përmet, fashizmi dhe zgjedha e urryer e këmishëzinjve thjesht ndërroi këmishe: u vesh me këmishë të kuqe. 70 vjet pas kësaj ngjarjeje të zezë në historinë e Shqipërisë, të provokosh shqiptarët e gjallë të vdekur, viktima të “fashizmit të kuq”, me simbolet, fjalët dhe konceptet perverse të Enver Hoxhës, është sakrilegj, është dhunimi më i tmerrshëm i mijëra varreve ende pa eshtra, është krim ndaj historisë dhe së ardhmes njëkohësisht.