Lleshi rrëzon paketën “Xhafaj”, vettingun do ta bëjë SHÇBA

506
Sigal

Qeveria pa vizion. Ministri i Brendshëm ndryshon procedurën e  vettingut në polici

Qeveria tregohet që nuk ka vizion në projekte, por çdo ligj që nxjerr sot e miraton për t’u shërbyer interesave të caktuara të një grupi njerëzish, por, njëkohësisht, nuk e ka aspak problem, që ligjet që miraton sot, t’i shthurë nesër, për shkak se ndryshojnë raportet e interesave midis grupeve të interesit të zyrtarëve e drejtuesve të ministrive.

Ministri Lleshi rrëzon paketën “Xhafaj” për vettingun

Ministria e Brendshme e drejtuar nga Sandër Lleshi çon në qeveri një ligj të ri për vettingun në Policinë e Shtetit duke rrëzuar krejt paketën ligjore të hartuar në kohën e Fatmir Xhafajt. Sipas draftit që pritet të kalojë në qeveri, vettingun e Policisë dhe Gardës, do ta bëjë SHÇBA dhe jo komisionet e posaçme. Ndërkohë që drafti pritet të kalojë në qeveri, është e paqartë çfarë do të ndodhë me procesin e vettingut që tashmë ka disa javë që ka nisur me ligjin e vjetër të hartuar në kohën e Xhafajt. Ministria e Brendshme ndryshon ligjin për vettingun në radhët e uniformave blu në një kohë kur procesi ka disa javë që ka nisur me verifikimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu. Në relacion thuhet se shkak kryesor për hartimin e ligjit të ri, ka qenë barra financiare e konsiderueshme në buxhetin e shtetit, e vlerësuar në rreth 3 milionë dollarë. Drafti i ri parashikon  ngritjen e vetëm një komisioni me 15 anëtarë e duke shkrirë dy komisionet e tjera që parashikohej të kishin rreth 240 punonjës. Në ndryshim nga ligji i hartuar në kohën e Fatmir Xhafajt, që parashikonte nisjen e vettingut nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe vazhdimin e procesit me nivelin drejtues, të mesëm dhe ata të rolit bazë, drafti i ministrit Lleshi parashikon që dy komisionet e tjera të mos ngrihen fare dhe punën e tyre ta bëjë SHÇBA. Drafti i fundit i hartuar nga Ministria e Brendshme parashikon që së pari në vetting të kalojnë efektivat e SHÇBA dhe më pas, të jetë kjo strukturë që do të bëjë kontrollin e efektivave të tjera.

Kush e ka përgjegjësinë për zvarritjen 2 vjeçare të Vettingut?

Kush e ka përgjegjësinë për zvarritjen 2 vjeçare të vettingut? Në paketën “Xhafaj” për vettingun ishin parashikuar shpenzimet financiare, madje edhe ishin dhënë nga qeveria. Si ka mundësi që tani kjo barrë financiare është shkaku të anulohet ajo paketë? Kush do të paguajë koston financiare të deritanishme? Mos vallë ministri Lleshi, duke qenë gjeneral, kërkon që të punojë me logjikë militare edhe në Ministrinë e Brendshme? Që edhe me anë të këtij vettingu me SHBÇA, të marrë në dorë edhe kontrollin e Policisë së Shtetit, duke e kthyer praktikisht në shërbim të ministrit të Brendshëm,  pavarësisht, se Policia e Shtetit ka pavarësinë nga ministri i Brendshëm. Një shembull tipik ishte edhe mungesa e investigimit që duhet të bënte SHBÇA për përdorimin e gazit helmues nga Policia e Shtetit në protestat e fundit të opozitës. Ndoshta, sepse urdhëruesi hamendësojmë se do të ketë qenë ministri i Brendshëm.

Për ish-drejtues në Policinë e Shtetit: Procesi i vettingut selektiv, instrument politik

Për ish-drejtues në Policinë e Shtetit procesi i vetingut është selektiv dhe do të përdoret si instrument politik. “Ligji për vettingun në policinë e shtetit është populist. Është më shumë për show mediatik, për konsum politik sesa realisht dhe praktikisht do gjejë zbatim. Për mua do të jetë gjueti shtrigash, do i vënë nën trysi punonjësit e policisë së shtetit, çka do të thotë se do të ulin rendimentin e punës. Ose që politika nën presionin e vettingut do t’i përdorë për qëllimet e veta”, shprehet një ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit.