Llalla: Vetting-u të mos keqpërdoret

465
Gjatë analizës së punës së Prokurorisë së Shkodrës, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla tha se procesi i vetting-ut është shumë i rëndesishëm, por nuk duhet të përdoret nga askush në asnjë mënyrë për të imponuar prokurorët në vendimmarrje.
“Analiza vjetore përkon me momentin që po kalon sistemi i drejtësisë me atë të zbatimit të reformës në drejtësi, moment tepër i rëndësishëm për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të institucionit tonë. Tashmë, kjo reformë me mjaft risi për mënyrën se si ligjvënësit kanë vlerësuar të funksionojë institucioni i prokurorisë, por paraprakisht është vlerësuar që gjithë ne të kalojmë procesin e vetting-ut, proces që do fillojë së shpejti me ngritjen e strukturës së posaçme”, tha Llalla.
Kryeprokurori e quajti të rëndësishëm procesin e vetting-ut, por tha se është kundër përdorimit për t’ju imponuar në vendimmarrje prokurorëve: “Procesi i vetting-ut është moment shumë i rëndësishëm në punën tonë, por gjithsesi nuk mund të përdoret nga askush, në asnjë mënyrë, për të imponuar prokurorët në vendimmarrjet e tyre. Të gjithë duhet të jenë të pavarur në vendimmarrje”.
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla tha për atë që e quajti krimin më të përhapur në vend, kultivimin e drogës, çështjet me procedim me autorë janë akoma të ulta: “Një vend në volumin e punës së prokurorisë me ngarkesë më të madhe zënë trafikimi e kultivimi i lëndëve narkotike që është e përhapur në gjithë territorin. Prokuroria, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, ka vijuar hetime për këto raste, por sërish numri i procedimeve penale me autorë është tepër i ulët. Problematikë tjetër e ndeshur është rritja e shpërdorimit të detyrës, ku punonjës shtetërorë abuzojnë me detyrën e tyre. Procedimet penale për këto raste kanë qenë në rritje, ashtu siç ka nevojë më tej për trajtim lidhur me rastet e veprave penale të korrupsionit apo në dogana e tatime”.
Sigal