Llalla: Trafikantët ndihmohen nga ata që duhet t’i luftojnë

442
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, akuzoi strukturat shtetërore që duhet të luftojnë trafikun e drogës, se po i ndihmojnë trafikantët. Shefi i organit të akuzës tha dje, se në shumë raste narkotrafikantët ndihmohen nga individë që kanë për detyrë t’i luftojnë ata. Deklarata e Llallës vjen në momentin kur prokuroria ka deklaruar se ka dyshime për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në mbështetje të një organizate italo-shqiptare që trafikonte marijuanë. Për këtë, organi i akuzës ka kërkuar edhe arrestimin e Tahirit. Kryeprokurori Adriatik Llalla duket se ju referua pikërisht këtij rasti, kur në një konferencë për luftën kundër narkotikëve tha se “hetimet e Antimafias Italiane, së fundmi, kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë tonelata lëndë narkotike kanabis ne shume raste kjo është realizuar dhe me mbështetjen e individëve që kanë për detyre goditjen e këtij krimi”. Në të njëjtën kohë, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se “është shumë e rëndësishme që prokurori, në çdo rast, të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pa frikësuar, edhe në ato raste kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë publikë”. Shefi i prokurorisë deklaroi se institucionet shqiptare, sipas detyrave e detyrimeve të përcaktuara në kompetencat e tyre ligjore, duhet të jenë më efikase në veprimet në terren. “Këtu e kam fjalën edhe për institucionet që kanë për detyrë parandalimin, mbledhjen e informacionit, identifikimin dhe referimin në organin procedues të çdo rasti, si të individëve, ashtu edhe të grupeve kriminale që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Gjithashtu, është e rëndësishme që të sigurohet një kontroll më i rreptë i vijës kufitare me mjetet që kanë në përdorim, me qëllim zbulimin në kohë të rasteve të trafikut të lëndëve narkotike. Faktet tregojnë se këto institucione, më së paku, nuk kanë përmbushur detyrën e tyre”, tha Llalla. Sipas tij, lufta kundër kanabisit është prioritet mbi prioritetet për shtetin shqiptar. “Disa muaj më parë, qeveria shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka hartuar një strategji kombëtare në luftën kundër kanabisit, strategji e cila aktualisht është duke u përmirësuar”, u shpreh Llalla.
Sigal