Llalla tërhiqet nga drejtësia

533
Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka njoftuar Presidentin e Republikës, Ilir Meta, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, se ka hequr dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë shqiptare. Ligji parashikon që pas përfundimit të detyrës, Prokurori i Përgjithshëm mund të emërohet gjykatës i Apelit. Këtë njoftim Llalla ia ka nisur për dijeni dhe organeve të ngarkuara me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ish-prokurori i Përgjithshëm është në listën e drejtuesve të lartë të sistemit të drejtësisë, emrat e të cilëve po i nënshtrohen këtij procesi. Tërheqja për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë duket se mund t’i japë atij mundësinë që verifikimet të ndërpriten, ndonëse ky rast mund të hapë polemika mbi interpretimin e ligjit, i cili parashikon që “subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji… Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit”. Por ky nen u analizua nga Gjykata Kushtetuese, kur vitin e kaluar dy shoqatat e gjyqtarëve që veprojnë në Shqipëri, ju drejtuan Gjykatës për të shfuqizuar ndër të tjera dhe shprehjen “jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”. Në vendimin e saj të dhjetorit të kaluar, Gjykata nuk e ka marrë parasysh kërkesën për shfuqizim, duke e quajtur nenin plotësisht kushtetues, por në interpretimin e saj Gjykata thekson se “për sa kohë që subjekti i rivlerësimit është në detyrë dhe procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar ende, ai ka të drejtën të japë dorëheqjen dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”. Në një rast të tillë sipas Gjykatës Kushtetuese zbatohen parashikimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës sipas së cilit “subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.
Sigal