Llalla: Po hetojmë kandidatë të inkriminuar, ende s’ka rezultate!

478
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet për disa kandidatë të cilët dyshohet se janë me precedentë penalë e që garojnë për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Deklaratën e dha kryeprokurori Adriatik Llalla por u kujdes të mos bëjë publik asnjë emër për mediat. “Nuk kemi rezultate konkrete, vazhdojnë hetimet”, tha Llalla.
Deklaratën, Prokurori i Përgjithshëm e dha në përgjigje të interesit të medias pas firmosje së një memorandumi bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërsa firmosi këtë memorandum me kryetaren e KQZ, Lefterie Luzi, Llalla kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, mediave, por edhe qytetarëve të thjeshtë që të raportojnë çdo incident gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve. Vetëm në këtë mënyrë, -tha Llalla, -mund të garantohen zgjedhje demokratike e të ndershme.
“Zgjedhjet të lira e demokratike janë proces i rëndësishëm për jetën e një vendi prandaj e gjykojmë të rëndësishme që të gjithë institucionet të jenë të angazhuar për të garantuar proces të rregullt. Prokuroria ka krijuar një praktikë pune për monitorimin e fushatave zgjedhore, për më tepër gjatë ditëve të zgjedhjeve. Me qëllim për të evidentuar rastet e incidenteve të mundshme dhe për të vënë para përgjegjësisë individë që synojnë të cenojnë zgjedhjet. Hetim i plotë është tepër i rëndësishëm për funksionimin normal të shtetit dhe funksionimin e demokracisë në vend. Trupa e prokurorëve shqiptarë do të jenë të angazhuar për të hetuar në kohë reale çdo rast të referuar nga KQZ. Njëherazi Prokuroria kërkon nga KQZ, media qytetarët, institucionet, që në çdo rast të konstatimit të veprave penale në lidhje me sistemin zgjedhor t’i raportojnë. Vetëm me bashkëpunim do arrijmë zgjedhje të ndershme” , u shpreh Lllalla.
Sigal