Llalla për mediat amerikane: Lu keqinformoi Uashingtonin. Prokuroria: Ndëshkim kush prek parimet e së drejtës

679
SHBA i ndaloi hyrjen, Adriatik Llalla flet për mediat amerikane: Lu keqinformoi DASH…

Adriatik Llalla, ish-Prokurori i Përgjithshëm, të cilit një ditë më parë iu ndalua hyrja në SHBA, ka folur për mediat amerikane në lidhje me vendimin e firmosur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson. Llalla ka mohuar akuzat për korrupsion, ndërsa i është përgjigjur përmes e-mail pyetjeve të Wall Street Jornal. “Unë jam i sigurt se ky është një vendim i marrë pas një keqinformimi të dhënë nga Ambasadori Lu në Departamentin e Shtetit”, tha ai. Gjithashtu ish-Kryeprokurori është shprehur se kurrë nuk është vënë nën hetim nga autoritetet shqiptare. “Ai më ka ofenduar mua dhe familjen time dhe të gjithë trupën gjyqësore dhe të prokurorëve, duke na trajtuar si kriminelë, duke na denigruar publikisht dhe personalisht”, citohet të ketë thënë Llalla. Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi ish-prokurorit të Përgjithshëm shqiptar, Adriatik Llalla, hyrjen në SHBA duke pretenduar se ishte i përfshirë në raste madhore korrupsioni. Adriatik Llalla, gruaja e tij dhe dy fëmijëve, iu bllokua të hyjnë në SHBA sipas një ligji të vitit 2017 që autorizon Departamentin e Shtetit të vendosë ndalime për viza ndaj zyrtarëve qeveritarë që janë gjetur të jenë “të përfshirë në korrupsion të dukshëm ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”. Ligji autorizon ndalimin e anëtarëve të familjes së këtyre zyrtarëve. Llalla shërbeu si prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë nga dhjetori 2012 deri në dhjetor 2017, thuhet në artikullin e botuar në median amerikane. Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha të premten se Departamenti “ka informacion të besueshëm se z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të dukshëm gjatë qëndrimit të tij” në detyrë, por ajo refuzoi komente të mëtejshme.

Artikulli i plotë në Wall Street Jornual
Departamenti i Shtetit të SHBA i ndaloi hyrjen në SHBA ish-prokurorit të përgjithshëm shqiptar, duke aluduar se ai ishte përfshirë në afera të dukshme korruptive. Adriatik Llalla, gruaja dhe dy fëmijët e tij u ndaluan të hyjnë në SHBA në përputhje me ligjin e vitit 2017, i cili autorizon Departamentin e Shtetit të vendosë ndalimin e vizave për zyrtarët qeveritare të cilët zbulohen se janë “përfshirë në afera të dukshme korruptive ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.” Ligji autorizon ndalimin e vizave edhe për anëtaret e familjes të këtyre zyrtareve. Z. Llalla ka shërbyer si prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë nga dhjetori 2012 deri dhjetor 2017. Ditën e enjte, në një e-mail në përgjigje të pyetjeve me shkrim, ai mohoi çdo akuzë për korrupsion, duke thënë se nuk ka qenë kurrë nën hetim nga autoritetet shqiptare. Ai tha se ndalimi i hyrjes në SHBA për të dhe familjen e tij është produkt i një konflikti me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu. “Unë jam i sigurt se ky është një vendim i bazuar në keqinformimin mbi personin tim nga ana e ambasadorit Lu në Departamentin e Shtetit”, tha ai. Njoftimi i SHBA u bë i njohur në një deklaratë të shkurtër postuar të mërkurën në mbrëmje; njoftimi nuk specifikonte aktet e korrupsionit për të cilat ai akuzohet. Një zëdhënëse e DASH-it tha të Premten në një e-mail se departamenti “ka informacion të besueshëm se z. Llalla është i përfshirë në raste të dukshme korrupsioni gjatë ushtrimit të detyrës së tij” në këtë pozicion. Ajo refuzoi komente të mëtejshme. Zotërinjtë Llalla dhe Lu janë përballur për çështjen e reformës në drejtësi, një nga problemet e rëndësishme në përpjekjet e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së. Reforma u miratua në vitin 2016, por zbatimi i saj ka qenë i vështirë, me tymuese të hedhura në Parlament pas votimit për zëvendësuesin e përkohshëm të z. Llalla. Zoti Lu akuzoi zotin Llalla në fillim të 2017-s, se ishte shprehur kundër reformës; dhe z. Llalla i quajti komentet një përpjekje për të manipuluar opinionin publik. Konflikti u përshkallëzua. Në atë kohë ambasada amerikane revokoi vizat e udhëtimit të disa gjyqtareve dhe prokurorëve shqiptare pa publikuar emrat e tyre, duke bërë të ditur “abuzimin flagrant të vizës zyrtare” nga ana e një prokurori të lartë dhe bashkëshortes së tij. z. Llalla shpjegoi se vizat e tij dhe të bashkëshortes iu revokuan vitin e shkuar për arsye së bashkëshortja udhëtoi në SHBA me një pasaportë diplomatike për shkak të problemeve shëndetësore. Gjatë periudhës së udhëtimit ajo ishte shtatzënë dhe lindi në SHBA. Z. Llalla tha se pas kësaj i qe bërë e njohur nga z. Lu, se zyrtarët nuk mund të përdorin viza diplomatike për vizita private. Z. Llalla tha, se ai nuk e di çfarë provash për korrupsion ka për të SHBA, por ai bën fajtor zotin Lu për këtë çështje, duke u shprehur se z. Lu “ka keqinformuar dhe keqinformon me qëllim”. “ Ai më ka fyer mua, familjen time dhe gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke na trajtuar si kriminelë, duke na denigruar publikisht dhe personalisht”, tha zoti Llalla. 
Zëri i Amerikës, interesohet për çështjen Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme
Rasti i zotit Llalla është i pari i një zyrtari të lartë shqiptar ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara marrin sanksione të tilla. Javën e shkuar ish-kryeprokurori u tërhoq nga e drejta për të qenë gjykatës në Apel duke preferuar të mbetet jashtë sistemit të Drejtësisë. Një vendim, i cili solli sot dhe ndërprerjen e procesit të rivlerësimit të nisur ndaj tij. Duke komentuar lëvizjen e pak ditëve më parë të zotit Llalla, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu u shpreh se “tërheqja nuk i shfajëson këta ish zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga Vettingu, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori Lu. Në Shqipëri Prokuroria e Përgjithshme, nuk i dha një përgjigje të prerë kërkesës së Zërit të Amerikës për të mësuar, nëse do të ndërmerret apo jo ndonjë veprim ndaj ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar atij hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni.

“Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë i jep përparësi integritetit moral dhe profesional të zyrtarëve. Populli shqiptar pret dhe meriton që zyrtarët të punojnë me ndershmëri dhe integritet në të mirë të interesit publik”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa shton se ky institucion “u jep mbështetjen e plotë të gjithë prokurorëve që punojnë me përkushtim, dinjitet dhe integritet” e se “gjithashtu mbështet qëndrimin për ndëshkimin e cilitdo që cenon parimet e Shtetit të së Drejtës”.
Sigal