“Litari jashtë” që kanë lënë “ministrat teknikë”, 530 tenderë të dyshimtë e “të përshpejtuar” me vlerë 118 milionë euro

65
Sipas një informacioni të ardhur 3 ditë në gazetën “Telegraf”, thuhet se “ministrat teknikë” që ende janë brenda zyrave të qeverisë “Rama 1”, pas daljes jashtë këtyre zyrave do të lënë prapa një “bombë” të madhe financiar për qeverinë “Rama 2” e cila, ose do të heshtë si për çdo rast korrupsioni shtetëror deri sot, ose do të ballafaqohet ligjërisht me shumë biznese që do cenohen! Bëhet fjalë për “ministrat teknikë”, të cilët në ikje e sipër kanë firmosur një “listë” të gjatë tenderësh, me objekt; shërbime, blerje e investime të dyshimta, që janë adresuar në disa sektorë shtetërorë. Tashmë, tenderët janë shpallur në “Buletinin e Prokurimit Publik” dhe janë futur në proces prokurimi, me “procedurë të përshpejtuar”. Sipas burimit të informacionit, të provuar tashmë edhe nga njoftimet publike, këta tenderë kanë si urdhërues 6 “ministrat teknikë” dhe si autoritet kontraktor kanë ministritë përkatëse e institucionet apo shërbimet në vartësi të tyre! Sipas investigimit të kryer nga “Telegraf”, rezulton se afro 60% e këtyre tenderëve të “përshpejtuar”, janë shpallur nga dy ministri: Nga ministria e Shëndetësisë dhe institucionet në vartësi të saj, të cilët firmosin verbalisht çdo rezultat tenderi, mbasi sipas urdhrit të lëshuar prej ish-ministrit Ilir Beqja në muajin nëntor 2013, çdo “qindarkë shpenzim” (tender) bëhet vetëm me urdhër të ministrit dhe në zyrën e ministrit! Po kështu, numër i madh tenderësh është “lënë prapa” edhe prej Ministrisë së Brendshme e cila, përveç tenderëve për nevojat e shërbimeve dhe institucioneve të saj, sipas VKM nr. 28, datë 14. 01. 2015 është autoriteti i vetëm tenderues ligjor që kryen prokurimet publike (tenderët) për llogari të kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të kryeministrit dhe të ministrave të linjës! Këto tenderë, janë lënë gati dhe pritet vetëm finalizimi i tyre prej Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave (KVO). Flitet për afro 530 tenderë të futur në procedurë zhvillimi, me vlerë totale 118 milionë euro! Po kujtojmë dy fakte: 

1. Kryeministri “Rama 1”, deklaroi më 22 maj 2017, se “ministrat teknikë” nuk do të kishin kompetencë, as për t’i hequr 1 ditë pune pastrueseve të ministrive. 

2. Kryeministri “Rama 2”, më datën 5 korrik 2017 deklaroi, se kishte bllokuar të gjithë tenderët me afat të pa caktuar, përveç rasteve të emergjencave kombëtare siç ishte konkretisht importimi i energjisë elektrike dhe zjarret! Mirëpo në të dy rastet, “ministrat teknikë” nuk përfillën as “Ramën nr. 1” dhe as “Ramën nr. 2”, por ushtruan gjithë kompetencat që ka një ministër, si me emërime dhe largime nga puna edhe me zhvillim tenderësh të shumtë!