Lisen Bashkurti: Diplomacia shqiptare ka nënvleftësuar bashkëpunimin bilateral dhe rëndësinë e shteteve të vogla

739
Peter Tase: Çfarë masash konkrete është duke marrë Qeveria e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, që ka mbërthyer keqazi strukturat politike në Kuvendin e Shqipërisë dhe më gjerë?
Ambasadori Lisen Bashkurti: Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dy sfida të mëdha për shtetin dhe mbarë shoqërinë shqiptare. Asnjëra nga këto dukuri nuk është instaluar brenda një nate. Si të tilla, duan mjaft mund dhe përpjekje të mëdha e të gjithanshme që të reduktohen. Tipare dalluese të luftës kundër këtyre dy dukurive në këtë mandat politik të qeverisjes në Shqipëri janë fokusimi në dy objektiva madhore: Dekriminalizimi i politikës qendrore dhe vendore, si dhe reforma në drejtësi. Mendohet dhe e gjykoj, se është e drejtë që kapja pas këtyre dy hallkave do t’i hapë rrugë gjerësisht një gjendje shumë më të mirë të situatës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Premtues është fakti se në të dy këto dimensione madhore të ndarjes me të kaluarën tranzitive të vendit po shkohet me një konsensus të gjerë politik. Konsensusi dhe gjithpërfshirja janë garanci të mëdha, se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit më në fund po merret seriozisht nga politika shqiptare. Shtysa të mëdha po jep edhe faktori ndërkombëtar, sidomos SHBA dhe BE. 

Si e shikoni të ardhmen politike të Kryeparlamentarit Ilir Meta?
Ilir Meta është ndër aktorët kryesorë të politikës shqiptare gjatë tranzicionit post komunist. Ai dhe LSI që drejton kanë meritën politike për dy kontribute shumë të veçanta në jetën politike të vendit. Së pari, Meta dhe LSI kanë demonstruar filozofi politike post partikulare. Pra kanë tejkaluar kufijtë partiakë dhe kanë bashkëpunuar përtej kufijve ideologjike. Me këtë hap, Meta dhe LSI kanë thyer barrierat e ndarjeve ideologjike në vend, kanë ndihmuar në rritjen e stabilitetit politik dhe kanë ndikuar tej mase për të zbutur frymën ballafaquese të dy poleve kryesore të spektrit politik në Shqipëri. Gjithashtu është për t’u theksuar se Meta dhe LSI kanë qenë më konsistente në proceset e integrimit, duke e shndërruar këtë në kauzë politike. Në krye të Parlamentit Shqiptar, Ilir Meta po luan rol gati-gati përcaktues për mbajtjen e luftës politike në kuadër të dialogut dhe debatit brenda institucional. Meta vijon të drejtojë Parlamentin me frymë të qetë, të paanshme, bashkëpunuese, konsensuale dhe me tolerancë admiruese ndaj opozitës dhe liderëve të saj. Si kryetar i Kuvendit dhe si lider politik Meta dhe LSI duken më të vendosur se forcat e tjera për de-kriminalizimin e politikës dhe reformën në drejtësi. Natyrisht, ardhmërinë e çdo lideri dhe alternative politike e përcaktojnë qytetarët me qëndrimet, opinionet dhe votat e tyre. 

Bazuar në eksperiencën tuaj, si janë aktualisht marrëdhëniet Shqipëri-SHBA?
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA kanë themele të vjetra dhe shumë të qëndrueshme. Mbi të gjitha ato bazohen në marrëdhëniet njerëzore, pra midis dy popujve tanë. Në çdo test, sondazh apo hulumtim të bërë në opinionin publik dhe politik shqiptar admirimi i shqiptarëve për popullin amerikan dhe SHBA kanë qenë dhe mbeten në nivele shumë të larta dhe të paluhatshme. Shqiptarët i janë mirënjohës SHBA. Ata besojnë më shumë se kudo tek SHBA, tek demokracia amerikane, te vlerat dhe përkrahja e tyre për popullin shqiptar. Mendoj se këtyre marrëdhënieve njerëzore jo sa dhe si duhet i përgjigjen marrëdhëniet ndër-qeveritare midis dy shteteve tona. Ka ende shumë rrugë për të bërë që admirimit të lartë popullor për popullin amerikan dhe SHBA t’i përgjigjen qeveritë dhe shteti shqiptar, sidomos në përmbushjen e vlerave të demokracisë amerikane në realitetin shqiptar dhe të mbështetjes së interesave të SHBA në Ballkanin Perëndimor, qoftë edhe me sakrificat tona. Në miqësinë ndërkombëtare duhet investuar vazhdimisht. Miqësia e vërtetë shprehet në kohë sfidash. Këtë Shqipëria mbetet që ta demonstrojë më qartësisht dhe më vendosmërisht në qëndrimet ndaj SHBA, sugjerimeve dhe kërkesave të tyre. 

Duke qenë se keni shërbyer për një kohë të gjatë si Ambasador në Hungari, si ju duken marrëdhëniet aktuale midis Hungarisë dhe Shqipërisë, a duket se këto marrëdhënie kanë rënë në një gjumë letargjik? 
Nga periudha e shërbimit tim, si ambasador në Hungari kam impresione shumë të larta. Kisha lexuar dhe studiuar për marrëdhëniet tradicionale nga Skënderbeu e Huniadi, apo nga Mbreti Zog dhe Familja Bacanji e Mbretëreshës Geraldinë. Por, ato që përjetova personalisht i tejkalonte këto nostalgji tradicionale. Kur vajta në Hungari niveli i shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Hungari ishte 12 milionë dollarë amerikanë. Kur kam dorëzuar letër-thirrjet për largim, shkëmbimi tregtar kishte kaluar mbi 42 milionë dollarë amerikanë. Mbas viteve 1995 e këndej është vërejtur dukshëm një reduktim i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Hungarisë në mjaft aspekte. Për këtë ndikuan gjatë situata dhe luftërat në Jugosllavi, të cilat, si të thuash na ndanë gjeografikisht në mes. Megjithatë, më tej Hungaria ka qenë e mbetet një mbështetëse e flaktë e integrimeve të Shqipërisë, fillimisht në NATO e tani në BE. Gjithashtu, Hungaria vijon të jetë mbështetëse e patundur për Kosovën, si shtet i ri, i pavarur dhe Sovran, si dhe për rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike. Me Hungarinë na lidh gjithçka e nuk na ndanë asgjë. Mendoj se të dy shtetet kanë shumë për të bërë për fuqizimin e marrëdhënieve tona, me interes e leverdi reciproke në të gjitha fushat. Mendoj se politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare, duke i kushtuar vëmendje të lartë, integrimeve dhe fuqive të mëdha, në jo pak raste ka nënvleftësuar bashkëpunimin bilateral dhe rëndësinë e shteteve të vogla. Këto dy probleme janë evidente edhe në rastin e nivelit aktual të marrëdhënieve Shqipëri-Hungari.

Çfarë përshtypjesh keni në lidhje me situatën aktuale dhe kriza prej më shumë se 25 vjetësh (pushtimi i territorit të Azerbajxhanit nga Armenia) midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Çfarë zgjidhje mund t’i jepet këtij konflikti dhe si mund të çlirohet territori i Republikës së Azerbajxhanit nga pushtimi i Forcave Armene? Armenia aktualisht mban të pushtuar më shumë se 25 për qind të territorit të Azerbajxhanit. Cilat janë disa nga fushat, ku Shqipëria mund të forcoj marrëdhëniet tregtare dhe politike me Azerbajxhanin.
Një nga problemet më të vjetra dhe më të komplikuara në marrëdhëniet ndërkombëtare është ai i disputeve territoriale ndërmjet shteteve. Në mënyrë të veçantë ky problem lind kur krijohen shtete të reja nga ndarjet prej shteteve multinacionale federale, siç ishte rasti i shpërbërjes së BRSS. Konflikti Armeno-Azerbajxhan është tipik i tillë. Karta e Kombeve të Bashkuara e ka sanksionuar në Nenin 2 të saj rëndësinë e zgjidhjes paqësore të konflikteve midis shteteve anëtare të OKB. Gjithashtu e drejta ndërkombëtare dhe praktika diplomatike kanë sanksionuar edhe rrugë e mjete të tjera për zgjidhjen paqësore të konflikteve të çdo natyre, përfshirë edhe ato territoriale. Këto janë komisionet mikse, konferencat ndërkombëtare, negociatat diplomatike apo arbitrazhet e gjykatave ndërkombëtare. Këto janë rrugët e mjetet për zgjidhje paqësore të konflikteve. Përtej tyre mbeten vetëm mjetet e forcës që sjellin luftëra e konflikte me pasoja shumë të rënda për vendet e popujt. Mendoj se Armenia dhe Azerbajxhani kanë mundësi akoma të pashteruara për zgjidhjen paqësore të konfliktit territorial ndërmjet tyre. Shqipëria është për zgjidhjen paqësore të këtij problemi ndërmjet këtyre dy shteteve, me të cilat ka e dëshiron marrëdhënie të mira. Në rrafshin konkret më intensive dhe konkrete kanë qenë dhe mbeten marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Azerbajxhanin. Pak vite më parë kam qenë i ftuar në Baku nga Akademia Diplomatike e Azerbajxhanit. Në njërën prej hartave turistike lexova ftesën për të vizituar “Albanian Church”. Nuk ishte thjesht një toponim. Prapa kishte histori. Histori popujsh e kulturash. E përmend shpesh këtë për të argumentuar se midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit ka histori pozitive marrëdhëniesh. Aktualisht ka një ripërtëritje. Shqipëria dhe Azerbajxhani janë tanimë pjesë e Projektit TAP, projekti alternativ më i rëndësishëm energjetik, që lidh Azerbajxhanin me Evropën Perëndimore e që kalon përmes Shqipërisë. Mendoj se ky projekt do nxisë edhe shumë fusha të tjera bashkëpunimi me interes dypalësh. Le të shpresojmë.

Si i konsideroni marrëdhëniet aktuale midis Shqipërisë dhe Greqisë?
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë një stanjacion. Kriza Greke, por edhe sfidat e Shqipërisë duket sikur kanë lënë në “kalenda greke” vëmendjen e këtyre dy shteteve për njëri-tjetrin. Aktualisht të dy vendet përballen me tre grupe problemesh: me probleme të trashëgimisë së vjetër, siç janë ligji i luftës, çështja e Çamërisë, apo ajo e varrezave të ish-ushtarëve grekë gjatë Luftës së Dytë Botërore; me probleme të tranzicionit shqiptar, siç ishte vala emigrative dhe konsekuencat e saj; me probleme të krijuara rishtazi kohët e fundit, siç është problemi i vijës kufitare detare midis dy vendeve, apo problemi i regjimit të Lumit Vjosa midis dy vendeve. Të gjithë këto akumulime presin zgjidhje. Asnjë palë nuk duket e angazhuar me këto. Mesa duket në Tiranë e Athinë mendohet se problemet zgjidhen duke i shtyre ato. Qasje aspak e drejtë, aspak e arsyeshme dhe aspak e dobishme për të dy vendet e popujt fqinjë. 

Përse Shqipëria është vetëm e fokusuar në sigurimin e integrimit të saj të plotë në Bashkimin Europian dhe nuk i kushton vëmendje Aleancës së Paqësorit (themeluar nga Peru, Kili, Meksika dhe Kolumbia), Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe Unioni Euroaziatik? Duket se Shqipëria është duke investuar shumë energji drejt të qenit anëtare e BE-së dhe krizat e brendshme të saj dhe skepticizmi i shteteve të Europës po i jep ngjyra pesimiste këtij procesi që po zgjat me vite të tëra.
Gjithnjë kam menduar dhe mendoj, se diplomacia shqiptare vuan nga diletantizmi dhe konjukturalizmi. Pra, diplomacisë shqiptare i mungojnë profesionaliteti dhe vizionet afatgjata. Kjo duket edhe në prioritetet, lëvizjet dhe zhvendosjet e tyre. Integrimi i Shqipërisë në BE është aspiratë e drejtë. Por integrimi është para së gjithash reformim i brendshëm i Shqipërisë për të adoptuar kriteret e BE për anëtarësim. Diplomacia është vetëm promovuese e arritjeve të brendshme me rrugë e mjete diplomatike në vendet dhe institucionet e BE, si dhe përmbushëse e Kapitujve 32 dhe 35 të anëtarësimit. Asgjë më shumë. Ndërkohë bota nuk është vetëm BE. Hapësira globale nuk reduktohet në BE. Historia e marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetet e botës nuk përfshihet vetëm brenda hapësirës së BE. Interesat e Shqipërisë janë shumë më të gjëra se vetëm tek BE. Mundësitë e fushat e bashkëpunimit ndërkombëtar të Shqipërisë nuk limitohen vetëm në kuadër të BE. BE është shumëçka, por nuk është çdo gjë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të reduktosh gjithë strategjinë diplomatike të vendit vetëm në kuadër të BE është diletantizëm e dritëshkurtësi. Vetë shtetet Evropiane dhe e gjithë BE, si organizatë kanë spektër shumë global. Shqipëria është shtet i vjetër, anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe e OKB. Kemi marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve të botës. Personalisht kam qenë në shumë shtete të Amerikës Latine dhe të Karaibeve vite më parë dhe kam parë e ndjerë mundësi të shumta bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe këtyre vendeve. Me mjaft prej tyre kemi tradita shumë të mira bashkëpunimi, kemi miqësi e respekt të ndërsjelltë politik dhe qytetar. Por, këto marrëdhënie i kemi ngrirë vetë ne, për shkak se diplomacia shqiptare është vetë-limituar, është diletantizuar dhe është konjukturalizuar. Këto janë gabime të mëdha e me shumë pasoja për vendin tonë. Mendoj se ka ardhur koha që të rishikohet e gjithë strategjia e politikës sonë të jashtme dhe e aksionit diplomatik ndërkombëtar me profesionalitet më të lartë dhe me vizion më afatgjatë. 
Prof. Dr. Lisen Bashkurti, Ambasador dhe Presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare
Sigal