Lisandër Hoxha: Qëllimi im është angazhimi i rinisë në politikë, jo për qëllime përfituese

51
Lisandër Hoxha, një nga kandidatët për kryetarin e FRPD në intervistë për gazetën “Telegraf” pohon se qeveria e shikon sot rininë si një potencial blerje votash, kur ndërkohë e ka lënë të pashpresë, të papunë dhe e detyron që të marrë rrugët e Botës, për të kërkuar gjetkë të ardhmen. Ndaj, zoti Hoxha, thotë se marrja pjesë aktive e rinisë në opozitën e PD, është një motiv për të kërkuar shpresën e një të ardhme më të mirë këtu, në vendin tonë. Zoti Hoxha jep edhe vizionin e tij, për Forumin Rinor të PD, nëse zgjidhet kryetar i saj. 

-Zoti Hoxha, përse sot një i ri dhe e re shqiptare, duhet të jetë e interesuar të angazhohet në politikë, derisa politikbërja po na zhgënjen?
– Pyetja është shumë interesante, pasi për çudi ne jemi një rini shumë e angazhuar në politikë, si kundër bashkëmoshatarët tanë perëndimor. Nuk bie dakord plotësisht me ju, në lidhje me zhgënjimin në politikbërje, por është kjo qeverisje që po zhgënjen këdo, të majtë e të djathtë, të rinj e të vjetër. Për fat të keq kjo qeverisje sot e shikon rininë si potencial blerje votash për të qëndruar në pushtet. Kjo ideologji duhet zhdukur përfundimisht. Rinia sot duhet parë si potencial ideshë novatore në çdo fushë të jetës. Duhet “shfrytëzuar” shpirti i lirë dhe krijues për të ndërtuar strategji, politika dhe planmasash të reja në mënyrë që ky vend të ece përpara. Kemi një rini për t’u patur zili nga kushdo, qoftë për inteligjencë, arsimim dhe shkathtësi. Ajo çfarë më vjen keq dhe këtu po dal pak nga konteksti i pyetjes është se rinia sot e sheh, për fat të keq, anëtarësimin në një parti politike si zyrë pune dhe katapultim në mënyrën më të lehtë drejt së ardhmes. Ajo që më tremb më tepër është krijimi i një rinie parazitare nga këto partiçka. Dhe këtu ndahen rrugët mes pseudopartive dhe PD. Qëllimi im dhe i PD në përgjithësi është angazhimi i rinisë në politikë, jo për qëllime përfituese, por kontribuese. Detyra jonë është krijimi i mundësive që kjo rini të ketë dyert e hapura në një treg pune të lirë dhe konkurrues. Por kjo nuk mund të bëhet e vetme. 

– Përse të rinjtë duhet të mbështetin programin e PD, derisa PD edhe në zgjedhjet e 23 qershorit 2015, nuk bindi që është bërë një alternativë për të qeverisur?
– Unë nuk ndaj të njëjtin mendim me ju lidhur me pyetjen, pasi besoj se edhe raporti i OSBE/ODIHR tregon qartë se në Shqipëri nuk pati zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë besoj se alternativat e PD-së ishin absolutisht më të pëlqyerat, sipas sondazheve të ndryshme, por kur përfshihen bandat, nuk ka proces që nuk deformohet dhe si rrjedhojë nuk mund të kemi një rezultat real zgjedhor. Për këto arsye besoj se edhe rinia e di mjaft mirë se cila është alternative e duhur, që do e çojë drejt zhvillimit Shqipërinë. Oferta e re që Kryetari Basha dhe PD po e referojnë publikisht nuk është një ndryshim karrigesh, sikurse propagandohet dhe mendohet nga mendjet skeptike, por është një qasje e re dhe krejt ndryshe e qeverisjes ndaj qytetarëve shqiptar. Nuk mundet që një i ri sot të mos jetë me PD në kushtet, kur 30 mijë qytetarëve ju vunë prangat për mos shlyerje detyrimesh kontraktuale ndaj OSSHE. Kjo nuk është qeverisje, por është një autokraci e rrezikshme, e cila po bën që rinia sot të vërshojë vrullshëm drejt FRPD, si e vetmja strehë e lirë e mendimit politik. 

– Zoti Hoxha, cila është e veçanta e zgjedhjeve të FRPD? Kur ende ka kritika të forta se në analizat që bëhen në strukturat e forumet e PD, për humbjen elektorale të 23 qershorit, ka diktate nga qëndra e PD?
– FRPD po organizon zgjedhjet e para me modelin një anëtar një votë. Ky model u përdor në vitin 2013, kur u votua për Kryetarin e PDSH dhe ky është një hap shumë demokratizues brenda PD-së. Unë besoj se ky model i ofron mundësinë çdo të riu të jetë në qendrën e universit politik të së djathtës shqiptare. Ky është model, i cili frymëzohet nga kulturat perëndimore ku më i miri drejton. Së dyti, secili prej kandidatëve të vetë shpallur mbartin një vlerë të shtuar për FRPD dhe për vetë garën. Unë jam i mendimit se rinia ka mjaft alternativa për të zgjedhur drejtuesin e ri të FRPDSH. Lidhur me analizën që PD po bën për zgjedhjet e kaluara, unë nuk jam pjesë e grupeve të punës ndaj dhe nuk kam asnjë informacion nëse ka ndonjë kritikë të fortë në këtë proces. Ajo që di me siguri është se e djathta nuk e ka në modelin e saj gjuetinë e shtrigave, si dhe prerjen e kokave. 

– Zakonisht, deri tani, në këto lloj zgjedhjesh, pavarësisht ambalazhit politik, për zgjedhje “ 1 anëtar, 1 votë”, fituesi është i paracaktuar, që është i preferuari i kryetarit të Partisë. Na bindni, që në këtë garë në FRPD, do të fitojë ai që do të bindë për programin dhe jo nga preferenca e udhëheqësit të PD? 
– Unë jam i bindur se ky proces do të dalë me një fitues, i cili do të jetë alternative më e mirë e anëtarësisë së FRPD. Kam bindje se të gjithë të rinjtë e demokrat do votojnë lirisht për kandidatin e tyre dhe se vota ë gjithsecilit do të numërohet drejtësisht. Secili prej kandidatëve ka në komisionet e votimit dhe numërimit një përfaqësues ndaj dhe insinuata të tilla janë pa vend në rastin konkret. Në këtë garë nuk ka të preferuar, por ka garë të fortë. Ky është modeli i ri se si Partia Demokratike bën zgjedhje dhe besoj se me këtë model do frymëzojmë rininë masivisht për tu bashkuar me ne. 

– Cila është alternative juaj, për të udhëhequr FRPD? 
– Për mua si i ri me mbi 15 vite pranë PD është shumë e lehtë të di se ku nevojitet të përqendrohemi për të rritur rolin e Forumit Rinor brenda PD. Modeli im është një anëtar një rol që do të thotë se secili prej të rinjve që angazhohen në politikë kanë një detyrë konkrete në zinxhirin e madh të punëve të FRPD. Kam gati planin e ri kombëtar, i cili përshtatet dhe me ndarjen e re administrative, si dhe kam gati ndryshimet statutore që përafrohen me gjendjen aktuale të shoqërisë sonë. Të jesh i ri dhe i angazhuar në politikë për mua do të thotë se beson tek forca, e cila aderon dhe se vetë ofrohesh për të kontribuar që kjo forcë nëpërmjet ndihmës së të rinjve të bëjë realitet filozofinë e saj qeverisëse. Në kushtet e Shqipërisë sot ku në Parlament dhe administratë shikojmë autorët e kronikave të zeza mendoj se roli i FRPD do të jetë jetik për paqen dhe stabilitetin social të vendit. Përballja me autokracinë është një nevojë kombëtare pa të cilën vendi mund të shkojë shumë mbrapa. Ne nuk kemi pse të ikim nga Shqipëria për azil, kur mund të punojmë vetë në zhvillimin dhe arritjen e standardeve europiane. 
– Faleminderit dhe suksese!