“Liro protestuesit, arresto kriminelët!”, sot zbret edhe në parlament

580
Jakup B. GJOÇA
Politika në udhëkryq përballë 17 prillit, dita e vendimmarrjes së BE-së për hapjen e negociatave
Politika shqiptare, sot ndodhet në udhëkryqin e tranzicionit 26-vjeçar. Më 17 prill Këshilli i Bashkimit Evropian merr vendimin, nëse do të hapen negociatat me Shqipërinë për anëtarësim. Ndërkohë, që në Shqipëri barometri politik është në kuotën e kuqe të tensionimit, të acarimit politik, pa kurrfarë mirëkuptimi, konsensusi, midis maxhorancës dhe opozitës, të paktën, as për çështjet e integrimit të Shqipërisë, sa sot nuk përjashtohet edhe mundësia, që brenda në sallën e Parlamentit, në seancën plenare, të ndodhë edhe përplasje trup me trup midis deputetëve të maxhorancës dhe të opozitës. 

Politikat e qeverisë, që ngritën në të kuqe, barometrin e tensionit politik
Policia e Shtetit vepron me metoda të Gestapos, për të arrestuar pas mesnate qytetarët protestues në Kukës, prokuroria dhe gjykata, heshtin dhe nuk veprojnë ndaj dhunimit nga policia e Shtetit të të drejtave të Njeriut sipas ligjit, në kohën që pretendojmë se në Shqipëri po kryhen reformat e integrimit. Edhe pse kryeministri Rama u kërkoi qytetarëve kuksianë falje publike, për veprimin e pastudiuar të qeverisë për vendosjen pa të drejtë të tarifës në Rrugën e Kombit, 11 qytetarë protestues janë ende në burg, pasi protestuan ndaj një padrejtësie të madhe ekonomike dhe shoqërore të qeverisë. Nuk mjaftoi kjo. Qeveria nga 1 prilli, ka vendosur, apriori, sërish, pa konsultime me palët e interesuara, të futë në skemën e TVSH-së edhe biznesin e vogël. Sërish, një shtresë e madhe e shoqërisë, sikurse janë biznesi i vogël proteston me të madhe, duke kundërshtuar këtë ligj të qeverisë. Qeveria, sërish nuk përfill. Policia e Shtetit, 2 ditë pas protestave paqësore të opozitës, për të bllokuar 2 orë rrugët kryesore kombëtare, padit penalisht dhjetëra qytetarë, deputetë, madje edhe kryetarët e partive opozitare parlamentare, gjoja në emrin e ligjit. Këto politika kanë rritur barometrin e acarimit dhe të tensionimit politik. 

Opozita: Jo bojktot, por Mosbindje Civile brenda në parlament
Dje kryetarët e partive opozitare kanë koordinuar së bashku strategjinë dhe taktikat politike që do të ndjekin si Opozitë e Bashkuar në seancën e sotme parlamentare. Mendimi i parë, që të bojkotohej seanca plenare, në kuadër të Mosbindjes Civile nuk gjeti përkrahje. Dje, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me kreun e PD, Lulzim Basha. Në fokus të takimit ka qenë seanca parlamentare e së enjtes, ku liderët e opozitës kanë koordininuar qëndrimin e tyre. Pas takimit me Kryemadhin, grupi parlamentar i PD-së ka zhvilluar mbledhje në seli ku është vendosur që të mos ketë bojkot parlamentar dhe deputetët e opozitës do jenë në Kuvend për t’u përballur me kryeministrin. Sipas PD-së, Edi Rama duhet të ishte përjashtuar nga Parlamenti për fjalorin fyes ndaj shqiptarëve. Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha ranë dakord para se t’i komunikonin grupeve parlamentare planin. Seanca e së enjtes pritet të mos jetë normale, ndërsa nuk do i mungojë as tensioni. Sipas burimeve të informacionit të gazetës “Telegraf” opozita do të kërkojë përjashtimin e Kryeministrit nga Parlamenti, duke i dhënë në këtë mënyrë dënimin që nuk i dha byroja e kuvendit për fjalorin e përdorur ndaj shqiptarëve. Demokratet kursyen daljet para mediave, ndërsa Petrit Vasili foli për përballje me Edi Ramën.“Së pari, grupi vendosi unanimisht pjesëmarrjen në seancën e Parlamentit të Shqipërisë për të qenë në sallë ballë për ballë me kryeministrin, atë kryeministër, i cili do ta ketë të vështirë t’i drejtohet popullit që ka synuar ta poshtërojë me fjalët e tij të paprecedentë. Grupi parlamentar do të jetë atje për t’u përballur me qeverinë dhe kryeministrin”, paralajmëroi Vasili. Nëse kryetari i Kuvendit nuk merr parasysh kërkesën e opozitës, burime nga të dy kampet opozitare paralajmërojnë një seancë jo normale, si ajo për zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme, ndërsa këtë herë nuk do të mungojnë as pankartat, me mbishkrimin “Liro kuksianet, arresto kriminelët!”.
Sigal