Lirimi i vëllait të Admir Tafilit, Presidenti Ilir Meta urdhëron urgjentisht verifikimin nga KLD

490
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas lirimit para kohe nga burgu të Genc Tafilit, vëllait të Admir Tafilit, i dënuar me 25 vite burgim për bashkëpunim në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit.
Në një reagim për mediat përmes zëdhënësit Tedi Blushi, thuhet se Kreu i Shtetit ka urdhëruar menjëherë Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në përputhje me kërkesat e ligjit, të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate.
“Presidenti i Republikës, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi u njoh me lajmin dhe reagimin publik të institucionit të Prokurorisë, për veprimtarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, në lidhje me lirimin e shtetasit Genc Tafili, ka urdhëruar menjëherë Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në përputhje me kërkesat e ligjit, të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate.
Presidenti i Republikës garanton se pretendimet e institucionit të Prokurorisë do të verifikohen nga Inspektoriati dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e ligjit.
Presidenti i Republikës mbështet të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë në veprimtarinë e tyre, në luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit.
Prokuroria e Krujës ka reaguar pas lirimit me kusht të vëllait të Admir Tafilit nga burgu. Sipas këtij institucioni, lirimi është i paligjshëm dhe kërkohet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të hetojë gjyqtaren Enkeleda Hoxha, e cila ka pranuar kërkesën e të dënuarit Genci Tafili”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Gjykata e Krujës liroi sot me kusht Genc Tafilin. Vendimi është firmosur nga gjykatësja e Krujës, Enkelejda Hoxha, e cila pranoi kërkesën e të dënuarit, të cilit i kishin mbetur edhe 3 vite burg që të dilte në liri të plotë.
Genc Tafili ndodhej në burg prej 2 gushtit të vitit 2000, pasi u vu në pranga menjëherë pas ekzekutimit të ish-drejtorit të policisë së Shkodrës.
Asokohe policia organizoi një aksion për kapjen e Bari Tafilit, person i shpallur në kërkim, por pati shkëmbim zjarri.
Në ngjarje mbetën të vrarë Bari Tafili dhe kolonel Zylyftari. Genc Tafili është, vëllai i Admir Tafilit, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasje.
Në nëntor të 2014 u akuzua se tentoi që të arratisej nga burgu i Peqinit, por u parandalua në kohë, përkundër akuzave, Tafili mohoi se kishte në plan të linte qelitë e burgut.
Prokuroria e Krujës ka reaguar pas lirimit me kusht të vëllait të Genc Tafilit. Sipas Prokurorisë, lirimi është i paligjshëm dhe kërkohet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të hetojë gjyqtaren Enkeleda Hoxha, e cila ka pranuar kërkesën e të dënuarit Genci Tafili.
Sigal