Lindita Nikolli: “Planet e pambajtura për Njësinë nr.1 dhe katrahura që po bëhet për ndërtimin e rrugëve”

500
Sigal

INTERVISTA/ Flet kryetarja e Minibashkisë nr.1 Lindita Nikolli, për projektet që duhen realizuar

 Në Minibashkinë nr.1 në kryeqytet nuk janë mbajtur premtimet e bëra për vitin 2012 nga bashkia e madhe. Një fakt të tillë e bën të ditur për “Telegraf”, kryetarja e kësaj minibashkie zonja Lindita Nikolli. Sipas saj janë bërë një sërë kërkesash për investime në këtë njësi, por nuk janë realizuar.

-Zonja Nikolli, në disa rrugë të kryeqytetit po bëhen rregullime. A ka rrugë në rregullim në Njësinë bashkiake numër 1?

-Për hire të së vërtetës më duhet të them që ne e mbyllëm vitin 2012, me premtime të pambajtura nga Kryetari i bashkisë së Tiranës zoti Lulzim Basha. Pasi për vitin 2012 Buxheti i Bashkisë së Tiranës, mori përsipër që të realizonte investime madhore në njësinë bashkiake numër 1, që kishin të bënin me urën e Shkozës, me sistemin e shtratit të lumit të Lanës, me përfundimin e rrugës “Pasho Hysa” me përfundimin e rrugës “Agush Gjergjevica” dhe në momentin që flasim asgjë nuk është përfunduar. Ndërkohë që u morën disa investime në buxhetin e 2013, por që unë jam dyshuese, sepse një buxhet i ri mbështetet mbi ato që janë realizuar nga buxheti paraardhës. Në buxhetin e vitit 2013, zoti Basha në atë deklamimin që bëri me disa banorë të komuniteteve të njësisë bashkiake numër 1 dhe numër 3 , tha që ne do të marrim në konsideratë të gjitha nevojat dhe kërkesat që kanë sjellë njësitë bashkiake, por duke ju referuar një plani afatmesëm, duke ju referuar mandatit që përkon deri në vitin 2013-të. Nga ky deklamim u tha që do të ndërtohet një shkollë e re, por për momentin që ne pyesim se ku do të ndërtohet kjo shkollë e re ne nuk marrim përgjigje, pasi ka probleme pronësie. Deri tani shohim që ka premtime, por pa planifikime konkrete. Gjithsesi për të qenë realist.

 -Më konkretisht a ka rrugë në rregullim në momentin që flasim dhe kur do të mbarojnë ato, pasi për qytetarët përbëjnë problem periudha e punimeve, sepse sjellë pengesa?

-Në momentin që flasim është prerë shiriti në rrugën “Pasho Hysa”, pra është prerë shiriti i inaugurimit, por pavarësisht që kanë filluar punimet nuk kanë ecur fare. Është prerë shiriti në rrugën “Agush Gjergjevica”, por ende nuk mund të themi që kanë avancuar si punime. Këto janë investimet që janë premtuar për buxhetin e 2012, por kanë filluar tani dhe punimet nuk po ecin me ritme të shpejta. Por si punime ka përfunduar hapja e rrugës “Hasan Stufa”, prej 70 metra linear, por po të shohësh kanë filluar gropëzat e para në rrugë. Kjo u trumbetua si një arritje e bashkisë së Tiranës, por të gjithë e dinë që ai investim në atë pjesë të rrugës ishte bërë vite më parë. Dhe me marrjen e bashkisë së Tiranës, qeveria bëri shpronësimin e pronarëve dhe ata i bënë një inaugurim pompoz, por që në vlerë ishin vetëm 70 metra linear rrugë, kjo është situate në njësinë bashkiake numër 1.

 -A janë miratuar të gjitha projektet e Minibashkisë nr.1 nga Bashkia e madhe, nëse jo, çfarë mase zënë projektet që janë miratuar?

-Po, kjo është e çuditshmja, pasi nuk kemi shkuar në racionale, në kuptimin që në këtë buxhet do të jenë tre apo katër projekte. Por flitet për një buxhet afatmesëm dhe në këtë buxhet afatmesëm ne do të marrim në konsideratë të gjitha nevojat e njësisë bashkiake numër 1 që tejkalojnë çdo lloj premtimi. Sepse po të kthejmë kokën pas dhe shohim premtimet e 2012-s dhe shohim që asnjë nuk është realizuar dhe për këtë jemi skeptikë. Kjo më bën skeptike, por në njësinë numër 1 ne nuk kemi as planin urbanistik dhe nuk e dimë se çfarë përgjigje ti japim qytetarëve. Pra ne nuk e kemi planin urbanistik që të japim referenca reale, midis fjalëve që i merr era dhe planeve konkrete. Po ashtu ne nuk kemi as buxhetin e bashkisë së Tiranës të detajuar. Ne ishim mësuar që për hire së vërtetës për çdo fillim viti të kishim buxhetin e plotë dhe të detajuar. Ne na vjen vetëm për çelja mujore e buxhetit. Dhe për muajin janar na ka ardhur vetëm buxheti që mbulon rrogat mujore të punonjësve dhe sigurimet shoqërore. Nuk na ka ardhur asnjë buxhet ekstra për funksionimin e administratës, aq më shumë që jemi edhe një periudhë zgjedhore dhe kemi shumë shpenzime që lidhen me kompetencat tona për publikimin e listës së zgjedhësve. Po ashtu fondi për mbulimin e shpenzimeve për energjinë elektrike dhe të ujit për të gjitha institucionet e kopshteve dhe të institucioneve të tjera të arsimit parauniversitar vetëm 500 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që shpenzimet janë 5-6 herë më të mëdha. Çfarë mund të themi më shumë për këto premtime, ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të jemi dyshues dhe skeptik, se tërë ato që thuhen janë premtime boshe.

 -Kush janë nevojat më emergjente që ka minibashkia që ju drejtoni?

-Ne kemi listuar një sërë kërkesash që kanë të bëjnë me rrugën Spahiu, me rrugën “Shotë Galica”, po ashtu janë dhe një sërë rrugësh të tjera që lidhen me zonën në Shkozën 1 dhe Shkozën 2. Po ashtu ka probleme të sistemimit në këto zona të sistemit nëntokësor të ujit dhe kanalizimeve dhe padyshim kanë një nevojë emergjente për të ndërhyrë në blloqet e pallateve.  Por ende nuk ka filluar asnjë projekt. Por ndërkohë Njësia Bashkiake numër 1 ka realizuar disa projekte të vetat, jo me bashkinë e Tiranës, por me donatorë të tjerë, me fokus shërbimet në komunitet. Po ashtu kemi realizuar edhe dy projekte të rëndësishme me Bankën Botërore, që kanë të bëjnë me ngritjen e një qendre polifunksionale në shkollën “Abdulla Keta” dhe hapjen e dyerve të shkollës ndaj komunitetit, duke menduar që impakti do të jetë i dyanshëm. Po ashtu është realizuar edhe një projekt tjetër për ngritjen e një lulishteje në krah të “Ali Demi”, po ashtu janë ngritur edhe një sërë OJF, që kanë të bëjnë më ardhjen në ndihmë të gratë të dhunuara.

Ndërtimi i Rrugëve është kthyer në makth për qytetarët

Por ajo që vihet dukshëm është dhe fakti i bërjes së punëve në mënyrë nallbane, nëse do më lejohej të shprehesha kështu. Ju e patë që për të ardhur në njësinë bashkiake numër 1 dhe numër 2, është bërë e vështirë. Pasi rruga “Petro Nini” është hapur po bën një muaj që është hapur çdo trotuar dhe çdo qoshe e rrugës dhe për të ardhur në njësinë 1 dhe 2, ku i shërbehet një komuniteti prej 150 000 banorësh dhe ato e kanë shumë të vështirë për të marrë shërbimin. Unë nuk kam parë që të punohet në këtë mënyrë në rrugët publike të qytetit të Tiranës. Ashtu si kjo rrugë ka më dhjetëra rrugë të tjera që po punohet në mënyrën më të keqe të mundshme. Afatet janë të përcaktuara si afate tetë mujore por nuk ka as datë fillimi dhe as datë përfundimi të rrugës. Por edhe nëse janë afatet të gjata nuk punohet në këtë mënyrë absolutisht. Por duhet një mënyrë teknike për të punuar dhe nuk u bëhet jeta ferr qytetarëve në këtë mënyrë dhe nuk është e justifikueshme që po bëhen punime.