Lindita Nikolla: Politika, jashtë Këshillit Kombëtar të Sportit

48

Flet ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla: Ligji i ri për sportet, terrenet sportive dhe federatat me “dy koka”

Seminari “Forcimi i Sportit përmes Qeverisjes së Mirë”, organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ka mbledhur dje paradite në mjediset e hotel “Tirana Internacional” shumë nga njerëzit që sot drejtojnë sportin në vendin tonë. Nuk mungoi edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila ishte më e kërkuara nga të pranishmit dhe gazetarët. Ajo iu përgjigj mjaft pyetjeve, duke prekur shumë probleme që po kalon sot sporti shqiptar.

 Zonja ministre, çfarë po bëhet për të zgjidhur situatën e krijuar sot në sportin shqiptar, me federatat me “dy koka”?

-Për fat të keq, në këto ditë më është dashur të ulem e bisedoj me palë të së njëjtit sport e që janë në federata të ndryshme paralele. Do të thoja që kjo situatë e krijuar sot është paradoksale. Ne si Ministri nuk do të nxisim dhe përkrahim askënd, nuk kemi asnjë preferencë. Ne do të presim gjykatën të thotë fjalën e saj dhe ne si MAS do të mbështetin atë federatë që njeh ligji. Duhet t’i japim fund këtij konflikti dhe të komunikojmë vazhdimisht për të gjetur zgjidhje. Për fat të keq ky është një keqmenaxhim i sportit në të kaluarën.

 Cila është e vërteta e krijuar me mospagesën e disa federatave sportive nga ana e shtetit?

-Kemi sot ende disa federata që nuk janë të regjistruara në gjykatë dhe që nuk kanë një statut. Për sa kohë ato janë të paregjistruara nuk mund t’i përkrahim financiarisht. Ne si MAS jemi të gatshëm të jemi pjesë e ndryshimit. Zotërinj, jeni ju sot përgjegjës për të ardhmen e sportit, jeni ju njerëzit që e dashuroni më shumë sportin, që gjithashtu, keni çelësin e suksesit.

 Terrenet sportive janë ende një gangrenë në vendin tonë. A ka shteti një projekt për ta zgjidhur këtë problem?

-Është e vërtetë që terrenet janë një problem i madh, por është e vërtetë gjithashtu, që ne kemi një projekt për këto ambiente. Aktualisht, po bëjmë hartën e terreneve sportive në të gjithë vendin. Ne duam masivizimin në sport dhe duke shfrytëzuar këto terrene mund ta arrijmë këtë qëllim. Por duhet shumë për të bërë, nga të gjithë.

 Cili është projekti i MAS-it për sportin nëpër shkolla?

-Ne duam të kthejmë edhe klasat sportive në vend, siç kanë qenë dikur. Për këtë arsye, pranë Drejtorive Rajonale Arsimore do të jetë edhe një person që do të merret me sportin. Ne duam më shumë aktivitete sportive nëpër shkolla, më shumë masivitet dhe këtë gjë e bën më së miri shkolla, madje duke filluar që në kopshte.

 Është folur shpesh për Këshillin Kombëtar të Sportit. A është ai në planet e ministrisë dhe si do të funksionojë?

-Ne do të rikthejmë në funksionim këtë Këshill, i cili ndryshe nga e kaluara nuk do të ketë përbërje politike. Në të do të jenë njerëzit që kanë merita, njerëzit e sportit, pra ju. Një Këshill që do të jetë gjithëpërfshirës dhe politika do të jetë jashtë atij Këshilli. Ne duam t’i japim një fytyrë të re sportit, për t’ju përfshirë edhe juve në vendimmarrje.

 Cila do të jetë mbështetja financiare që MAS-i do të ketë për federatat gjatë këtij viti?

-Në përmirësimin e qeverisjes së sportit, për të cilin flet ky seminar, është edhe llogaridhënia. Pra, edhe federatat të japin llogari për atë që kanë shpenzuar ndër vite. Ne duam të dimë si janë shpenzuar financat e federatave. Për kë do të shpenzojmë më shumë para? Për të gjitha ato federata që kanë merita. Do të donim të jepnim më shumë buxhet për sportin, por do të veprojmë sipas mundësive. Dua t’ju them diçka: kur ka vullnet, buxhetet gjenden. Ndaj, kur keni projekte mos prisni të vijmë ne tek ju, por ejani ju tek ne dhe do të gjeni gatishmërinë time maksimale për t’ju ndihmuar. Ne duam të jemi partnerë për sportin, të jemi transparentë për çdo gjë.

 Një tjetër problem i viteve të fundit ka qenë Ligji i Sportit? A do të ndryshojë ai gjatë këtij mandati?

-Ligji i Sportit kërkon sot standarde të reja. Në tryezat e deritanishme ne kemi dëgjuar shumë aktorë. Ne kemi një plan për këtë ligj, ku të përfshirë janë edhe grupet e interesit. Unë mendoj se, brenda këtij legjislacioni do të kemi një draft apo projektligj të ri për ta çuar për miratim në Parlament.

  Nga Ervin BAKU

 (Journaliste, correspondant Europeen)

Lindita Nikolla, takim me ambasadorin austriak, Thomas Schnoll

 Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Lindita Nikolla, priti dje në një takim kortezie, ambasadorin e Republikës së Austrisë në vendin tonë, z. Thomas Schnoll. Ministrja Nikolla vlerësoi kontributin që shteti austriak ka dhënë në fushën e arsimit në Shqipëri, veçanërisht në arsimin profesional dhe shprehu angazhimin e saj që marrëdhëniet midis dy vendeve do të vijojnë të zgjerohen dhe konsolidohen më tej në këtë fushë. Nga ana e tij, ambasadori Schnoll duke i uruar ministres Nikolla suksese në detyrën e saj, siguroi se qeveria austriake shpreh interes të lartë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe mbështetjen me asistencë, si në zhvillimin e kapaciteteve dhe programeve në arsimin profesional, ashtu edhe në fushën e teknologjisë së mësimdhënies në shkollat shqiptare.

Në takim u diskutua gjithashtu për ndërmarrjen e reformave që qeveria shqiptare është angazhuar të zbatojë në fushën e arsimit, si dhe për mundësinë e një vizite të afërme të zj.Nikolla në shtetin austriak.

 

Aktivitetet që do të zhvillojë ministrja Nikolla, në Vlorë

 

– Takim në Kopshtin Publik Nr.9, ora 10:00, Vlorë

– Ditë Sportive në Javën Olimpike, shkolla “Lef Nosi”, ora 11:00, Vlorë

– Takim me maturantët, mësuesit e Maturës dhe përfaqësues të Qeverisë së Nxënësve, shkolla “Ali Demi”, ora 12:45, Vlorë