Lindita Blinishti: Vetingu, farsa e re e politikës e destinuar për të dështuar

1167
“Flas me bindje se kam qenë një prej anëtarëve të vlefshëm për të tria pozicionet e përcaktuara për komisionet e Vetingut. Aplikova se besova fort, sepse vetingu do të bëhet sipas qëllimit, por gabova”
Një nga kandidatet për komisionet e vetingut, noterja Lindita Blinishti, e cila u skualifikua me arsyetimin se nuk plotësonte kriteret e përcaktuara me ligj, hedh hije dyshimi për listën me emrat e përzgjedhur. Ajo deklaron se është skeptike në realizimin përfundimtar të vetingut në drejtësi. Ndërkohë që paralajmëron dështim të plotë të tij ende pa nisur zbatimin. 

Deklarimi i plotë
Do ta filloj këtë shkrim duke falënderuar seriozisht politikanët që përzgjodhën “vetingasit” e që nuk më bënë pjesë të farsës politike të radhës. 

U bëra pjesë e kësaj “gare”, që vetëm e tillë s’mund të jetë, vetëm për të shprehur mbështetjen time ndaj perceptimit masiv që “drejtësia duhet shkundur”, megjithëse isha mjaft skeptike që kjo shkundje mund të vijë nga politika. Aplikova vetëm on-line dhe në fakt nuk besova që aplikimi konsiderohet i vlefshëm, por aplikova sepse besova fort , se vetingu po bëhet sipas qëllimit të përcaktuar në nenin 1 të ligjit 84/2016”… -për të garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi. I falënderoj deputetët që nuk më votuan, me në krye zj. Hysi, sepse nuk më bënë kolege me juristë të tipit “Lekë Plepi”, se do të ndihesha njëlloj siç ndihen magjistratët kur ndajnë të njëjtën tavolinë me kursantët e plepave dhe, me thënë të drejtën, nuk do mund ta duroja dot një gjë të tillë. Dikur, teksa rropatesha dyerve të Ministrisë së Drejtësisë, me dëshirën dhe pasionin për t’u bërë gjykatëse, më dërguan tek shefi i personelit, i cili më tha që gjykatat janë plot. Por, janë me kursantë , -i thashë unë, me naivitetin e një të sapodiplomuari. –Pse nuk bëre kurs edhe ti?- më tha pa pikë turpi. Dhe, që atëherë hoqa dorë të shpresoj e të pres drejtësi nga politikanët. Të njëjtën gjë bënë edhe këto komisione parlamentare, që patën fatin të kenë në dorë reformën më të rëndësishme të shqiptarëve. Nuk mund ta di se sa të barabartë në nivel do të ndihen zotërinjtë apo zonjat, Shuli e Çiftja, Vasha e Zhegu , Shkambi e Shtylla, Daci e Tasi , por unë jam tejet e kënaqur që nuk jam e detyruar të ndaj një tryezë pune me persona që, me sa shoh nga komentet në media e në rrjetet sociale, jo vetëm që nuk meritojnë të bëjnë vetingun, por disa prej tyre, as të konsiderohen juristë, se është fyerje për vetë sistemin. Në ligjin 84/2016 neni 6 janë vendosur 11+5 kritere për t’u plotësuar nga kandidatët. Me keqardhje vërej se është shkelur ligji kokë e këmbë, si në përcaktimin e kandidatëve apo në emërimin e tyre. Shikoni p.sh Pika ë) nuk ka qenë gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë dy viteve të fundit përpara kandidimit; Pika ç) nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit. Mund të them me krenari se jam një nga ata kandidatë që kanë plotësuar 11+3 nga këto kritere të përcaktuara në ligj dhe se ndërgjegjja ime profesionale nuk do më kishte lejuar të aplikoja, nëse nuk do të plotësoja të paktën kriteret e domosdoshme dhe më shumë se gjysmën e kritereve të nevojshme, sepse njerëzit e drejtë dhe të ndershëm nuk kërkojnë kurrë më shumë sa u takon. Por, më duhet të pranoj që e kam një “mëkat”, më mungon titulli –“Prof. Dr.” – edhe pse, po të më ish dashur, mund ta kisha marrë. Kam parë në fakt Honoris Causa me shkollë të mesme që promovohen nga politika jonë, kam parë edhe Doktorantë në Juridik, pa studiuar asnjë ditë për drejtësi, por kartonët e blerë nuk kanë vlerë. Nëse ju deputetë të komisioneve përzgjedhëse me në krye zj. Hysi keni zgjedhur 27 juristë të shkëlqyer, të paanshëm dhe të ndershëm, që kanë edhe titullin Prof.-Dr., atëherë ju kërkoj ndjesë edhe për këtë shkrim, në rast të kundërt, jeni ju që duhet t’u kërkoni ndjesë shqiptarëve për dështimin e procesit. Por, veç titujve shkencorë, ligji ka edhe një kriter absurd “përvojë studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar”. Çfarë ka dashur të thotë ligjvënësi me këtë kriter? – P.sh, të ketë punuar e studiuar në Kakavijë si roje pylli? Pse studimi dhe puna jashtë Shqipërisë, pa e përcaktuar se ku dhe për çfarë, vlekërka më shumë se studimi dhe puna në Shqipëri? – Mos vallë kriteret janë vendosur duke pasur parasysh persona të caktuar?! Ndërgjegjja nuk i vret ata që nuk e kanë ndërgjegjen, madje ndërgjegjja nuk vret fare, sepse nuk ka plumb, por ndërgjegjja mban erë, mban erë të mirë ose të keqe sipas rastit. Nëse unë do isha njëri prej atyre deputetëve që morën përsipër një përgjegjësi të madhe, atë të përzgjedhjes së “lavatriçes” së drejtësisë, do të më mbyste era që do të kutërbonte ndërgjegjja ime me këta palo juristë që kanë përzgjedhur për të bërë “lavazhin” e drejtësisë së kalbur, disa prej tyre të riciklueshëm, që mbajnë mbi vete gjithë mëkatet e mosfunksionimit të sistemit në këto vite. Rezultati i këtij procesi dëshmoi qartë se, nën hundën e ndërkombëtarëve, që u mjaftuan me “puthjen” e palëve kundërshtare, nuk u përzgjodhën tutorët e drejtësisë, por përkundrazi njerëz lehtësisht të manipulueshëm e të pa dinjitet, sahanlëpirës të politikës, që nuk meritojnë të mbajnë peshoren e drejtësisë në dorë, e që do të shërbejnë si engjëj mbrojtës për gjyqtarët bamirës ndaj politikanëve të korruptuar. Politikanë që kanë dosje të ndryshme penale dhe që asnjëherë nuk kanë marrë pafajësi, por kanë shfrytëzuar kleçka procedurale për të mos u futur në burg, sigurisht që kanë pasur mbështetjen e prokurorisë dhe gjykatës. Gjithmonë e kam thënë e do të vazhdoj ta them që Shqipërisë nuk i kanë munguar ligjet, as reformat, por i kanë munguar burimet njerëzore të ndershme, politikanët e ndershëm dhe, përzgjedhja e kësaj skuadre është prova për këtë. Kam njohur prokurorë që sfidojnë ligjin pa frikë, gjyqtarë që nuk njohin as servitutin, e posedimin, për të mos folur për OPGj-të pa shkollë. Jam e sigurt që me këta vetingas do të vazhdojnë ta bëjnë, se këta vijnë nga i njëjti brumë. Kam pasur fatin e keq, të shoh shkresa të sigluara nga kryeprokurorja në formën –Beni, shihe pak këtë! – a thua, se po i drejtohej shokut të bankës, për t’i parë vizatimin në fletore dhe kjo na qenka krye profesionistja e vetingut? Më shumë se plotësimi i kritereve, përzgjedhja e vetingut ka pasur një dhe vetëm një kusht – mosplotësimi i kritereve. Vetingu, pra shqiptarë të nderuar nuk na qenka një lajm i mirë, por një lajm i keq, farsa e radhës e politikës shqiptare, më së shumti me këta vetingas, mund të ketë gjueti shtrigash, por jo drejtësi. Ndaj, komisionet përzgjedhëse me në krye zj. Hysi kanë për detyrë t’u provojnë shqiptarëve, me fakte, se kanë përzgjedhur 27 juristë të shkëlqyer, të paanshëm e të ndershëm, që plotësojnë plot 16 kushte, që mbajnë dhe tituj të lartë akademikë ose të mos e tundin më flamurin e vetingut, por të pranojnë dështimin total të procesit
Sigal