Limos Dizdari, një nga themeluesit e PS-së

713
Sigal

Ja si e mbrojtëm ne socialistët Teatrin Popullor në vitet 2000 nga planet e prishjes së Ramës, për ta ndërtuar me financimin e grekëve. Reagojnë Besnik Mustafaj, Bujar Kapexhiu, Flutura Açka, Rudi Erebara, Edmond Budina

Limos Dizdari, ish-themeluesi i PS-së tregon kur kryebashkiaku Rama donte të prishte Teatrin për të ndërtuar një të ri me paratë e Greqisë

Ja si mbrojtëm ne socialistët Teatrin Popullor në vitet 2000 nga planet e prishjes

Një nga ish-themeluesit e PS-së e me pas LSI-së, “Artisti i Merituar” Limos Dizdari në takimin e intelektualëve “Për të mbrojtur Teatrin Kombëtar” tregon kohën kur Rama si ministër i Kulturës donte të prishte teatrin kombëtar për të bërë një teatër të ri. Dhe pyetjes së kompozitorit Limos Dizdari se ku do i gjente paratë, Rama i kishte thënë se do ia jepte qeveria greke.

Partitë e kanë fajin, nuk kanë intelektualë, kthehen në klube

Unë do flas në këmbë. Jam si puna e gjelit që kur këndon i mbyll sytë dhe unë flas në këmbë. Unë jam mbajtur për një të majtë ekstrem. Unë e vlerësova këtë, sepse kjo është një çështje madhore në respekt të kulturës. Ky popull po përjeton problematika të mëdha. I gjori ju, zoti Basha ç’do hiqni. Në database tuaj keni pasur emra të mëdhenj që kanë pasur benefitin e tyre nga kjo forcë politike. Nuk i shoh, nuk i ndjek gjëkundi. I takoj, dhe ndihem keq, bëj fajtor veten që u ndesha me ta. Këmbej një salutim të thjesht dhe aspak dashamirës. Pak a shumë një buzëqeshje që ngjan me një ngërdheshje. Kam qenë i bindur se partitë e kanë fajin. Kanë faj sepse mbështeten tek militantët. Nëse nuk kanë intelektualë, por kthehen në klube.

Ja si e ndalova Ramën të prishë Teatrin Kombëtar në vitet 2000

Unë jam i vetmi që sa shkeli shekulli 21 që dola kundër prishjes së Teatrit. Atëherë mbaja zv. Kryetar i Komisionit të Kulturës. Në vitet 2000 që dola kundra prishjes së teatrit. Atëherë mbaja poste të rëndësishme politike. Isha zv/ kryetar i komisionit të arsimit dhe kulturës dhe përfaqësoja shumicën në komision. Ai donte të prishte teatrin sepse donte të bënte një teatër të ri. Kërkesa e tij ishte legjitime por protesta e aktorëve ishte e madhe. Rama e kërkonte me insistim dhe unë e pyesja se me çfarë lekësh do ta bësh. Lekët ku do i gjesh? Ai më tha se më ka premtuar qeveria greke dhe kryeministri i Greqisë që do i japë lekët. Dhe unë i kujtova këngën: Mblidhuni moj gra më qani burrin se unë po vete për dasmë. Për 17 vjet ai teatër nuk u prish dhe nuk u prish në një kohë kur kryeministri Nano, një politikan shumë i mirë, me gjithë se të gjithë ministrat ishin për prishjen e teatrit, dhe bënë maksimumin për të ma mbushur mendjen mua. Por ne si komision vendosëm që nuk do të prishej. Për 17 vite ky teatër nuk u prish. Atëherë Fatos Nano, një politikan shumë i mirë, bënte debat me Bardhyl London e më pas pinim kafe e verë.

Oligarkët i keni në çdo krah të politikës

Çfarë ndodh sot? Teatri po prishet, por këta oligarkët më duket se kanë mbirë edhe për brezin tuaj. Po, janë këtu, janë tuajt. Do doja shumë të ishte këtu Petrit Fusha, që unë shkoj e t’i ankohem se më është cenuar gjithë pronësia intelektuale. Me ligj jam në rregull, mos duhet të nis të qaj? Do doja të ishte këtu në krah të Çlirim Gjatës, se ju ka përfaqësuar, se paratë i vëllai i tij do i përfitojë? Kemi shumë oligarkë, merremi me ta. Po ata janë këtu mes jush.

E quaj gjest të madh, heqjen dorë nga mandati

Ju keni bërë një gjest shumë të madh. Tërhoqët të gjithë deputetët. Është një masë, të cilën unë si Limoz, për aq sa jam në dijeni të politikës dhe vlerave që mbart, them se ishte gjëja më e domosdoshme dhe nuk kishit mundësi të tjera. Por nuk i jap dot përgjigje pyetjes, pse të huajt janë kaq kundërshtarë ndaj këtij gjesti. Unë jo se nuk e marr me mend, por kërkon argument institucional. Ku e gjen forcën individi qoftë dhe kryeministri të jetë kaq kokëfortë e ekzigjent dhe si nuk e sheh realitetin njësoj siç e shoh unë dhe shqiptarët.”

Reagimi i artistëve dhe intelektualëve

Bujar Kapexhiu: “Rama ik” është e vetmja zgjidhje që duhet të ekzistojë. Në qoftë se ikën Rama, do të ikë edhe rreziku për gjithçka. Në qoftë se arrijmë që të gjithë brenda vetes “Rama ik”, ikën rreziku, nuk prishet asgjë, vetëm ndërtohet.

Flutura Açka: Beteja për Teatrin është një nga gjërat më të bukura në këto 30 vite demokraci, është një nga leksionet më të mira, se si mund të protestojmë me konsekuencë dhe në përditshmëri për të mbrojtur një gjë. Hapi i fundit mund të ishte të lidheshim me zinxhirë.

Taulanda Jupi: Mesazhi që teatri na jep sot është, që qëndresa dhe bashkimi mund të bëjë ndryshimin.

Mark Marku: Beteja për teatrin i ka treguar shoqërisë, se për të mbrojtur diçka që është e drejtë, nuk ka nevojë të jesh shumë. Një akt i ngjashëm është akti i opozitës për të dorëzuar mandatet.

Edmond Tupe: Edi Rama ka frikë nga teatri. Të gjithë diktatorët kanë frikë nga teatri, kur ai nuk u shërben interesave të tyre. Sepse në teatër, shikon vetveten sa vlen.

Rudi Erebara: Duhet të jemi të gjithë bashkë, jo për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, por për të rrëzuar një sistemin që solli Ramën në pushtet.

 Agron Gjekmarkaj: Jemi në një gjendje të emergjencës kombëtare, ku opozita është në rrugë, ka dorëzuar mandatet. Një lëvizje kaq e fortë, kaq e paprecedentë, të shërbejë si një lëvizje emancipuese, jo thjesht për të ndryshuar një qeveri, por për të ndryshuar perceptimin mbi jetën që do kalojmë në këtë vend.

 Ergys Mërtiri: Edi Rama e ka masakruar sistemin. Ajo që na bën bashkë, është lufta me atë që ka kapur sistemin, për ta kthyer politikën brenda sistemit. Edi Rama ka blerë artistët. Ky njeri ka mundësi të blejë gjithçka.

Edmond Budina: Unë e ndjej pranverën dhe vërtet them, se pranvera do të vijë. Demokracia është ajo që sa herë një pushtet nuk shkon, ne ndryshojmë dhe ndryshojmë pushtetet.

Ish-ministri Besnik Mustafaj: “Rama nuk është burrë shteti”

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj pohoi dje se kryeministri Edi Rama nuk arrin të lexojë pakënaqësitë e qytetarëve dhe kjo në pikëpamjen e Mustafajt është e rrezikshme për një sistem demokratik. “Rama është një politikan që nuk lexon pakënaqësitë e popullit, pakënaqësitë e politikës dhe opozitës. Në demokraci, mbushja e rrugës është sinjal që duhet të ndryshohet qeveria dhe sjellja e saj. Këta që po shkojnë në Kuvend nuk kanë anën morale, shkojnë për të qenë numra dhe nuk përfaqësojnë interesin e elektoratit. Mua nuk më përfaqësojnë ata. Këta nuk janë moralisht legjitimë. Nuk preferoj të bëjë koment për Rudinën. Është në një moshë që po rritet dhe po piqet. Mbiemri Hajdari është shumë i rëndësishëm. Hajdari është në momentin dhe në moshën që i lejohen gabimet dhe ato janë elementë të mësimit. Edi Rama nuk ka treguar dhe nuk po tregon që është një burrë shteti. Unë besoj se Edi Rama e keqkupton edhe atë që e quani ju “mbështetjen e ndërkombëtarëve”. Evolucioni i ndërkombëtarëve është i pritshëm. Opozita ka shkuar aq larg sa nuk mund të ketë kthim pas. Unë nuk e kuptoj se pse i kërkojnë kthim pas Bashës. Edi Rama ka një natyrë shumë bizantine dhe ai do të gjejë kandidatë të pavarur nga opozita dhe do të krijojë një konfiguracion shumëngjyrësh në zgjedhjet lokale dhe kjo nuk do më çudiste shumë nëse do ta bënte Edi Rama.