Ligji për territorin/ Thellohet përplasja PS-LSI brenda qeverisë, Manjani kundër propozimit të Gjermenit

76

Qeveria është duke
përgatitur ndry shimet e reja ligjore në ligjin “Për planifikimin dhe
zhvillimin e territorit”. Ajo që bie në sy në këtë projektligj është fakti se
propozohet që këshillave bashkiakë t’u hiqet e drejta për të rikthyer për
shqyrtim te kryetari i bashkisë, Planet e Detajuara Vendore. Në ndryshimet e
propozuara në draftin që ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni u ka
nisur drejtuesve të dikastereve të tjera për mendim, ka marrë një përgjigje
negative nga Ministria e Drejtësisë. Kolegu i saj, Ylli Manjani, në shkresën e
kthimit të përgjigjes që disponon “Gazeta Shqiptare”, këto ndryshime i cilëson:
“Një non sens juridik, logjik dhe demokratik, duke cënuar jo vetëm autonominë
vendore, por edhe parimet kushtetuese”. Kjo shënon edhe përplasjen e dytë mes
këtyre dy ministrave të koalicionit qeverisës PS-LSI, pasi përplasja e parë
ishte për projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të
objekteve me shkelje të lejes së ndërtimit dhe të objekteve shumëkatëshe pa
leje”.

KËSHILLAT & PLANET
VENDORE

Me ndryshimet e reja ligjore që po kërkohet t’i bëhen ligjit “Për planifikimin
dhe zhvillimin e territorit”, këshillat bashkiakë duhet të kalojnë çdo Plan të
Detajuar Vendor (PDV) që kryetari i bashkisë do të propozojë, pasi parashikohet
që t’u hiqet e drejta që ata të rikthejnë një PDV edhe pse ai mund të jetë me
shkelje ligjore. Kundër ndryshimit të këtij ligji dhe heqjes së kompetencave të
këshillave vendorë është shprehur ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në
shkresën nr. 8035/1, dt.28.12.2016, që i ka nisur ministres Gjermeni, ku
shprehet se nuk argumentohet nevoja e ndryshimeve në ligjin ekzistues. “Çdo
projekt për ndryshime duhet të paraprihet nga vlerësimi dhe vërtetimi i arsyeve
pse nevojiten këto ndryshime. Nevoja, efektiviteti dhe qartësia e draftit duhet
të përcaktohen që në fillim”, shkruhet në pikën 1 të shkresës së Manjanit. Më
tej, në gjashtë pikat në vijim ai argumenton se përse nuk duhet t’u hiqet
këshillave bashkiakë e drejta për të shqyrtuar dhe ndryshuar Planet e Detajuara
Vendore.

“2. Projektligji
(përmes ndryshimeve të propozuara nga neni 3) synon ndryshim të kompetencave të
këshillave bashkiakë. Veçanërisht, propozohet heqja e së drejtës për të
rikthyer për shqyrtim te kryetari i bashkisë Planet e Detajuara Vendore, në
rast se konstaton mosrespektim të kërkesave ligjore. Për këtë ndryshim nuk
jepet asnjë sqarim në relacionin shoqërues. 2.1 Këshilli bashkiak është një
filtër i nevojshëm kontrolli para miratimit të dokumenteve vendore të
planifikimit, ndaj çmoj se një kompetencë e tillë duhet t’i mbetet këshillit
bashkiak. 2.2 Plani i detajuar vendor, është një pasuri publike, për sa kohë që
lidhet me zhvillimin/rizhvillimin e një zone, apo ndërtimin e infrastrukturave
publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në interesin publik. Ndaj edhe vendimmarrja
për të duhet të jetë jo e një organi ekzekutiv, siç është kryetari i bashkisë,
por e një organi kolegjial si këshilli bashkiak. 2.3 Për më tepër që, me
miratimin e ligjit të ri për vetëqeverisjen vendore, duhet të nxitet zbatimi i
këtij ligji dhe të ndihmohet decentralizimi, jo të pengohet përmes një nisme të
tillë, që përbën një hap mbrapa, të pambështetur nga arsye legjitime, në
drejtim të instrumenteve që garantojnë zhvillimin e territorit duke respektuar
interesin publik. 2.4 Nisma e propozuar, për paralelizëm, është si të normosh
me ligj që për projektligjet që Këshilli i Ministrave propozon, Kuvendi thjesht
t’i miratojë, pa pasur mundësinë t’i konsultojë me aktorët e interesuar apo të
propozojë ndryshime në to. 2.5 Për këtë arsye, parashikimet që lidhen me këtë
çështje në projektligj (neni 3 dhe neni 5, që propozon shfuqizimin në nenin 22
të ligjit, të pikave 10 dhe 11, që normojnë të drejtën e këshillit të njësisë
së qeverisjes vendore për të monitoruar procesin e miratimit të PDV-së, për të
garantuar respektimin e procedurave ligjore për miratimin e saj, dhe në rast se
konstaton mangësi apo shkelje, për ta kthyer PDV-në për rishqyrtim nga kryetari
i njësisë së qeverisjes vendore, brenda 60 ditëve nga miratimi i saj), përbëjnë
një non sens juridik, logjik dhe demokratik, duke cenuar jo vetëm autonominë
vendore, por edhe parimet kushtetuese”, argumenton ministri i Drejtësisë
Manjani, në përgjigjen drejtuar koleges Gjermeni. Në përfundim të shkresës, ai
kërkon rishikimin e nismës së projektit.