Ligji për plehrat, sot në komisionet e Kuvendit

559
Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese do të shqyrtojë sot dekretin e Presidentit Nishani për kthimin e ligjit të mbetjeve. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë ky komision, po të kemi parasysh se më herët kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ishte shprehur se ky ligj do të konsultohet me publikun. Burime politike thanë dje se mund të bëhet edhe një rrëzim formal i ligjit për ta diskutuar më pas atë me publikun. Ndërkohë Eduard Shalsi, kreu i komisionit, ka thënë se do të ketë një ligj të ri për importin e plehrave në Shqipëri, ligj që pritet të hartohet nga Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës. Ligji që lejon importin e mbetjeve u kthye nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Kuvend gjatë vitit të shkuar, por qeveria nuk e përfshiu atë në procedurat parlamentare për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm në seancë. Së fundmi, PD dhe LSI kanë këmbëngulur që ky dekret të përfshihet në procedurë dhe ligji të rrëzohet. Gjithashtu, opozita ka kërkuar edhe zhvillimin e një referendumi për ndalimin e importit të mbetjeve.
Sigal