Sigal

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i ka bërë thirrje kreut të Kuvendit të ndalë votimin e ligjit për teatrin, në atë që ai e quan fundin dhe shembjen e parlamentit të Shqipërisë.

Në postimin e tij në Facebook, Vasili ka thënë se  Gramoz Ruçi ka pergjegjësi kushtetuese të rënda dhe duhet të ndalë menjëherë këtë puç për të mos u bërë ortak i hapur me hajdutët.

“Dekreti i presidentit nëse votohet pro e kthen ligjin për ripunim në kuvend, për tu riparaqitur përsëri me ndryshimet që do të propozohen t’i bëhen. Kjo është kaq e qartë sa s’bëhet.”

Postimi i plotë i Petrit Vasilit:

Ligji i teatrit, Ruçi të ndalë kriminalizimin dhe delegjitimimin e Kuvendit.

Ligji i teatrit dhe votimi antikushtetues në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese është fundi i parlamentit.
Gramoz Ruçi ka shansin e fundit për të mos lejuar gërmadhën e parlamentit, që të shembet krejtësisht.
Degjenerimi kushtetues dhe procedurial i parlamentit është një realitet, që asgjeson Republikën Parlamentare dhe e zhyt vendin në kaos politik.
Hajdutëria histerike nuk po duron dot që të vjedhë sa më parë tokën e teatrit.
Gramoz Ruçi ka pergjegjësi kushtetuese të rënda dhe duhet të ndalë menjëherë këtë puç të konsumuar ditën për diell për të mos u bërë ortak i hapur me hajdutët.
Ai është kryetar i kuvendit i të gjithë popullit dhe jo avokat i kusarëve.
Dekreti i presidentit nëse votohet pro e kthen ligjin për ripunim në kuvend, për tu riparaqitur përsëri me ndryshimet që do të propozohen t’i bëhen. Kjo është kaq e qartë sa s’bëhet.
Padurimi i hajdutëve të qeverisë, që mezi presin të fusin prenë ne dorë, tokën e teatrit për ta shqyer kërkon të shqyejë dhe Kushtetuten dhe Parlamentin.
Ruçi ka detyrën dhe përgjegjësinë t’i ndalë, në të kundërt edhe ai është bashkëpërgjegjës, ortak dhe përfitues në këtë vjedhje gjigande dhe do të marrë përsipër pasojat për delegjitimimim e Parlamentit dhe zhytjen e tij në kaos.