Ligji i strehimit social/ Floida Kërpaçi: PS prishi konsensusin

Ligji për strehimin social mund të bëhet një tjetër temë debati mes maxhorancës dhe opozitës, teksa deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi shkruan se PS-ja minoi konsensusin për ligjin e strehimit social.

”Rilindasit jo vetëm të pabesë, por sot shkatërruan edhe zhvillimet në shërbim të kësaj shtrese të shoqërisë që kërkon një ndihmë nga shteti. Prej muajsh kemi pritur dhe diskutuar ne komision Ligjin per Strehimin social, dhe si asnjëherë më parë të gjithë, mazhorancë e opozitë votuam Pro në parim për këtë projekt ligj, të udhëhequr nga bindja se më e rëndësishme është shërbimi ndaj njerëzve dhe jo interesi personal”,-shkruan Kërpaçi.

Më tej deputetja thotë se sot maxhoranca në Komisionin e Ligjeve, organizoi një mbledhje rrufe pa opozitën, pa shoqërinë civile.

”Mbledhja e njëanshme dhe diskutimi nen për nen i Ligjit të Strehimit social sot, pa praninë e opozitës, pa praninë e mendimit ndryshe, e bën këtë ligj më të shtrëmbert seç ishte, shkatërron frymën e dialogut politik që na duhet për Integrimin në BE dhe është një tjetër hap drejt ndërtimit të shtetit autokrat të drejtuar nga Edi Rama”,-mbyll komentin e saj, deputetja e LSI-së.