Ligji i ri për dëmshpërblimin e të përndjekurve

583
Sigal

Projektligji i është dorëzuar Kryesisë së Kuvendit dhe ka mbështetjen e një grupi deputetësh

Të zhgënjyer nga premtimet e parealizuara për më shumë se 23 vjet nga qeveritë për vlerësimin moral dhe trajtimin ekonomik për vuajtjet e shumta në burgje dhe internime, të burgosurit kanë hartuar një Projekt-Ligj për Parlamentin e Shqipërisë, me shpresën se do të marrë fund kalvari i tyre i gjatë. Këtë e konfirmon për gazetën “Telegraf” një nga hartuesit, ish- i dënuari politik Skënder Tufa. “Ky projekt ligj që ne shpresojmë të gjejë miratimin e gjithë deputetëve, ndreq një padrejtësi të qëllimshme shumëvjeçare dhe i kthen kësaj shtrese dinjitetin, dëmshpërblimin e merituar financiar dhe mundësinë për integrim sa më të shpejtë në shoqëri”,- pohon Tufa.

PROJEKTLIGJI

Në draftin e tyre, ish-të përndjekurit politik kërkojnë amendimin e  ligjit  9831 në nenin 12 për ridënimet për terror në burgjet e sistemit komunist dhe për dosjet e vonuara. Sipas tyre, drafti ka shumë përparësi. Sipas tyre, ai do të bëjë, kalimin në vlerë nominale të të gjithë shumës së akorduar në favor të ish-të burgosurve politikë dhe pagesën e saj në dy këste, shtimi mbi vlerën nominale të shumës së mbetur për zhdëmtimin e ish të burgosurve politikë, deri në dhjetor 2013 dhe 30% me qëllim ekuivalentimin e humbjes reale nga inflacioni i periudhës 2007-2013. Ligji do të detyrojë, gjithashtu, shqyrtimin e  dosjeve të vonuara me qëllim përfitimin e zhdëmtimit dhe nga ata ish të burgosur politikë që kanë dorëzuar dokumentet me vonesë dhe nuk kanë përfituar deri tani asnjë këst, etj.. Nëpërmjet një paragrafi të veçantë në projektin që paraqesin, ish-të burgosurit politikë, që janë ridënuar në burg me akuzën absurde “terrorizëm” sipas neneve 67 e 50, në revoltat e Spaçit 73 dhe Qafbari 84, si dhe ndonjë rast tjetër ridënimi me këtë akuzë në burgjet e kohës së komunizmit 44-91, të çlirohen nga kjo akuzë dhe menjëherë t’ju njihet e drejta e zhdëmtimit dhe për këtë periudhë të vuajtjes së dënimit. Mendohet, që ky Projektligj të shqyrtohet sa më shpejt nga komisionet parlamentare, pastaj të kalojë për miratim në seancën parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. Tufa shprehet se, ka besim tek Ilir Meta e deputetët shqiptarë, se do e votojnë draftin e paraqitur prej tyre.