Ligji i Lustracionit, Sula: E vërteta të bën të lirë!

512
Sigal

Ekskluzive/ Flet znj. Gentjana Sula zv. ministrja e MMSR-së: Politikat dhe të rejat e programit të qeverisë “Rama” për ish të përndjekurit politikë

Ajo beson se  “e vërteta të bën të lirë”. Porse “Ligji i Lustracionit dhe në përgjithësi hartimi i legjislacionit dhe zhvillimi i politikave për qëndrimin ndaj diktaturës, krimeve dhe abuzimeve të saj, është një çështje që i takon Kuvendit të Shqipërisë”, shprehet znj. Gentjana Sula, zv. ministre e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”. Reforma institucionale për t’i dhënë fund fragmentimit të shërbimeve në lidhje me dokumentimin e statusit të ish përndjekurve; Krijimi i drejtorisë që do të merret me hartimin e politikave për përmirësimin e qasjes ndaj pensioneve të kësaj shtrese, për të garantuar shërbime publike falas përfshi arsimimin, politika me qasje moshimin, si dhe për të krijuar programe punësimi për ish të përndjekurve e familjarët e tyre; Krijimi i një grupi ndërministror për të mos lënë në harresë këtë periudhë të errët të shoqërisë shqiptare janë pjesë e axhendës së ravijëzuar nga MMSR për rehabilitimin moral, shoqëror dhe financiar të mbijetuarve nga regjimi i egër komunist. Ndërsa dëmshpërblimi financiar për znj. Sula ka filluar të ravijëzohet duke u dhënë përparësi atyre që nuk kanë marrë asnjë këst. “Skema e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim në varësi të viteve të dënimit, moshës aktuale dhe gjinisë së ish të përndjekurve”, shprehet zv.ministrja Sula. Gjithashtu, ndryshimet në legjislacionin për dëmshpërblimet do të konsistojnë edhe në garantimin e dëmshpërblimit financiar edhe ndaj të dënuarve të revoltës së Qaf Barit si dhe të disa grupeve te tjera specifike që ligji në fuqi nuk i ka parashikuar.

  Çfarë po bëhet me dëmshpërblimin financiar të ish të përndjekurve për këtë vit?

Ashtu si të gjithë ish të përndjekurit që kemi kontaktuar, jemi të bindur se dëmshpërblimi financiar është shumë i rëndësishëm për të rindërtuar jetën e të mbijetuarve nga kalvari komunist dhe i familjeve të tyre sa më mirë të jetë e mundur. Por ky nuk është akti i vetëm që sjell dëmshpërblim të plotë për dekada të tëra tragjedish mohimesh, vuajtjesh dhe diskriminimi. Ndihemi shumë mirë që Programi i Qeverisë 2013-2020 parashikon një tërësi masash për të trajtuar rehabilitimin moral, shoqëror dhe financiar të mbijetuarve nga regjimi i egër komunist.

Në përputhje me këtë program, MMSR ka një axhendë të vijëzuar qartë:

Së pari, të iniciojë një reformë institucionale që synon t’i japë fund fragmentimit të shërbimeve në lidhje me dokumentimin e statusit të ish përndjekurve, procedurës së dëmshpërblimit financiar, shërbimeve juridike, të integrimit dhe të krijojë mundësi reale të hartimit të politikave për rehabilitim moral, dëmshpërblim solidar financiar dhe ato për shërbimet publike prioritare, përfshi ato shoqërore në favor të shtresës së ish-përndjekurve dhe familjeve të tyre. Në përputhje me vizionin e kësaj reforme, në MMSR po ngrihet një drejtori e dedikuar për hartimin e politikave integruese ndaj kësaj shtrese. Kjo drejtori do të merret drejtpërdrejtë me hartimin e politikave për përmirësimin e qasjes ndaj pensioneve të kësaj shtrese, për të garantuar shërbime publike falas përfshi arsimimin, politika me qasje moshimin e tyre etj, si dhe për të krijuar programe punësimi që shënjestrojnë shtresën e ish të përndjekurve e familjarëve të tyre. Edhe Instituti i Integrimit të ish-përndjekurve kaloi në vartësi të MMSR pikërisht për të zbatuar politikat integruese të qeverisë duke synuar shmangien e sorollatjes së tyre nëpër disa institucione të ndryshme dhe lehtësimin e marrjes së të gjitha shërbimeve që iu takojnë.

Së dyti, MMSR po inicion krijimin e një grupi pune të nivelit të lartë ndërministror i përbërë nga disa ministri si ajo e Drejtësisë, së Brendshme, Financës, Kulturës, Arsimit, Shëndetësisë dhe Turizmit, pikërisht për të mundësuar një qasje sa më të gjerë qoftë ndaj problematikës së rehabilitimit moral, shoqëror dhe financiar të të përndjekurve, por edhe për të mos lënë në harresë këtë periudhë të errët të shoqërisë shqiptare. MSSR beson shumë se historia i duhet treguar brezave më të rinj e po ashtu edhe vizitorëve të huaj si një ilustrim i asaj që ngjau nën efektin e Luftës së Ftohtë në mbarë Evropën, e që sigurisht duhet shmangur me çdo kusht të mos përsëritet. Disa aksione konkrete, si p.sh promovimi i mbledhjes së dëshmive historike gojore, ose aktivitete rinore nëpër vendet e vuajtjes së dënimit për bindje politike janë kryer ose janë në organizim e sipër.

Ndërsa në lidhje me pyetjen tuaj për dëmshpërblimin financiar gjatë vitit 2014 kam një përgjigje konkrete: Të parët që do të dëmshpërblehen janë ata që nuk kanë patur mundësi të marrin asnjë këst dëmshpërblimi deri më sot. Lista e parë e qytetarëve që janë programuar të dëmshpërblehen është përgatitur dhe është bërë publike në faqen online të Ministrisë së Financave, i cili  është dhe institucioni që zbaton procesin e dëmshpërblimeve. Kjo listë është e aksesueshme për publikun në çdo kohë.

 Si do përdoret fondi i miratuar nga qeveria prej 18 milionë dollarësh? Kush dhe sa do të jetë numri i përfituesve? Sipas burimeve, ekziston një listë me emrat e atyre që janë të sëmurë. A do të jetë kjo lista që do i jepet përparësi?

 Për shkak të shërbimeve shumë të fragmentuara dhe burokratike, mënyrës si  është organizuar procedura dhe vështirësisë për të dokumentuar ngjarje të caktuara, ende sot vuajmë shumë për të bërë prognoza të qarta të përllogaritjeve dhe numrit të personave që do të mund të kompensohen gjatë 2014. Me ndihmën e partnerëve gjermanë po ngremë një bazë të dhënash elektronike të koordinuar për gjithë njësite e shërbimit për ish-të përndjekurit, që do mundësojnë në kohë reale informacionin e përditësuar që do të mundësojnë prognozat e vlefshme dhe efektet financiare të politikave të ndryshme që do të propozohen. Siç thashë më sipër, prioritet në përdorimin e fondit të dëmshpërblimeve për këtë vit do të kenë ata qytetarë që nuk kanë marrë ende asnjë këst. Ndërkohë, po ngrihet grupi i punës ndërministror që do të rishikojë ligjin e dëmshpërblimit në fuqi, për të jetësuar programin e qeverisë që do t’i japë fund hipokrizisë dhe abuzimit njëzetvjeçar me të përndjekurit politikë. Do të ketë një vlerësim transparent të detyrimeve ndaj ish të përndjekurve. Skema e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim në varësi të viteve të dënimit, moshës aktuale dhe gjinisë të ish të përndjekurve. Në këtë kontekst, do të trajtohen me përparësi edhe të sëmurët dhe të moshuarit në moshë të shtyrë, për tu dhënë atyre mundësi të përfitojnë të drejtat financiare, ekonomike dhe njerëzore, të cilat ju grabitën nën diktaturë, por nuk ju janë rikthyer ende nga sistemi demokratik.

 A do përfshihen në dëmshpërblim ata të burgosur politikë që janë dënuar në nenin e terrorit, siç janë të dënuarit e revoltës së Qaf Barit?

Nëpërmjet kontakteve me grupe të ish të përndjekurve jam njohur me problematikën specifike të të dënuarve të revoltës së Qafë Barit. Do ta shqyrtojmë me kujdes këtë kategori dhe do sigurojmë që ndryshimet në legjislacionin për dëmshpërblimet të konsistojnë në garantimin e plotësimit sa më të shpejtë, sa më të plotë dhe sa më transparent të detyrimeve të shoqërisë shqiptare, edhe ndaj këtij grupi dhe disa grupeve te tjera specifike që ligji në fuqi nuk i ka parashikuar.

 A do ta kemi ligjin e Lustracionit, siç edhe vepruan në fakt të gjitha vendet e lindjes?

Unë besoj se “ e vërteta të bën të lirë”. Pothuajse të gjitha demokracitë e vërteta që kanë kaluar nëpër regjime totalitare qofshin këto fashiste apo komuniste, kanë gjetur forma për ta parë të vërtetën në sy. Ligji i Lustracionit dhe në përgjithësi hartimi i legjislacionit dhe zhvillimi i politikave për qëndrimin ndaj diktaturës, krimeve dhe abuzimeve të saj, është një çështje që i takon Kuvendit të Shqipërisë, natyrisht, me impulset që merr nga të gjitha entitetet e shoqërisë. Për këtë çështje nuk ka tagër vetëm një institucion i saj, siç është Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Unë kam qëndrimin tim personal për këtë çështje… Sidoqoftë për publikun është më i rëndësishëm qëndrimi i ligjvënësve, i cili besoj se do të bëhet i ditur në momentin e duhur.

Prioritetet e ministrisë për ish të përndjekurit

 Reforma institucionale për t’i dhënë fund fragmentimit të shërbimeve në lidhje me dokumentimin e statusit të ish përndjekurve;

Krijimi i drejtorisë që do të merret me hartimin e politikave për përmirësimin e qasjes ndaj pensioneve të kësaj shtrese, për të garantuar shërbime publike falas përfshi arsimimin, politika me qasje moshimin, si dhe për të krijuar programe punësimi për ish të përndjekurve e familjarët e tyre

Kalimi i Institutit të Integrimit të ish-përndjekurve në vartësi të MMSR pikërisht për të lehtësuar marrjen e të gjitha shërbimeve që iu takojnë

Krijimi i një grupi ndërministror për të mos lënë në harresë këtë periudhë të errët të shoqërisë shqiptare

MSSR beson se historia i duhet treguar brezave më të rinj e po ashtu edhe vizitorëve të huaj për të shmangur me çdo kusht të mos përsëriten gabimet e së kaluarës

Skema e re e kompensimit për të përndjekurit politikë do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të zbatojë një shpërblim në varësi të viteve të dënimit, moshës aktuale dhe gjinisë të ish të përndjekurve